Connect with us

Shkrime

Bytyçi kundër Woelk: Parashikimi i saj i gabuar

Sipas asistentes në Parlamentin Evropian Federica Woelk, Kosovës i duhen 62 vjet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ndërsa Serbisë 40 vjet.

Se paku kështu ka parashikuar një projeksion mbi perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian të publikuar nga Woelk.

Por i këtij mendim nuk është profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, i cili e quan fantazi parashikimin.

“Unë e quaj këtë një lloj fantazie, sepse askush nuk e di si marrin ngjarjet dhe zhvillimet në Evropë, në botë e në rajonin tonë në periudha kaq të gjata. Mundet që deri atëherë të mos ketë as Bashkim Evropian. Madje ka ekspertë, të cilët e parashikojnë shpërbërjen e tij. Megjithatë, sipas meje, Bashkimi Evropian, vetë  duhet të bashkohet në kohezionin e tij të brendshëm, sepse është shumë i përçarë përsa i përket struktures, mendimit e veprimit të përbashkët” – deklaroi Bytyçi, sipas të cilit, “nëse e shohim nga këndvështrimi i sotëm gjendjen në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nëse situata nuk ndryshon, atëherë këto vende nuk meritojnë kurrë të bëhen pjesë e BE-së”

“Shihni Shqipërinë dhe Serbinë. Të dyja këto vende vuajnë nga auto dhe kleptokracia e tmerrshme, e cila po shndërrohet në diktaturë të mirëfilltë. E pranojnë apo jo vendet evropiane këtë, kjo është çështje e interesave që përfaqësojnë. Por e vërteta është se liderët autoritarë e kleptokratë të Serbisë dhe Shqipërisë janë jo vetëm të korruptuar, por edhe të implikuar në bashkëpunim të ngushtë me organizatat kriminale, sidomos ato të bandave të trafiqeve të lëndëve narkotike” u shpreh Bytyçi, sipas të cilit, rajoni i Ballkanit është mbërthyer sërishmi në krizën e marrëdhënieve etnike.

“Ka konflikt të hapur midis Serbisë dhe Kosovës, midis tri entiteteve etnike në Bosnjë-Hercegovinë dhe në marrëdhëniet politike në Mal të Zi. Në Kosovë konflikti acarohet vazhdimisht dhe sa here Serbia mobilizon forcat e saj terroriste për të bërë fakt të kryer aneksimin e veriut të Kosovës.

Ndërkohë ajo nxit konfliktin ndëretnik në Bosnjë, saktësisht nxit aleatin e saj, Milorad Dodik, të provokojë ndarjen e Republikës Srpska nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës. Nxit gjithashtu politikanët pro-serbë dhe pro-rusë në Podgoricë dhe në Cetinjë për të shpërbërë e shkatërruar shtetin e Malit të Zi dhe për të rikrijuar një mini-Jugosllavi” – potencoi Bytyçi, duke shtuar se nëse këto zhvillime vazhdojnë pa limit, atëherë edhe integrimi euro-atlantik i këtyre vendeve që përmend edhe Woelk nuk mund të bëhet.

“Në kushtet e sotme nuk është ndonjë zotësi e madhe të thuash se Kosova, Serbia, Shqipëria apo vendet e tjera të rajonit mund të integrohen ose jo në afate të caktuara. Por ka një gjë ama. Sapo të zgjidhen konfliktet ballkanike, integrimi realizohet në një periudhë shumë të shpejtë. Dhe nëse zgjidhen konfliktet që përmendëm më lart, atëherë Kosova mund të përparojë më shumë se të gjitha vendet e tjera të rajonit” – deklaroi Bytyci duke shtuar se krahasuar me të gjitha vendet e rajonit, Kosova ka shanset me të mira për tu integruar e para në Bashkimin Evorpian.

“Kosovën e mban peng thjesht Serbia. Për çfarë? Për shkak të interesave të saj ultranacionaliste dhe krijimin e Serbisë së Madhe. Në momentin që Kosova shkëputet plotësisht nga Serbia dhe bëhet anëtare e OKB-së, në atë moment ritmet e saj të zhvillimit do të dyfishohen, krahasuar me vendet e tjera. Sipas meje, për shumë e shumë më tepër arsye, Federica Woelk gabon në parashikimet e saj!” – u shpreh professor Enver Bytyçi

 

 

 

Advertisement