✦
Thinking ...
Connect with us

Kosova

Mes lotësh dhe përqafimesh, Jakup Krasniqi largohet nga familja dhe kthehet në Hagë

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është larguar sot nga Prishtina për t’u kthyer në Hagë, pas përfundimit të vizitës katërditore pranë familjes. Largimi i tij është shoqëruar me momente emocionuese, me përqafime dhe lot mes familjarëve, ndërsa djali i tij, deputeti Altin Krasniqi, e ka përcjellë deri te dera e banesës.

Krasniqi kishte ardhur në Kosovë me lejen e Dhomave të Specializuara, për të qëndruar pranë bashkëshortes, e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjatë katër ditëve, ai kaloi disa orë çdo ditë në banesën e familjes në lagjen Velania të Prishtinës.

Sot, ai u largua me automjetet e EULEX-it, ndërsa pranë banesës ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Vizita u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe me kufizime në kontaktet me të afërmit.

Vëllai i tij, Daut Krasniqi, deklaroi se nuk kishte mundur ta takonte dhe se nuk i ishte lejuar t’i afrohej banesës. Sipas tij, familjarët kishin frikë se një përpjekje për të kontaktuar Jakup Krasniqin jashtë kushteve të përcaktuara mund të çonte në ndërprerjen e vizitës.

Për kufizimet reagoi edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati. Në një postim në Facebook, ai kritikoi trajtimin e Krasniqit dhe të ish-krerëve të tjerë të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar të padrejtë kufizimin e takimeve me familjarët.

Kjo ishte vizita e dytë e Jakup Krasniqit në Kosovë që prej arrestimit në nëntor të vitit 2020. Në tetor të vitit 2024, ai ishte kthyer për të marrë pjesë në ceremonitë pas vdekjes së vëllait të tij, Azem Krasniqi, dhe kishte vizituar edhe varrin e tij në Negroc të Drenasit.

Jakup Krasniqi mbahet në paraburgim në Hagë që prej nëntorit 2020. Në shkallën e parë, Gjykata Speciale e dënoi me 25 vjet burgim për krime lufte. Në të njëjtin proces u dënuan edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Vendimi pritet të kundërshtohet në apel nga ekipet mbrojtëse.

Advertisement