✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Braçe i del kundër PS-së për shkrirjen e Bashkive, sfidon Kushin: Do flas edhe pa mikrofon!

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka shprehur rezerva në Kuvend lidhur me Reformën Territoriale, e cila pritet të hidhet për votim nga deputetët. Braçe, i cili më herët është raportuar se ka shprehur kundërshtime gjatë diskutimeve brenda grupit parlamentar të PS-së, deklaroi se reforma nuk është shoqëruar me transparencë të mjaftueshme.

Gjatë fjalës së tij, Braçe tha se vendi ka nevojë për një reformë të mirëfilltë dhe jo vetëm për ndryshimin e hartës territoriale. Sipas tij, argumentet e paraqitura në mbështetje të projektit janë kryesisht ekonomike dhe financiare, ndërsa mungojnë elementë të tjerë që lidhen me funksionimin dhe jetën e komuniteteve.

“Reforma, ndërkohë ky që kemi përpara është një ligj, që vizaton një hartë të re territoriale. Harta e provuar shumë herë është e përkohshme, e paqëndrueshme dhe si reformë tërësisht e pamjaftueshme”, deklaroi Braçe.

Ai kundërshtoi mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet ndryshimi i kufijve të njësive vendore, duke theksuar se vendimi do të ndikojë drejtpërdrejt te qytetarët.

“Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e njerëzve në 15 bashki. Madje ndryshojmë jetën e njerëzve edhe në bashkitë e tjera që ato po i përthithin. Por kaq me thjeshtësi e marrim ne ndryshimin e jetës së njerëzve, të cilët kanë bërë plane për jetën e tyre?”, u shpreh deputeti socialist.

Braçe e lidhi kundërshtimin e tij edhe me mungesën e transparencës që, sipas tij, ka shoqëruar procesin. Ai tha se ndryshimet territoriale kërkojnë argumente dhe të dhëna të plota për t’u bërë të qëndrueshme.

“Që të ndodhë kjo duhet transparencë efektive. Transparencë efektive nuk ka pasur, jo për shkak të ndarjes partiake këtu. Kur kriteret që justifikojnë këtë ligj janë të gjitha me karakter ekonomik e financiar. Mes lumit të informacionit që nuk u nda me ne, do ishte e udhës që informacioni të ishte korrekt”, deklaroi Braçe.

Deputeti ngriti gjithashtu shqetësime për decentralizimin dhe mënyrën se si janë transferuar kompetencat te pushteti vendor. Ai solli si shembull funksionet që lidhen me furnizimin me ujë, bujqësinë, zhvillimin rural dhe pyjet.

“Këto kompetenca u transferuan pa buxhet, ose me buxhet të pamjaftueshëm. Po 46 kompetenca kanë sot bashkitë. Një pjesë e madhe e tyre janë formale, për të mos thënë banale”, tha ai.

Braçe u ndal edhe te problematika e ujit të pijshëm dhe te situata në zonat rurale, duke kërkuar më shumë qartësi mbi përgjegjësitë dhe burimet financiare që shoqërojnë kompetencat e pushtetit vendor.

Në fund të fjalës së tij pati edhe një përplasje me drejtuesen e seancës, Evis Kushi. Pasi i kërkoi të përfundonte fjalën, Braçe vijoi të fliste, duke deklaruar se do ta vazhdonte edhe pa mikrofon.

Fjala e Braçes vjen në një moment kur Kuvendi pritet të votojë ndryshimet e propozuara për Reformën Territoriale, ndërsa brenda mazhorancës janë shfaqur edhe diskutime mbi mënyrën e organizimit të njësive të qeverisjes vendore.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by NTV Television (@ntv.al)

Advertisement