Kosova
Katër ditë pranë familjes/ Flet djali i Jakup Krasniqit: Babai është mirë me shëndet
Djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, ka reaguar pas kthimit të babait të tij në Hagë, në përfundim të vizitës katërditore në Kosovë, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë familjes në këtë periudhë të vështirë.
Në një prononcim për mediat, Altin Krasniqi bëri të ditur se vizita ishte veçanërisht e rëndësishme për shkak të gjendjes shëndetësore të nënës së tij, Sevdije Krasniqi. Ai konfirmoi gjithashtu se ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës është në gjendje të mirë shëndetësore.
Jakup Krasniqit iu lejua qëndrimi katërditor në Kosovë nga Dhomat e Specializuara në Hagë, për arsye të forta humanitare, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Gjatë kësaj periudhe, ai kaloi disa orë çdo ditë pranë familjes në banesën e tij në lagjen Velania të Prishtinës, ndërsa natën qëndronte në ambientet e EULEX-it në Fushë Kosovë.
Vizita u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, me përcjelljen e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Pas përfundimit të afatit të lejuar, Krasniqi u rikthye në Hagë, ku vijon të mbahet në kuadër të procesit gjyqësor.