Shkrime
Aventura iraniane e Donald Trump/ Presidenti po sillet me Iranin si një biznesmen kazinoje
Shkruar nga Gjergj Zefi
Donald Trump po sillet me Iranin si një biznesmen kazinoje që mendon se diplomacia funksionon me ultimatume televizive, kërcënime në Twitter dhe bombardime demonstrative.
Problemi është se Lindja e Mesme nuk është Manhattan-i, ndërsa Republika Islamike nuk është një kompani që falimenton pas një presioni mediatik. Çdo ditë që kalon, kriza me Iranin po ekspozon kufirin më të madh të Trump: mungesën dramatike të kulturës diplomatike dhe obsesionin për spektaklin.
Ai hyri në konflikt duke premtuar një “fund të shpejtë”, pastaj foli për bombardime masive, më pas për armëpushim, e tani për negociata sekrete.
Kjo nuk është strategji. Është improvizim. Dhe në diplomaci, improvizimi është forma më e rrezikshme e paaftësisë.
Trump duket se ende nuk e ka kuptuar një fakt historik që e dinë edhe studentët e vitit të parë të marrëdhënieve ndërkombëtare: regjimet autoritare në Lindjen e Mesme nuk rrëzohen nga sulmet ajrore. Përkundrazi, shumë herë bombardimet e jashtme i forcojnë ato duke prodhuar efektin e “rrethimit patriotik”.
Edhe analizat e fundit ndërkombëtare paralajmërojnë se lufta ka konsoliduar segmentet më radikale të regjimit iranian, në vend që ta dobësojë atë.
Sa herë Washingtoni kërcënon me “shkatërrim total”, Garda Revolucionare fiton oksigjen politik për të shtypur protestat dhe për të etiketuar çdo opozitar si “agjent amerikan”.
Historia moderne e Iranit e ka treguar qartë: kërcënimi i jashtëm gjithmonë ka prodhuar nacionalizëm mbrojtës. Ndërsa protestat e brendshme; ekonomike, sociale dhe politike, janë i vetmi mekanizëm që realisht ka tronditur themelet e regjimit. Protestat e viteve 2022–2026 kanë krijuar një erozion të thellë të legjitimitetit të Republikës Islamike, sidomos tek rinia urbane, gratë dhe shtresa e mesme iraniane.
Nëse Washingtoni do të kishte një strategji serioze dhe jo teatrale, fokusi nuk do të ishte tek raketat, por tek mbështetja politike dhe diplomatike për shoqërinë civile iraniane. Presioni ekonomik i targetuar ndaj elitave represive, izolimi diplomatik i Gardës Revolucionare, mbështetja për lirinë e informacionit dhe ekspozimi ndërkombëtar i krimeve të regjimit do të kishin më shumë efekt sesa çdo “show” bombardimesh për kamerat amerikane. Disa analistë perëndimorë e kanë thënë hapur se vetëm kombinimi i presionit ndërkombëtar me revoltën e brendshme mund të sjellë ndryshim në Iran.
Por Trump nuk mendon në terma afatgjatë. Ai mendon në edicione lajmesh 24-orëshe. Për këtë arsye politika e tij ndaj Iranit ngjan më shumë me një ‘reality show’ agresiv sesa me një doktrinë serioze të sigurisë kombëtare.
Në fund, problemi qëndron në faktin se a e ka durimin strategjik administrata e Trump, për të kuptuar se regjimet ideologjike nuk rrëzohen nga arroganca ushtarake, por nga kalbëzimi i brendshëm. Dhe ai kalbëzim në Iran tashmë ka nisur./
