Aktualitet
Çfarë po ndodh me Erion Veliajn në burgun e Fierit? Nuk lejohet ta takojë, avokati Plarent Ndreca paralajmëron KALLËZIM PENAL
Një tjetër përplasje është raportuar në burgun e Fierit, ku avokati Plarent Ndreca nuk është lejuar të takojë klientin e tij, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Siç raportojnë mediet, Ndreca është paraqitur në institucionin penitenciar për të zhvilluar një takim me Veliajn, i cili prej tre ditësh është transferuar nga burgu i Durrësit në atë të Fierit. Megjithatë, avokatit i është refuzuar hyrja, me arsyetimin se ishte paraqitur jashtë orarit zyrtar të vizitave. Atij i është komunikuar se takimet në institucion zhvillohen nga e hëna në të premte, deri në orën 16:00.
Ky arsyetim është kundërshtuar nga pala mbrojtëse, e cila pretendon se takimet e avokatëve me klientët e tyre nuk mund të kufizohen në të njëjtën mënyrë si vizitat e zakonshme. Për këtë arsye, Ndreca është drejtuar në Prokurorinë e Fierit për të paraqitur një kallëzim penal për veprën e dyshuar të shpërdorimit të detyrës ndaj punonjësve që, sipas tij, kanë penguar ushtrimin e detyrës së avokatit.
Pala mbrojtëse argumenton se avokati ka të drejtë të komunikojë me klientin e tij dhe se pengimi i takimit cenon të drejtën për mbrojtje ligjore. Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas transferimit të Veliajt në burgun e Fierit, një vendim që është shoqëruar me kundërshtime nga kryebashkiaku dhe avokatët e tij.
Ndreca ka ngritur më herët shqetësime edhe për kushtet në të cilat po mbahet Veliaj, si dhe për mungesën e një shpjegimi zyrtar lidhur me transferimin. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve lidhur me pretendimet për pengimin e takimit të fundit mes avokatit dhe kryebashkiakut.