Politike
Arrestohet aktivistja pas denoncimit? Reagon ashpër Iris Luarasi: Fake news…
Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka reaguar pas përhapjes së një lajmi që ajo e cilëson të pavërtetë, sipas të cilit një aktiviste e protestës është shoqëruar në polici pas një denoncimi të bërë prej saj.
Luarasi e ka mohuar kategorikisht këtë pretendim, duke sqaruar se shoqërimi i protestueses, sipas saj, lidhet me një tjetër incident të ndodhur gjatë protestës. Deputetja deklaron se bëhet fjalë për sulmin ndaj automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi dhe dëmtimin e pasqyrës së automjetit.
“Protestuesja është shoqëruar në komisariat lidhur me sulmin ndaj automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi dhe dëmtimin e pasqyrës së tij dhe s’ka lidhje fare me mua”, shkruan Luarasi.
Deputetja ka akuzuar gjithashtu disa media dhe faqe online për manipulim dhe përhapje të lajmeve të rreme. Ajo thotë se deri tani nuk ka ndërmarrë hapa ligjorë ndaj personave që, sipas saj, e kanë denigruar një ditë më parë.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Luarasi lidhet me përdorimin e fotografisë së saj të montuar mbi trupin e një gruaje tjetër. Ajo e cilëson këtë veprim si “poshtërim publik dhe dhunë digjitale ndaj një gruaje”.
“Kur kësaj i shtohet edhe një lajm i rremë, nuk kemi më as informim, as satirë dhe as gazetari”, shprehet Luarasi, duke shtuar se gazetaria duhet të bazohet te e vërteta dhe verifikimi i informacionit.
Reagimi i deputetes vjen në një kohë kur protestat dhe përplasjet mes protestuesve dhe përfaqësuesve politikë kanë qenë në qendër të debatit publik.