✦
Thinking ...
Connect with us

Rajon

I jepet lamtumira e fundit në SHBA katër viktimave, mes tyre edhe çifti shqiptar

Është përcaktuar ceremonia mortore për katër anëtarët e familjes Hoxha-Kirkpatrick, të cilët humbën jetën pas shpërthimit dhe shembjes së një ndërtese në Athinë.

Sipas njoftimit të familjes, homazhet për Florida Hoxhën, Florin Hoxhën, Eris Canin dhe Ian Alexander Kirkpatrick do të zhvillohen të mërkurën, më 7 tetor, nga ora 11:00 deri në 20:00, në Yorktown Funeral Home, në Shrub Oak të Nju Jorkut.

Ceremonia e varrimit do të mbahet të enjten, më 8 tetor, në orën 13:00, në Kensico Cemetery, në Valhalla, ku katër viktimat do të prehen në SHBA.

Ngjarja tragjike ndodhi mëngjesin e 25 shtatorit, në zonën historike të Plakës në Athinë. Një shpërthim i fuqishëm shkaktoi shembjen e një ndërtese dykatëshe, ku ndodheshin katër shqiptarët. Në total, nga ngjarja humbën jetën gjashtë persona.

Autoritetet greke vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e shpërthimit. Ndër pistat që po shqyrtohen është edhe mundësia e një rrjedhjeje gazi.

Florida Hoxha, 34 vjeçe, ishte motra e Florin Hoxhës, 36 vjeç. Ajo ndodhej në Greqi së bashku me bashkëshortin e saj, Ian Alexander Kirkpatrick, 37 vjeç. Çifti ishte martuar vetëm pak javë para tragjedisë dhe ndodhej në muajin e mjaltit. Sipas familjarëve, kthimi i tyre në Shtetet e Bashkuara ishte planifikuar pikërisht për ditën kur ndodhi shpërthimi.

Në ndërtesë ndodheshin edhe Florin Hoxha dhe bashkëshortja e tij, Eris Cani. Çifti priste fëmijën e parë, një vajzë, ndërsa Eris ishte rreth pesë muaj e gjysmë shtatzënë.

Pas tragjedisë, familjarët dhe miqtë në komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork do të mblidhen për t’u dhënë lamtumirën e fundit katër viktimave.

Advertisement