✦
Thinking ...
Connect with us

Sport

Kartoni i kuq dhe dy penallti fundosin Kosoven; “Dardanet” nuk ia dalin ne Dublin

Kosova e mbyll me një humbje të hidhur aventurën në Ligën e Kombeve. Dardanët u mposhtën me rezultatin e pastër 3-0 nga Irlanda, në ndeshjen e fundit të grupit, duke e përfunduar këtë edicion në vendin e tretë me 6 pikë.

Një rezultat që i lë kosovarët në Ligën B dhe, me shumë gjasa, i pozicionon në vazon e tretë për shortin e eliminatoreve të Euro 2028.

Ndeshja mori një kthesë dramatike në minutën e 26-të. Kreshnik Hajrizi përsëriti gjestin e famshëm të Luis Suarezit, duke ndalur me dorë një top që po shkonte drejt rrjetës. Arbitri nuk hezitoi: karton i kuq për mbrojtësin e Kosovës dhe penallti për vendasit.

Nga pika e bardhë u tregua i saktë Troy Parrott, i cili kaloi Irlandën në avantazh 1-0. Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë.

Në fillimin e fraksionit të dytë, Irlanda goditi sërish nga 11-metërshi. Këtë herë shkak u bë një ndërhyrje e portierit Arijanet Muric ndaj Parrott, ndërsa sulmuesi irlandez mori përsipër ekzekutimin dhe nuk gaboi, duke realizuar golin e dytë personal dhe të skuadrës.

Për të vulosur përfundimisht triumfin mendoi Jack Moylan. Në minutën e 75-të, ai dërgoi topin në rrjetë me kokë, duke fiksuar rezultatin përfundimtar 3-0.

Në takimin tjetër të grupit, Izraeli dhe Austria ndanë nga një pikë pas barazimit 1-1.

Advertisement