Connect with us

Kosova

Alfa dhe Omega/ Paqja në Ukrainë të fillojë nga anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në NATO

Edward Joseph, ligjërues në Shkollën për Studime të Avancuara në “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara, ka sugjeruar se presidenti amerikan, Donald Trump, mund të përdorë konfliktin Kosovë-Serbi si levë strategjike për të rikthyer dinamikën diplomatike mbi Ukrainën dhe për të rritur avantazhin e SHBA-së ndaj Rusisë.

Shtëpia e Bardhë mund të propozojë një marrëveshje të përkohshme për territoret e kontestuara të Ukrainës, në bazë të modelit të Rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Joseph ka nënvizuar gjithashtu se ky model mund të sjellë përfitime edhe në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për Kosovën dhe Serbinë.

Duke ofruar anëtarësim në NATO për Kosovën dhe Serbinë, presidenti Trump mund të rrëzojë ‘neutralitetin ushtarak’ të Beogradit dhe të nxisë presion ndaj Moskës, duke e izoluar Serbinë nga ndikimi rus dhe duke zgjeruar ndikimit amerikan në rajon.

Ai ka vlerësuar se oferta e anëtarësimit në NATO – alfa dhe omega për kosovarët – do të detyrojë cilindo kryeministër të Kosovës që të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por pa pasur nevojë që Serbia ta njohë zyrtarisht Kosovën.

Joseph ka argumentuar mes tjerash se kjo do të zbuste tensionet në Kosovë, do të reduktonte nevojën për praninë ushtarake të SHBA-së dhe NATO-s, dhe do të krijonte një model për zgjidhjen e krizave të ardhshme territoriale. Ai ka shtuar se njohja e Kosovës nga vendet mosnjohëse të Bashkimit Evropian dhe integrimi i saj eventual në NATO, mund të krijojnë një precedent të fuqishëm diplomatik për Ukrainën.

Advertisement