✦
Thinking ...
Connect with us

Sport

Liga e Kombeve/ Haaland i jep goditje DanimarkEs, Portugalia “skuqet” por rikthehet te fitorja

Tetë skuadrat çerekfinaliste të Ligës së Kombeve janë tashmë të përcaktuara. Portugalia dhe Norvegjia janë dy përfaqësueset e fundit që kanë siguruar një vend mes tetë më të mirave, pas dy ndeshjeve spektakolare të zhvilluara në mbrëmjen e sotme.

Portugalia ka triumfuar 2-3 në transfertën ndaj Uellsit, në një sfidë të mbushur me emocione. Bruno Fernandes, Pedro Neto dhe Carlos Forbs ishin autorët e golave për luzitanët, të cilët arritën të ruanin avantazhin edhe pse luajtën me një lojtar më pak në minutat e fundit.

Pedro Neto u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 72-të, duke lënë Portugalinë në inferioritet numerik. Megjithatë, rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën përfundimtare dhe skuadra e drejtuar nga trajneri portugez festoi fitoren 2-3 dhe kualifikimin.

Spektakël i vërtetë u dhurua edhe në Copenhagen, ku Norvegjia përmbysi Danimarkën në një derbi nordik që përfundoi me rezultatin 2-3.

Danezët e nisën në mënyrë perfekte takimin, duke kaluar në avantazh të dyfishtë brenda vetëm 13 minutave. Rasmus Hojlund në minutën e 11-të dhe Pierre-Emile Hojbjerg dy minuta më vonë ndezën festën në stadium.

Por Norvegjia nuk u dorëzua. Erling Haaland ngushtoi diferencën që në pjesën e parë, ndërsa Martin Odegaard riktheu baraspeshën në minutën e 83-të, duke e çuar rezultatin në 2-2.

Kur gjithçka dukej se do të përfundonte në barazim, Haaland mori sërish rolin e protagonistit. Sulmuesi norvegjez u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutat shtesë, duke realizuar golin e fitores 2-3 dhe duke vulosur një përmbysje të jashtëzakonshme.

Norvegjia dhe Danimarka e mbyllën grupin me nga 9 pikë, por triumfi në përballjen direkte i dha skuadrës së Haalandit avantazhin vendimtar dhe biletën për në çerekfinale.

Kështu, tashmë janë zyrtarizuar tetë kombëtaret që do të vijojnë garën për trofeun e Ligës së Kombeve: Franca, Belgjika, Anglia, Spanja, Gjermania, Holanda, Portugalia dhe Norvegjia.

Advertisement