Kronike
Alket Rizai në qendër të hetimeve për një vrasje në burgun grek, kamerat e sigurisë zbulojnë lëvizjet e tij
Alket Rizai, i cili vijon të jetë në kërkim nga autoritetet greke pasi nuk u kthye në burgun e Domokosit, është përmendur edhe në hetimet për vrasjen e një të burgosuri në këtë institucion.
Bëhet fjalë për Antonis Papadatos, i cili më 15 shkurt 2026 u qëllua për vdekje me tre plumba në kokë, brenda burgut. Sipas mediave greke, pamjet e kamerave të sigurisë dhe disa dëshmi e vendosin Rizain pranë ambientit ku ndodhi krimi.
Sipas televizionit grek SKAI, një i burgosur bullgar, i dyshuar për vrasjen, e kishte nxjerrë Papadatosin nga sektori ku qëndronte dhe e kishte shoqëruar drejt zyrës së sigurisë. Në të njëjtën kohë, drejt këtij ambienti ishte nisur edhe Rizai, së bashku me disa të burgosur të tjerë.
Hetuesit kanë sekuestruar rrobat dhe këpucët e Rizait. Mediat greke raportojnë se ekspertiza kriminalistike ka gjetur gjurmë gjaku në këpucët e tij dhe gjurmë baruti në veshje. Rizai i ka mohuar akuzat dhe thotë se nuk ka qenë në dhomën ku ndodhi vrasja.
Pavarësisht këtyre të dhënave të raportuara nga mediat, Rizai nuk është akuzuar për vrasjen e Papadatosit dhe në këtë dosje ka statusin e dëshmitarit.
Ndërkohë, ai vijon të jetë në kërkim pasi nuk u kthye në burg pas përfundimit të një lejeje shtatëditore. Autoritetet greke dyshojnë se mund të jetë larguar drejt Shqipërisë, por kjo pistë nuk është konfirmuar.
Emri i Rizait është përmendur gjithashtu në një incident me armë në një lokal në Anavyssos, më 13 shtator, ku dy persona mbetën të plagosur. Një ditë më pas, ai nuk u paraqit në burg dhe u shpall në kërkim.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për vendndodhjen e tij, si dhe për rrethanat e incidenteve në të cilat emri i tij është përfshirë.