Aktualitet
Aktivisti me akuza për organizatorët në protestë: Pse po e sulmoni SPAK-un, mos vallë ata pas jush kanë dosje?!
Protestat e qytetarëve kanë hyrë në ditën e 48-të të tyre. “Revolucioni Flamingo”, ashtu sikurse u pagëzua që në fillimet e tij, vijon të mbajë në qendër të kërkesave dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Megjithatë, ndërsa protestat vazhdojnë të zhvillohen, nuk kanë munguar as debatet dhe përplasjet mes vetë figurave që i mbështesin apo i ndjekin nga afër.
Së fundmi ka reaguar sërish aktivisti Taulant Muka, i cili ashtu si edhe më herët, ka kritikuar ata që ai i cilëson si “çeta e mikrofonit”. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Muka ka vënë në pikëpyetje jo vetëm mënyrën se si organizohet protesta dhe mesazhet që përcillen nga folësit në podium, por edhe qasjen e tyre ndaj institucioneve të drejtësisë.
Sipas tij retorika e përdorur në protestën e fundit është përqendruar sërish te sulmet ndaj SPAK-ut, teksa nuk ka “kursyer” as akuzat për mungesë të njohurive elementare mbi funksionimin e procedurave ligjore.
Për të përforcuar dhe këtë qëndrim të tijin aktivisti argumenton se kërkesat për arrestimin e zyrtarëve të lartë nuk varen nga Prokuroria e Posaçme, por në rastin e deputetëve, heqja e imunitetin është një kompetencë që i takon Parlamentit.
“Çeta e mikrofonit vazhdoi edhe dje me parullat anti-SPAK. Pasi bënë show dhe u tallën me qytetarët duke çuar në SPAK një libër, e jo një kallëzim penal, tani vazhdojnë të pyesin pse SPAK nuk e fut në burg Belinda Ballukun apo Edi Ramen?!
A kanë njohuritë bazë ligjore? A e dinë se heqja e imunitetit të një deputeti nuk është në dorën e SPAK-ut, por është kompetencë e Parlamentit? Fajin SPAK e ka që parlamenti nuk i heq imunitetin Ballukut?!”, shkruan Muka, duek ngritur kështu dyshime dhe mbi arsyet e sulmeve të vazhdueshme ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe lënë të kuptohet se pas kësaj retorike mund të fshihen interesa personale të individëve, që sipas tij qëndrojnë pranë organizimit të protestës.
Reagimi i plotë i Taulant Mukës:
Çeta e mikrofonit vazhdoi edhe dje me parullat anti-SPAK. Pasi bënë show dhe u tallën me qytetarët duke çuar në SPAK një libër, e jo një kallëzim penal, tani vazhdojnë të pyesin pse SPAK nuk e fut në burg Belinda Ballukun apo Edi Ramen?!
A kanë njohuritë bazë ligjore? A e dinë se heqja e imunitetit të një deputeti nuk është në dorën e SPAK-ut, por është kompetencë e Parlamentit? Fajin SPAK e ka që parlamenti nuk i heq imunitetin Ballukut?!
Pse ky irritim i vazhdueshëm ndaj SPAK-ut? Mos vallë disa nga njerëzit që qëndrojnë pas kësaj çete kanë dosje në SPAK?
Koha do ta tregojë