Aktualitet
Tubimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”/ Protestuesit të “izoluar” në trotuar, policia hedh spraj
Protesta në kryeqytet vijon edhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një numër protestuesish janë vendosur në pjesën e trotuarit, ndërsa qarkullimi i automjeteve në bulevard vijon normalisht.
Efektivët e policisë kanë krijuar një kordon për të mbajtur të ndarë protestuesit nga pjesa e rrugës, me qëllim garantimin e lëvizjes së automjeteve. Sipas njoftimit, tubimi pritet të zgjasë deri në orën 20:00, pas së cilës nuk do të lejohet vijimi i tij.
Gjatë protestës janë regjistruar edhe incidente mes policisë dhe tubuesve. Sipas raportimeve nga terreni, policia ka përdorur spraj me efekt irritues ndaj protestuesve, ndërsa në zonë janë parë edhe autoambulanca që kanë transportuar persona të prekur nga lënda e përdorur.
Një tjetër element i kësaj proteste ka qenë përdorimi i një përzierjeje kimike me ngjyra blu dhe të verdhë, e cila, sipas raportimeve, ka pasur shpërthim më të fuqishëm krahasuar me rastet e mëparshme.
Për herë të parë, monitorimi i situatës nga policia është kryer edhe përmes dronëve, duke mbikëqyrur zhvillimet nga ajri. Megjithatë, një prej dronëve është rrëzuar nga turma.
Ndërkohë, pas ndërhyrjes së policisë, turma është zhvendosur në drejtim të Urës së Dajtit, ku protestuesit janë ndarë në tri drejtime të ndryshme.