Pinknews
Moderatorja e njohur shqiptare del me reagimin e fortë pas protestave për vrasjen e Klodian Rashës: E treguat veten që keni një grusht qymyr në vend të zemrës!
Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha ka shkaktuar trazira në vend dhe ka sjellë edhe mjaft reagime të ndryshme.
Në lidhje me gjithë këto ka reaguar edhe moderatorja e sportit, Eva Murati. Kjo e fundit iu është kthyer kundër të gjithë atyre që u ndjenë keq për djegien e një peme dhe nuk folën asgjë për jetën e një të riu.
“Kronikë e javës që lamë pas Kur dëgjova për herë të parë për ngjarjen, ende para se të zbulohej emri i të ndjerit, pata një dëshpërim tejet të thellë. Ndoshta për shkak të moshës së njëjtë mendova që Klodianin do ta kisha njohur diku, në 9-vjeçare, gjimnaz apo fakultet. Ngushëllimi i familjes mu duk veprimi i duhur. Pas tronditjes që ndjen kur një bashkëmoshatari yt ka humbur jetën, pa faj, tmerrohesh nga realiteti sesi po përshkallëzon situata. A nuk e kuptoni që jemi të gjithë të lënduar dhe DHUNA PO SJELL DHUNE! Kush mban përgjegjësi për gjithë këtë dhunë? Kush mban përgjegjësi për gazin lotsjellës që po thith çdo banor, i madh i vogël, i Tiranës? E urrej vandalizmin po realisht treguat veten që keni një grusht qymyr në vend të zemrës ju që reaguat për pemën para jetës së një të riu!
E gjithë kjo situatë na ka tmerruar por edhe na ka zgjuar! Ky është mllef i akumuluar për padrejtësi ndër vite! Po si kemi ardhur deri këtu? A kemi reaguar kur e shohim qartë se pjesa me e madhe e intelektualeve po shkojnë në mërgim? Po kur dëgjojmë se në Europe shqiptaret kane statusin e dealerit te drogës? Po që jemi vend që prodhojmë naftë dhe serish kemi çmimin më të lartë të naftës në rajon? A kemi reaguar thjesht kur shohim të promovohet prostitucion dhe degjenerim në mediat tona? A kemi reaguar kur uniforma e policisë zhvlerësohet nga një rrogë e ulet dhe rëndom dëgjon njerëz të mburren sa herë korruptojnë një polic? A kemi reaguar për çmimet jashtë realitetit shqiptar të banesave? Po për nepotizmin që e sheh në çdo zyrë? Po për faktin që në gjithë këtë Shqipëri qenka kaq e vështirë të gjesh njerëz pa të kaluar kriminale për të vënë në poste të rëndësishme?
Këto i them si një njeri pa parti por si dikush që ndërgjegjja qytetare e bën që fajin së pari ta kërkojë tek vetja! Nëse nuk reagojmë çdo ditë, si për gjëra të mëdha ashtu edhe për të vogla, për të mbrojtur të drejtat tona qytetare atëherë ose pranojmë çizmen Orwelliane ose durojmë derisa shpërthejmë në këtë mënyrë!
Me dashamirësi ju rikujtoj që ka baballarë e vëllezër aty jashtë që e nderojnë uniformën policore ashtu siç fatkeqësisht ka edhe nga ata qe e përdhosin dhe ia humbin nderin! E mbyll ashtu siç e nisa, duke shprehur ngushëllimet për familjen Rasha, Zoti jua lehtësoftë dhembjen! Jeni në lutjet e çdo shqiptari! “, shkruan Eva.