Shkrime
105 NENET E ANKTHIT/ ANDI BUSHATI: LAKU I DREJTESISE PER EDI RAMEN PO NGUSHTOHET
Ndryshimet e propozuara nga qeveria në Kodin e Procedurës Penale, sipas analistit Andi Bushati, nuk janë thjesht një ndërhyrje teknike në legjislacion, por një kthesë politike ndaj mënyrës se si ka funksionuar drejtësia në vitet e fundit.
Në analizën e tij, analisti Bushati argumenton se paketa e re vjen pas përplasjeve të forta mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, veçanërisht pas arrestimit të Erion Veliajt dhe pezullimit të Belinda Ballukut.
Në qendër të ndryshimeve, sipas tij, janë kufizimi i përdorimit të paraburgimit dhe zgjerimi i garancive procedurale për personat nën hetim. Bushati thekson se bëhet fjalë për një paketë të gjerë, me ndryshime në 105 nene, që prekin mënyrën e marrjes në pyetje, nisjen e procedimeve penale, përdorimin e përgjimeve dhe administrimin e të dhënave nga pajisjet elektronike të sekuestruara.
Sipas Bushatit, këto ndryshime mund të shihen si një përpjekje për t’i hequr drejtësisë, veçanërisht SPAK-ut dhe GJKKO-së, një pjesë të fuqive represive që iu zgjeruan pas reformës në drejtësi.
“Në thelb është një mbrojtje më e madhe dhe të drejta më të zgjeruara për ata që hetohen për krime të rënda apo që dyshohen si të pandehur”, shkruan Bushati.
Por analiza e tij shkon përtej përmbajtjes së ndryshimeve ligjore. Bushati e lidh këtë nismë me zhvillimet konkrete në politikën shqiptare dhe me faktin se drejtësia ka prekur gjatë viteve të fundit figura të rëndësishme të mazhorancës.
Ai argumenton se Rama, i cili në të kaluarën ka mbështetur një qasje shumë më të ashpër ndaj ndëshkimit penal, po ndryshon qëndrim në një moment kur hetimet dhe masat e drejtësisë kanë prekur njerëz pranë tij.
Bushati rikujton edhe retorikën e Ramës në fillimet e qeverisjes, kur kryeministri kërkonte publikisht dënime dhe masa të forta ndëshkuese.
“Ai që në fillim të mandatit të parë çirrej ekran më ekran me thirrjen ‘Burg, burg, burg’, duke e kërkuar atë që nga të vobektit që vidhnin energjinë e deri tek tifozët që hynin në fushën e futbollit, sot është shqetësuar për represivitetin e drejtësisë”, shkruan Bushati.
Megjithatë, analiza e tij merr një kthesë tjetër kur pranon se, pavarësisht motivimit politik që ai i atribuon qeverisë, ndryshimet mund të kenë edhe një efekt më të gjerë pozitiv.
Sipas Bushatit, përdorimi i gjatë i paraburgimit dhe mënyra e funksionimit të institucioneve të drejtësisë kanë ngritur shqetësime reale për respektimin e të drejtave të personave nën hetim.
Ai sjell në vëmendje rastet e disa figurave politike dhe publike që janë përballur me masa të gjata sigurie dhe argumenton se paraburgimi pa një vendim të formës së prerë nuk duhet të kthehet në një dënim paraprak.
“Mbajtja e tyre në burg pa një vendim gjykate të formës së prerë, për një kohë kaq të gjatë, nuk është normale”, argumenton Bushati.
Në këtë pikë, analisti e zhvendos debatin nga emrat konkretë te një problem më i gjerë i sistemit: rreziku që masa e jashtëzakonshme të kthehet në praktikë të zakonshme.
Sipas tij, çështja nuk lidhet vetëm me zyrtarë të lartë, por me mënyrën se si funksionon drejtësia për çdo qytetar që përballet me një procedim penal.
“Një makineri që mësohet të abuzojë, nuk di të ndalet më në këtë rrugë”, shkruan Bushati.
Në përfundim, analiza e tij mbërrin në një paradoks: edhe nëse ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale janë nxitur nga shqetësimet politike të mazhorancës dhe nga rastet që kanë prekur njerëz pranë saj, ato mund të prodhojnë pasoja përtej politikës.
Bushati e përkufizon këtë si një situatë ku një paketë e lindur, sipas tij, nga “ankthi i të pandehurit”, mund të shërbejë njëkohësisht si një mekanizëm mbrojtës për qytetarët përballë një drejtësie që ai e konsideron tepër represive.
Pra, sipas Bushatit, paradoksi është i madh: Rama mund të jetë duke kërkuar një mburojë për njerëzit e tij dhe për veten, por kjo mburojë mund të përfundojë duke mbrojtur edhe qytetarë që nuk kanë asnjë lidhje me politikën.
E PLOTE NGA ANDI BUSHATI
Ndryshimet drastike në Kodin e Procedurës Penale që prezantoi Edi Rama, janë një përpjekje për të shndërruar në ligj gjithë fushatën kundër prokurorëve dhe gjykatësve që ai ka ndërmarë, fill pas arrestimit të Erion Veliajt, por sidomos pas pezullimit të Belinda Ballukut.
Në epiqendër të saj është kufizimi maksimal i paraburgimeve pa vendime të formës së prerë si dhe fundi i masave të arrestit me burg për ata që dyshohen për vepra që dënohen më pak se 5 vite. Por krahas tyre, plot 105 nenet e ndryshuara synojnë mbrojtjen e të drejtave të atyre që dyshohen si të pandehur, që nga garancitë se si merren në pyetje, se si u fillon çështja penale, se si duhet të mbrohen nga dalja e përgjimeve që nuk kanë lidhje me çështjen apo se si u përdoret celulari i sekuestruar.
Këto dhe plot ndryshime të tjera dëshmojnë një vullnet tashmë të shpallur të kësaj mazhorance, për t’i hequr drejtësisë, por sidomos SPAK-ut dhe GJKKO-së, shpatën represive që i dhuruan në duar një dekadë më parë, atëherë kur u votua reforma e reformave. Thelbi i saj është një mbrojtje më e madhe dhe të drejta më të zgjeruara për ata që hetohen për krime të rënda apo që dyshohen si të pandehur.
Nuk ka dyshim se një nismë e tillë ligjore vjen pasi kosa e drejtësisë, pas së cilës shpesh fijet i luajnë ndërkombëtarët, ka shfarrosur shumë nga bashkëpunëtorët më të afërt të Edi Ramës.
Për të njëjtin represivitet, për të njëjtat fenomene si kultura e friksimit të qytetarit, kryeministri as që është kujtuar të shqetësohet më parë. Ai që në fillim të mandatit të parë, çirrej ekran më ekran me thirrjen “Burg, burg, burg”, duke e kërkuar atë që nga të vobektit që vidhnin energjinë e deri tek tifozët që hynin në fushën e futbollit. Ai që nuk u merakos kur ky represivitet u vu re ndaj Metës, Berishës apo Belerit, por në të kundërt kërkonte izolimin e tyre, më së paku është hipokrit në kujën që ka vënë tani.
Kushdo e ka të lehtë ta kuptojë se nisma për këtë paketë është marrë nga një njeri që ka frikë se laku po i ngushtohet përreth vetes. Edi Rama është i merakosur si për të gjitha Belat e veta, po ashtu edhe personalisht, ndaj po përpiqet të fitojë për të akuzuarit e deri sotëm dhe për ata që do të vijnë nesër, më shumë armë në betejën me drejtësinë. Pra, shkurt dhe shqip, kjo është një paketë që e ka burimin tek ankthi prej të pandehuri.
Por, sado paradoksale që të duket, duhet pranuar se nga kjo frikë dhe nga ky ankth burojnë edhe efekte pozitive. Me kulturën që trashëgoi nga diktatura dhe me forcën pa llogaridhënie që i dhuroi Reforma e 2016, drejtësia jonë shpesh e ka tejkaluar të drejtën e saj. Sado animozitet publik të ketë ndaj Erion Veliajt apo Ilir Metës, mbajtja e tyre në burg pa një vendim gjykate të formës së prerë, për një kohë kaq të gjatë, nuk është normale. Mesatarja e ditëve burgim pa gjyq, më të cilën të ndëshkojnë SPAK dhe GJKKO, pesfish më e lartë se ajo e vendeve evropiane, përbën një standart të pa tolerueshëm. Duke i fryrë fabulës së rreme të një drejtësie që do të godasë pandëshkeshmërinë, në Shqipëri u krijua një pushtet arbitrar të cilit më pak se gjithçka i interesojnë të drejtat dhe dinjiteti i personit. E këtu nuk është fjala vetëm për rastet e Beqajt apo Belerit, Kokës apo Salianjit, Veliajt apo Metës, Ballukut apo Berishës, por tek fakti se një makineri që mësohet të abuzojë, nuk di të ndalet më në këtë rrugë.
Dyfishin e ditëve në paraburgim, në krahasim me vendet e BE-së, plasjen në qeli pa respektim të drejtash, arbitraritetin e marrjes në pyetje, nënshtrimin e gjykatësit ndaj prokurorit, nuk i vuajnë vetëm zyrtarët e lartë apo paraardhësit e tyre, ato janë bërë tashmë një normë të cilës i nënshtrohen shumica. Prandaj ndonëse ndryshimet e fundit kanë qëllimin ekskluziv të lehtësojnë këta të fundit, ndonëse ato burojnë nga hallet e Gysit, Vlorës, Belës apo Lalit dhe frikës që Rama ndjen se mund t’i vijë radha pas tyre, ato kanë një efekt më të gjerë. Ky është një nga ato raste tipike ku ndonëse lideri mendon vetëm për prapanicën e vet, efekti që shkakton i bën mirë edhe një shumice njerëzish që mund të preken nga një drejtësi gjithnjë e më represive. Prandaj, duke qenë të ndërgjegjshëm se kjo paketë buron nga halli i Ramës, ajo duhet mbështetur si pasojë e efektit mburojë para drejtësisë represive, që krijon për një rreth të gjërë qytetarësh.