✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

Amerika i kujtoi Trumpit se kush është sovrani

Zgjedhjet e mesmandatit treguan se institucionet dhe qytetarët mund t’i bëjnë ballë përpjekjeve për përqendrimin e pushtetit. Administrata zgjedhore, juristët dhe gjyqtarët mbrojtën rregullat demokratike, ndërsa miliona amerikanë ushtruan të drejtën e tyre për të vendosur se kush duhet t’i qeverisë.

Gjatë dy viteve të fundit, presidenti Donald Trump është përpjekur vazhdimisht të cenojë funksionimin e demokracisë amerikane. Të martën, votuesit vendosën t’i kundërviheshin. Përballë përpjekjeve të shumta të presidentit për të ndikuar në zgjedhjet e mesmandatit – përmes manipulimit ekstrem të kufijve të distrikteve elektorale, pretendimeve të rreme për mashtrime zgjedhore, përpjekjeve për të kufizuar votimin me postë dhe masave të tjera – dhjetëra miliona amerikanë iu përgjigjën duke u drejtuar masivisht drejt kutive të votimit dhe duke refuzuar Partinë Republikane, e cila i ka krijuar mbështetje politike presidentit.

Demokratët kanë rimarrë kontrollin e Senatit dhe janë në prag të marrjes së shumicës edhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Refuzimi elektoral ishte aq i gjerë, saqë kapërceu edhe polarizimin e thellë politik të shoqërisë amerikane. Republikanët humbën gara edhe në shtete tradicionalisht bastione të sigurta të tyre, përfshirë Kansasin, Kentucky-n, Iowa-n, Ohio-n, Karolinën e Jugut dhe Teksasin.

Ata humbën sepse shumë votues të pavarur, madje edhe një pjesë e republikanëve, e konsiderojnë mandatin e dytë të zotit Trump një dështim. Rezultati krijon një mekanizëm thelbësor frenues ndaj prirjeve autokratike të presidentit.

Ai u jep demokratëve mundësinë të hetojnë korrupsionin dhe shkeljet e ligjit nga ana e tij, si dhe të miratojnë ligje që ofrojnë një alternativë ndaj agjendës së tij kundërproduktive. Vendi tashmë duket sikur ka ndryshuar dhe në të vërtetë do të ndryshojë edhe më shumë në janar, kur të marrë detyrën Kongresi i ri.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përballen me probleme të shumta strukturore dhe afatgjata, për të cilat asnjëra prej dy partive nuk ka paraqitur zgjidhje të qarta e bindëse. Për më tepër, gjatë dy viteve të ardhshme, për sa kohë zoti Trump do të qëndrojë në presidencë, Kongresi dhe gjyqësori duhet të jenë të përgatitur për t’iu kundërvënë përpjekjeve të tjera të tij për të cenuar rendin kushtetues.

Në vitin 2026, populli amerikan nuk lejoi që zoti Trump ta bënte këtë. Sistemi demokratik i rezistoi trysnisë. Përveç votuesve, merita të veçanta u takojnë tri grupeve: punonjësve të administratës zgjedhore, mbrojtësve ligjorë të demokracisë dhe gjyqtarëve.

Të parët e kryen detyrën e tyre këtë vit, pavarësisht trysnisë së pandërprerë nga ana e zotit Trump. Prej kohësh, presidenti pretendon se zgjedhjet amerikane përcaktohen nga mashtrime të përhapura, ndonëse prova të mbledhura përgjatë dekadave e kanë rrëzuar vazhdimisht këtë pretendim.

Pavarësisht përkatësisë partiake, nëpunësit e administratës zgjedhore iu përgjigjën këtyre gënjeshtrave duke vijuar të përmbushin detyrën me të njëjtin përkushtim si gjithmonë: duke i dhënë mundësi qytetarëve të votojnë dhe duke numëruar fletët e votimit.

Në shumë shtete, autoritetet zgjedhore ndërmorën masa konkrete për të penguar ndërhyrjen e administratës Trump. Vitin e kaluar, Departamenti i Drejtësisë u kërkoi shteteve t’i dorëzonin qeverisë federale datëlindjet e votuesve, të dhënat e patentave të drejtimit të automjeteve dhe një pjesë të numrave të Sigurimeve Shoqërore.

Zyrtarë të ndryshëm, përfshirë edhe disa republikanë, refuzuan të përmbushnin këtë kërkesë.

Ndër ata që spikatën për qëndrueshmërinë e tyre ishin zëvendësguvernatorja republikane e Utah-s, Deidre Henderson; sekretarja demokrate e Shtetit në Michigan, Jocelyn Benson; dhe sekretari republikan i Shtetit në West Virginia, Kris Warner.

Të tre refuzuan t’i bindeshin kërkesës së administratës, të tre u përballën me padi të ngritura prej saj dhe të tre fituan në gjykatë. Aftësia e tyre për t’i rezistuar presionit të presidentit, nxjerr në pah një prej përparësive të sistemit të decentralizuar të qeverisjes në Shtetet e Bashkuara.

Ata mundën të refuzonin, sepse presidenti nuk ka autoritetin t’i mbivendosë vendimet e tyre. Klauzola kushtetuese që rregullon zhvillimin e zgjedhjeve, i jep çdo shteti të drejtën të përcaktojë mënyrën se si organizohen dhe administrohen proceset e veta zgjedhore. Ky parim i federalizmit, u shndërrua në një mburojë institucionale përballë prirjeve autoritare të zotit Trump.

Grupi i dytë që u vu në mbrojtje të demokracisë këtë vit, ishte ai i juristëve dhe organizatave që ofrojnë mbrojtje ligjore. Sa herë që Trump u përpoq të ndërhynte në procesin zgjedhor – përmes urdhrave ekzekutivë që synonin ta ndërlikonin regjistrimin e votuesve, t’u ndalonin shteteve numërimin e disa fletëve të votimit të dërguara me postë dhe t’i jepnin Shërbimit Postar kompetencën për të vendosur se cilët votues do të merrnin fletëvotime në adresat e tyre – këto organizata reaguan me shpejtësi, duke ngritur padi në gjykatë.

Mes tyre ishin Brennan Center, Unioni Amerikan për Liritë Civile (ACLU), Lidhja e Grave Votuese, organizata Common Cause dhe prokurorët e përgjithshëm të disa shteteve të drejtuara nga demokratët.

Disa prej studiove ligjore më prestigjioze, kanë ngurruar gjatë dy viteve të fundit të marrin në mbrojtje abuzimet ligjore të administratës Trump, duke e bërë edhe më të rëndësishme punën e organizatave jofitimprurëse në mbrojtje të rendit kushtetues.

Paditë patën shpesh sukses falë grupit të tretë: gjyqtarëve federalë, të cilët këmbëngulën në zbatimin e ligjit dhe respektimin e Kushtetutës, pavarësisht përpjekjeve të zotit Trump dhe aleatëve të tij për t’i frikësuar.

Gjyqtarë të emëruar nga presidentë të të dyja partive, përfshirë edhe nga vetë Trump, bllokuan pjesë thelbësore të urdhrave ekzekutivë që synonin të ndryshonin rregullat zgjedhore. Në 27 vendime radhazi të gjykatave federale të shkallës së parë, gjyqtarët hodhën poshtë kërkesat e Departamentit të Drejtësisë për t’u vënë në dispozicion listat e votuesve të shteteve.

Gjykata e Lartë meriton njëherazi vlerësime dhe kritika. Ajo gaboi kur dha vendime që i hapën rrugë manipulimit ekstrem partiak të kufijve të distrikteve elektorale në favor të republikanëve dhe përpjekjeve të administratës për të krijuar një regjistër kombëtar të votuesve.

Por gjyqtarët e saj ndërhynë gjithashtu për të mbrojtur të drejtën e amerikanëve për të votuar në zgjedhjet e kësaj vjeshte. Në shtator, gjykata la në fuqi një vendim të një gjykate më të ulët, i cili e ndalonte Shërbimin Postar të ndërmerrte masa që mund të kufizonin votimin përmes postës.

Ky vendim, u rikujtoi të gjithëve se edhe kjo gjykatë ka kufijtë e saj kur bëhet fjalë për procesin zgjedhor. Pas zgjedhjeve të vitit 2020, gjyqtarët refuzuan të shqyrtonin çështjet e ngritura mbi pretendimet e rreme të zotit Trump për manipulime zgjedhore.

Në javët e ardhshme, ata mund të detyrohen të rrëzojnë sërish pretendime të ngjashme.

Megjithatë, sfidat që e presin vendin nuk duhet të zbehin atë që amerikanët arritën këtë vit. Punonjësit e administratës zgjedhore, juristët dhe gjyqtarët mbrojtën rregullat që garantojnë integritetin e votës. Ndërkohë, dhjetëra miliona qytetarë u paraqitën në qendrat e votimit për të ushtruar të drejtën e tyre më themelore demokratike.

Amerikanët treguan dje se pushteti për të zgjedhur udhëheqësit u përket atyre dhe askujt tjetër.

Tani, detyra e tyre është të mbeten vigjilentë deri në certifikimin zyrtar të çdo gare dhe marrjen e detyrës nga fituesit.

Demokracia nuk mbrohet vetëm ditën e zgjedhjeve. Ajo kërkon vëmendje, përgjegjësi dhe qëndrueshmëri institucionale çdo ditë./ “The New York Times”

Advertisement