Politike
Policia e rrahu dhe e la në tokë/ Shehaj: Është artist, e lanë të shtrirë në rrugë
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka vizituar në spital protestuesin Lulzim, me profesion piktor, i cili sipas tij u dhunua nga policia mbrëmjen e kaluar gjatë protestës në Tiranë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Shehaj pretendon se protestuesi është goditur me shkop gome nga efektivët dhe është lënë i shtrirë në rrugë pa marrë ndihmën e nevojshme.
Sipas kreut të Partisë Mundësia, Lulzimi është pjesë e protestës prej 150 ditësh, duke marrë pjesë çdo ditë në tubim.
“Vizitova në spital Lulzimin, me profesion piktor. Policia e rrahu dhe e la të shtrirë në tokë. Pranë tij është bashkëshortja, që i qëndron te koka. Uroj që Lulzimi, i cili vjen prej 150 ditësh çdo ditë në protestë, ta marrë veten sa më shpejt!”, shkruan Shehaj.
Kreu i Partisë Mundësia njoftoi gjithashtu se ekipi ligjor i kësaj force politike do t’i ofrojë protestuesit mbështetje për të ndjekur rrugën ligjore dhe për të kërkuar përgjegjësi për atë që ai e cilëson si dhunë policore.
“Avokatët e Partisë Mundësia do t’i ofrojnë të gjithë ndihmën ligjore që përgjegjësit të japin llogari dhe Lulzimi të marrë drejtësi”, u shpreh Shehaj.
Rrethanat e incidentit dhe pretendimet për përdorim të paligjshëm të forcës kërkojnë verifikim nga institucionet përgjegjëse.