✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Nafta godet xhepat e shqiptarëve, benzina surprizon me uljen! Bordi ndryshon çmimet

Bordi i Transparencës ka ndryshuar sërish çmimet e karburanteve në Shqipëri. Me vendimin e marrë këtë të mërkurë, nafta shtrenjtohet me 4 lekë për litër, ndërsa benzina pëson ulje me 7 lekë për litër.

Konkretisht, nafta, e cila deri më tani tregtohej me 212 lekë për litër, do të shitet me një çmim maksimal prej 216 lekësh për litër. Ndërkohë, benzina do të ulet nga 179 në 172 lekë për litër.

Sipas njoftimit zyrtar, çmimet e reja janë miratuar në mbledhjen e Bordit të Transparencës të datës 4 nëntor 2026 dhe hyjnë në fuqi sot, në orën 14:00. Ato do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme, kur do të rishikohen në varësi të ndryshimeve në treg.

Bordi ka përcaktuar gjithashtu çmimet maksimale të shitjes me shumicë: 204 lekë për litër për naftën dhe 160 lekë për litër për benzinën.

Autoritetet u kanë rikujtuar operatorëve të tregtimit të karburanteve detyrimin për të zbatuar çmimet e përcaktuara, duke paralajmëruar se në rast shkeljesh do të merren masa deri në pezullimin e aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarojnë se synojnë mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

Advertisement