✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

NGA PROTESTA ÇEL NJE PARTI/ POLITOLOGU: KA NJE DESHIRE TE MADHE POR ESHTE AKOMA SHUME SHPEJT

Politologu Ermal Hasimja, në një intervistë për emisionin “Të Pashoq” në kanalin e YouTube të “Pamfletit”, ka folur për mundësinë e shndërrimit të protestave studentore në një lëvizje të re politike, që mund të sfidojë dy partitë kryesore në vend, PS dhe PD.

I pyetur nëse protestat mund të shndërrohen në një forcë të re elektorale jashtë Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, Hasimja u shpreh se aktualisht është ende herët për një zhvillim të tillë, për shkak të dallimeve ideologjike dhe mungesës së një platforme të përbashkët.

“Në këtë moment duket pak e vështirë. Ekziston ai tharmi, ndoshta edhe vrulli ose dëshira, por në këtë moment duket pak e vështirë. Sepse ka elementë të ndryshëm, ideologji të ndryshme, qëndrime të ndryshme. E vetmja gjë që i bashkon njerëzit në protestë është dëshira për të parë Ramën që të largohet. Por kjo nuk mjafton për të pasur një parti politike”, deklaroi Hasimja.

Sipas tij, krijimi i një force të re politike mund të diskutohet vetëm pasi protestuesit të kenë qartësuar qëndrimet, projektet dhe objektivat e tyre. Duke folur për Forumin e Dialogut Politik, të cilin e ka ngritur së bashku me pedagogë dhe të rinj, Hasimja sqaroi se nisma nuk synon aktualisht të shndërrohet në parti politike.

“Ne jemi të gjithë në protestë, por nuk jemi organizatorët e protestës. Po përpiqemi ta ndihmojmë protestën. Mendojmë që në këtë moment mund të japim një kontribut shumë më të vlefshëm si forum sesa po të shndërroheshim në parti politike. Parti politike ka plot për momentin, nuk është se do të shtonim diçka të re”, tha ai.

Politologu theksoi se çdo diskutim për një shndërrim të mundshëm të forumit në forcë politike mund të zhvillohet vetëm pas zgjedhjeve lokale. Një nga momentet më të rëndësishme të intervistës ishte përgjigjja e Hasimjes lidhur me mundësinë që studentët t’i propozonin të ishte përfaqësuesi i tyre në zgjedhje.

Ai shpjegoi se Forumi i Dialogut Politik përbëhet nga rreth 30 anëtarë, prej të cilëve afërsisht 20 janë pedagogë, ndërsa pjesa tjetër studentë ose të sapodiplomuar, disa prej të cilëve kanë qenë të përfshirë edhe në organizimin e protestave studentore. Sipas Hasimjes, prioriteti i momentit nuk duhet të jetë përzgjedhja e kandidatëve për zgjedhje, por organizimi dhe strukturimi i lëvizjes studentore.

“Ajo që është kryesorja dhe më e rëndësishmja për studentët organizatorë të protestës në këtë moment është pjesa e strukturimit, e organizimit, e qartësimit të mënyrës sesi duan të funksionojnë, të planit të tyre, të një lloj strategjie të tyre. Kjo është pjesa më e rëndësishme”, theksoi ai.

Në lidhje me mundësinë që nga protestat të lindë një lëvizje që do të sfidonte atë që u cilësua në intervistë si duopoli politik PS-PD, Hasimja u shpreh se nevojitet një organizim më i konsoliduar dhe një program i qartë.

“Një lëvizje që do ta sfidonte në mënyrë të shëndoshë duopolin në politikën shqiptare, PD-PS, do të duhej të ishte shumë më e qartë nga pikëpamja e një platforme, e një programi, por edhe një lloj kohezioni, një lloj ngjizjeje të brendshme”, deklaroi politologu.

Pjesë nga intervista:

-Në fokus këtë herë kemi, padyshim, protestat dhe zhvillimet rreth e rrotull tyre. Kam kënaqësinë të kem në studio Ermal Hasimja, politolog.   Tani, cili është drejtimi i protestës studentore, po marrin çdo ditë e më shumë përmasa politike. A jemi përballë një mundësie reale, konkrete që kjo të shndërrohet në një lëvizje të re elektorale jashtë Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike?

Ermal Hasimja: Në këtë moment duket pak e vështirë, ekziston ai tharmi, ndoshta edhe vrulli ose dëshira, por në këtë moment tani afërm duket pak e vështirë. Sepse ka le të themi elementë të ndryshëm, ideologjira të ndryshme, qëndrime të ndryshme. E vetmja gjë që i bashkon njerëzit në protestë është dëshira për të parë Ramën që të largohet. Por kjo nuk mjafton për të pasur një parti politike. Në momentin që qartësohen gjërat, fillon edhe ka pastaj një lloj saktësimi të vendosjeve ideologjike, qëndrimeve, po edhe planeve, projekteve pastaj brenda protestës, aty po, mund të mendohet pastaj për parti politike. Po tani është pak herët me thënë të vërtetën.

-Tani, ju keni përgatitur edhe, forumin, keni ngritur Forumin e Dialogut Politik. Mos po e përgatisni terrenin për një forcë politike?

Ermal Hasimja: Forumi i Dialogut është gjë tjetër. Natyrisht ne jemi të gjithë në protestë, por natyrisht që nuk jemi ne organizatorët e protestës. Po përpiqemi ta ndihmojmë protestën me thënë të vërtetën. E njëjta gjë është edhe me forumin, por në një kuptim tjetër. Ideologjikisht brenda forumit janë të gjithë të qartë edhe në unison. Por mendojmë që në këtë moment mund të japim një kontribut shumë më të vlefshëm si forum sesa po të shndërroheshim në parti politike. Parti politike ka plot për momentin, nuk është se do shtonim diçka të re. Kështu që qoftë edhe do të shndërrohet në parti politike ky diskutim do shtrohej minimalisht mbas zgjedhjeve lokale. Por tani është shumë herët për ta, për ta diskutuar edhe brenda grupit.

-Po nëse studentët për shembull do ju propozonin, do të dëshironin që ju të ishit përfaqësuesi i tyre në, në zgjedhje, a do të pranonit?

Ermal Hasimja: Po. Varet cilat janë kriteret që do shtroheshin për diskutim pastaj, por po, në parim po. Por, por nuk jemi aty. Nuk është ai, nuk është ai diskutimi kryesor. Ajo që është më urgjente për studentët dhe më e rëndësishme, dhe këtu po përpiqemi t’i ndihmojmë, sepse forumi është, është ekip pedagogësh praktikisht. Janë 30 veta, nga të cilët nja 20 janë pedagogë, edhe pjesa tjetër janë studentë. Ish-studentë në fakt, sepse sapo janë diplomuar, një a dy janë akoma studentë, madje organizatorë të atyre protestave të atyre të 2018-ës, ose dhe të këtyre të qershorit. Kështu që në këtë aspekt ne jemi shumë të lidhur dhe shumë afër me studentët. Por ajo që është kryesorja dhe më e rëndësishmja për studentët organizatorë të protestës në këtë moment është pjesa e, e strukturimit, e organizimit, e qartësimit të mënyrës sesi duan të funksionojnë, të planit të tyre, të një lloj strategjie të tyre. Kjo është pjesa më e rëndësishme. Ajo e kandidatëve pastaj ka kohë, qoftë për zgjedhjet lokale, qoftë për të tjerat më vonë.

-Sa shanse ka që të vijë krijimi i kësaj lëvizjeje studentore dhe realisht ta sfidojë vërtet monopolin politik Rama-Berisha?

Ermal Hasimja: Mendoj se duhet pak më tepër sesa thjesht një lëvizje kështu siç është tani. Mendoj që një lëvizje që do ta sfidonte në mënyrë të shëndoshë duopolin, le të themi, në politikën shqiptare, PD-PS, do të duhej të ishte një lëvizje që do të duhej të ishte shumë më e qartë nga pikëpamja e një platforme, e një programi, po edhe një lloj kohezioni, një lloj ngjizjeje të brendshme. Nuk është akoma momenti për këtë gjë, kështu që do të duhet të flasim për këtë, do të duhet ta shohim këtë si probabilitet ose si potencial pak më vonë, atëherë kur ta kemi të qartë të gjithë se cili është plani, platforma dhe idetë pak më konkrete, dhe organizimi dhe struktura e protestës.

Advertisement