Politike
Investim prej 2 mld dollarë/ Rama: Mbyllëm negociatat
Pas thuajse 3 vjet rrugëtimi me analiza e debate, qeveria shqiptare ka mbyllur negociatat për ndërtimin e portit turistik të Durrësit. Në praninë e investitorit dhe zhvilluesit me famë botërore Muhammed El Alabbar dhe kryeministrit Edi Rama, u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”, që do të jetë porti më i madh turistik i Mesdheut.
Ndërsa kryeministri Edi Rama theksoi se është hera e parë që Shqipëria nënshkruan një kontratë të këtyre përmasave. Teksa bëri krahasim me Portin e Malit të Zi dhe e cilësoi si një perlë që bëri të mundur që vendi fqinj të ketë pagat më të larta në rajon, u shpreh me bindje se nuk do të ketë asnjë krahasim me Portin turistik të Durrësit që do të jetë binjak i marinës së Dubait. Rama iu përgjigj edhe atyre që e kanë kritikuar duke thënë se nuk lanë gjë pa thënë për këtë projekt, por nënshrkimi i memorandumit tregon njëherë e mirë se projektet realizohen.
“Port of Montenegro është një perlë por nuk ka asnjë krahasim me atë që do të kemi në Durrës. Do të jetë port binjak i marinës së Dubait, e cila është ndërtuar dhe kujdeset personalisht investitori ynë. Ky port hap një perspektivë të re”, tha Rama.
Projekti i ri do të transformojë atë në një port model, me potenciale dhe kapacitete në Ballkanin Perëndimor. Në projekt përfshihet edhe ndërtimi i Portit të Thatë që do sjellë ndërtimin e hekurudhës që lidh Durrësin me Prishtinën, i cili është parashikuar të ketë një terminal, ku do përpunohen 100 mijë kontejner deri në 2050.
Impakti i investimit të portit turistik të Durrësit që kryhet nga kompania që ndërtoi Portin e Dubait dhe ka autorësinë e ndërtimeve më spektakolare në Emiratet e Bashkuara e në plot vende të botës, do të ndryshojë thelbësisht ekonominë e qarkut të Durrësit, si edhe do të krijojë një efekt ekonomik zinxhir në krejt bregdetin shqiptar, ku ka nisur ndërtimi i portit të ri turistik të Sarandës, do të nisë deri në qershor ndërtimi i portit të ri turistik të Vlorës dhe sipas Planit 2021-2025 do të nisë brenda vitit 2023 ndërtimi i portit të ri turistik të Shëngjinit.