Connect with us

Shkrime

Censusi, Socialistët dhe ironia me të vërtetën…

Nga Ben Andoni

Zgjedhjet e fundit Lokale 2023 prodhuan veç pretendimeve të zakonshme të opozitës (në rradhë) për vjedhje votash dhe parregullsi edhe një përballje shumë të sofistikuar të maxhorancës socialiste me analizat statistikore. Ishin kaq të detajuara këto të fundit, saqë Socialistët e kishin të llogaritur deri në detaje fitoren e tyre. Rama e shpalli parashikimin pak ditë më parë rezultatit përfundimtar me saktësi gati matematike.

Mbase ky nuk është argument i pranueshëm për shumë burime, që akuzojnë për zgjedhjet, veçse një gjë këqyret qartë: Shqipëria është e paqartë për numrin e popullsisë dhe të gjitha problematikat, lidhur me regjistrimin e njerëzve të saj. Popullsia në Shqipëri ka ndryshuar shumë gjatë 30 viteve të fundit. Kjo lidhet veçanërisht me ndryshimet në sistemin ekonomik. Kalimi nga ekonomia e centralizuar në një sistem të tregut të hapur ka dhënë efektet normale në shumë dukuri jetësore të tilla si lindjet, vdekjet, migracionin, por ka pasur ndikim edhe në të ardhmen e popullsisë shqiptare. Megjithatë Censusi i fundit është anatemuar shumë nga Socialistët asokohe në opozitë dhe nga ironia e Demokratëve në fuqi për ta. Larg këtyre, rëndësia e Censusit qëndron në faktin e krijimit të një pasqyre të integruar të shoqërisë në një kohë të caktuar brenda ndryshimeve të shumta dhe të vazhdueshme, të cilat nuk arrijnë të përcaktohen përmes metodave të tjera të mbledhjes së të dhënave. Censusi ofron bazën e duhur të të dhënave që nevojiten për krahasime dhe projeksione të të dhënave demografike, si dhe identifikimin e karakteristikave sociale dhe ekonomike të shoqërisë.

Censusi, reefruar literaturës, na tregon se: “Kush jemi dhe ku po shkojmë si komb, por edhe i ndihmon komunitetet tona të përcaktojnë se ku të ndërtojnë gjithçka u nevojitet, nga shkollat te supermarketet dhe nga shtëpitë e deri te spitalet. Censusi ndihmon qeverinë të vendosë se si të shpërndajë fondet dhe ndihmën për strukturën shtetetërore dhe lokalitetet”.

Më 1 janar 2022 popullsia e Shqipërisë rezultonte 2.79 milionë banorë dhe krahasuar me vitin 2011 ishte ulur me 3.9 %. Prirja në rënie vazhdon të jetë e pranishme nga vitet e mëparshme (INSTAT, 2022)Censusi i fundit u realizua në vitin 2011 dhe, parashihej të kryhej njëherë në çdo 10 vjet. Ndërkohë, po sipas INSTAT-it, popullsia në 2011 rezultonte 2.9 milionë banorë. Censusi i rradhës ka qenë shumë i shumëpritur nga shumë burime, qysh nga politikbërësit deri te studiuesit. Në fakt, Instituti i Statistikave vendosi shtyrjen e Censusit të Popullsisë dhe Banesave.“Mossigurimi në kohë i mjeteve të nevojshme për grumbullimin e informacionit në terren, ishte justifikimi zyrtar, kurse  një vit më parë u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Një gjë të bën përshtypje: të dhënat statistikore janë shqetësuese kur politika është në opozitë, por shumë pak e trandin maxhorancën e rradhës. Mbahet mend përplasja e opozitës socialiste me maxhorancën demokrate dhe ironia e palëve, por që nuk i ndihte palët të shikonin e identifikonin problematikat shqiptare. Pak kohë më parë, BIRN do të referonte se nga Greqia në Poloni, pothuajse të gjitha vendet e Evropës Lindore, Qendrore dhe Juglindore po gjendeshin përballë fenomenin shqetësues të ikjes së njerëzve. Projeksioni ishte se deri në vitin 2050, Bullgaria do rrudhet 38,6 për qind se sa në vitin 1990; Serbia do numëronte 23,8 për qind më pak banorë, Kroacia 22,4 për qind dhe Rumania 30,1 për qind. Moldavia ka humbur tashmë 33.9 për qind të popullsisë së saj, kurse Shqipëria po u afrohet me 18%. A është vetëm paaftësi prej logjistikës apo censusi shtyhet sepse kjo të bën të gjykosh mbi realitete më të qarta, që e tundin politikën? Për hir të së vërtetës, censusi e ndihmon një vend në projeksionet e të ardhmes për pensionet, zhvillimet dhe kanalizimin e investimeve, parashikimet për fuqinë punëtore dhe fuqinë blerësë, por ajo e ndihmon një shtet të jetë i kujdesshëm me taksat dhe mbi të gjitha në parashikimet me politikat sociale.

Në literaturë, duke përdorur burime britanike: Të dhënat e regjistrimit tregojnë se sa njerëz punojnë në profesione dhe industri të ndryshme. Kjo bën që të krijohen dhe të projektohen punë të reja dhe politika të trajnimit; por edhe të merren vendime ndihëse për investime.

Censusi jep informacion mbi banesat dhe banorët e tij duke na dhënë një panoramim të akomodimit të pamjaftueshëm, si dhe informacione për mënyrën se si jetojnë familjet. Kjo bën që të krijohen politika të reja për strehimin dhe Shqipëria i ka shumë të nevojshme me politikat që ndjek.

Censusi jep informacione për minoritetet dhe grupet etnike, që ndihmojnë për të identifikuar shkallën dhe natyrën e disavantazhit të jetesës së tyre në vend. Kjo bën që të kemi vlerësimin e politikave të mundësive të barabarta.

Censusi jep të dhëna edhe për komunitetet fetare. Kjo të bën që të ndjekësh politika më të drejta për besimin, por edhe të parashikosh projeksione për sjelljen dhe harmonizimin mes tyre. Në fakt, jo thjesht serioziteti, por edhe logjistika jonë lë shumë pë të dëshiruar. Përshembull, duke u nisur nga numërimi i komuniteteve fetare, censusi i fundit, realizuar në vendin tonë, do të ishte shumë problematik. Këshilli Kishtar Kleriko-laik në dhjetor të vitit 2012, pranë Kishës Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, do të ishte shumë i ashpër: “E tërë metodologjia që u ndoq për regjistrimin e përkatësisë fetare nuk iu përgjigj aspak metodës elementare objektive që ndiqet në vendet evropiane. Për rrjedhojë, një gjë e tillë, fyen jo vetëm të krishterët orthodhoksë, të cilët që nga fillimi i shtetit shqiptar janë komuniteti më i madh i krishterë në numër, por edhe të gjithë të krishterët, të cilëve iu zvogëlohet në mënyrë të ndjeshme madhësia nga 31% në 17%. Si përfundim, ky veprim errëson pamjen e përgjithshme të Komuniteteve Fetare në Shqipëri”. Ish kreu i opozitës asokohe, Rama, do të ishte edhe më i hidhur:  “…Fatkeqësisht, pavarësisht punës profesionale dhe mundësive të mëdha të shumëkujt në rolin e nënpunësit në INSTAT dhe, pavarësisht financimeve apo projekteve që janë ofruar në bashkëpunim me partnerët, është fakt se për vite me radhë INSTAT-i mbeti peng i politikës së ditës dhe i ambicieve të pushtetit për të kontrolluar humorin e publikut edhe nëpërmjet shifrave. Për vite të tërë kishin nxjerrë në dritë llogari qëllimisht të gabuara. Ajo që ndodhi me INSTAT nuk është thjesht shqiptare, por e kemi parë të ndodhë edhe në vende të tjera”, u shpreh atëherë kryeopozitari Edi Rama në fjalën e mbajtur në konferencën për të dhënat e CENSUS-it 2011. Njësoj si sot, referoheshin se 480 mijë njerëz janë larguar nga Shqipëria në 2001-2011. Largimet e mëdha të viteve ’90 dhe një largim i dytë është bërë jashtë vëmendjes së mediave dhe në mënyrë konstante ditë pas dite duke rezultuar me gjysmë milioni shqiptar të larguar në 10 vitet e dyta. Ministri i Arsimit, Pollo, që shërbeu edhe si kryetari i Komisionit të Censusit Qeveria urdhëroi fshehjen e të dhënave të punësimit nga botimi i rezultateve të censusit (Rama, 2011). Por z, Pollo, do përgjigjej edhe më hidhur por edhe me cinizëm se: “INSTAT i ka botuar rregullisht shifrat e përqindjet e papunësisë dhe Edi Rama rregullisht i ka mohuar ato e shumë të tjera pa dhënë shpjegime e arsye. Rama ka insistuar se në vend kemi 1 milion të papunë ose 58.5% e popullsisë aktive, por Edi Rama insiston të dëshmojë se ka probleme akute me aritmetikën fillestare pa folur për nocionet bazë të demografisë”.

Ja ku jemi 12 vite më pas. A ka ndryshuar gjë pas reformave të socialistëve? Pse Rama në drejtimin e tij do ta gjente zbrasjen e Shqipërisë vetëm te fenomeni që ka kapluar Ballkanin? Duket qartë se çdo opozitë tek ne nuk e ndjen askurrë veten si pjesë e politikave, ndaj Rama kryeministër sot nuk i vjen mirë, kur i kujtojnë të dhënat e tërthorta nga INSTAT dhe sesi kanë ikur nga vendi rreth 700 mijë persona pas vitit 2010, teksa ritmet e largimit janë përshpejtuar pas pandemisë (INSTAT, 2022).

Shkurt, loja e fjalëve mbetet e njëjtë kurse paaftësia e qeveritarëve tanë për të krijuar modele zhvillimi pothuaj njësoj. Ndaj, publiku është i ngatërruar për shifrën zyrtare të listës përfundimtare të zgjedhësve në Zgjedhjet Vendore të 14 majit 2023, që nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në Ministrinë e Brendshme, të drejtën e votës e kishin 3,650,550 shtetas shqiptarë!!! Po sa jemi vallë?  Pse nuk bëhet Censusi? A do jetë opozita e sotme njësoj kritike? Medoemos, por sa shqiptarë jemi vallë në këtë paradoks, ku censusi po shkon i harruar drejt kalendave. (Homo Albanicus)

Shkrime

Hetimi pasuror/ Ç’po bën SPAK me Erion Veliajn

Një gjë është e qartë. Prokuroria e Posaçme është duke verifikuar pasurinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe familjarëve të afërm të tij. Në një dokument të siguruar nga një bankë e nivelit të dytë konfirmohet kërkesa që prokurori i SPAK, Ols Dado u ka drejtuar të gjitha bankave të kësaj kategorie në Shqipëri, që të japin informacion për pasurinë e kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes se tij, Ajola Xoxa, vëllait, Arbër Veliajt dhe nënës së tij, Shqiponjë Veliaj.

Në shkresën e SPAK thuhet se “Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka regjistruar procedim penal”. Nuk është e qartë, nëse ky procedim penal ka nisur drejtpërdrejt me emrin e Erion Veliajt apo ai po hetohet si pjesë e dosjes së inceneratorëve, apo asaj 5 D. Nga emri i prokurorit Dado që ka nënshkruar kërkesën për hetim pasuror, nuk kuptohet mirë nëse kjo po kryhet në kuadër të dosjes për djegësin e Tiranës apo në kuadër të skandalit 5D të drejtorëve të bashkisë. Dado nuk është i përfshirë në hetimin e asnjërës prej këtyre dy çështjeve.

Në kërkesën e SPAK për bankat, kërkohet që të vendoset në dispozicion çdo informacion që lidhet me veprimet bankare dhe transaksionet financiare të kryera brenda dhe jashtë vendit për personat e cituar më lart. Gjithashtu SPAK ka kërkuar informacion edhe nëse këta persona që kanë edhe aktivitete komerciale, bashkëshortja e Veliajt në fushën e artit dhe i vëllai me një kompani të shpërndarjes së reklamave kanë marrë kredi si dhe historiku i shlyerjes së saj.

Gjithashtu përpos shkresës drejtuar bankave të nivelit të dytë Syri Tv ka njoftuar mëngjesin e së mërkurës dhe një dokument i ngjashëm për Veliajn dhe familjarët e tij i është dërguar nga SPAK edhe tek Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë.

Më 30 mars Erion Veliaj u pyet për më shumë se 8 orë në SPAK për çështjen e inceneratorit të Tiranës për tre çështje kryesore, për shkresat dërguar ministrave të financave si nismëtar i inceneratorit, për shkresën e famshme, kur pasi i mohohet nga ministria e financave, Veliaj merr personalisht angazhimin financiar për ndërtimin e inceneratorit si dhe për enigmën e depozitimit të dherave, që i kanë dhënë mundësi bosëve të inceneratorëve të përfitojnë rreth 60 milionë euro shtesë nga intertet që depozitonin aty, ata që hapnin gropa ndërtimi në Tiranë.

Deri më tani fati i atyre për të cilët SPAK ka nisur hetim pasurie nuk ka qenë i mirë, por askush nuk e mohon edhe hipotezën se kjo mund të jetë një manovër për ta pastruar kryebashkiakun sipas metodës “e hetuam thellësisht por doli i pastër”.

Nga ana politike kryeministri Rama ka lëshuar mesazhe kontradiktore në raport me mbrojtjen apo shitjen e atij që konsiderohet si delfini i tij. Ai njëherë ka thënë se i vetm që nuk lëshon është djali i vet i vogël, por nga ana tjetër u bashkua me “fjalë dhe presje” me mesazhin publik të Veliajj që pretendonte se ai vetë nuk dinte gjë për drejtorët që kanë vjedhur pas shpinës së tij në bashki.

©LAPSI.al

Continue Reading

Shkrime

Prapaskena Kosovë, profesori i ashpër me ndërkombëtarët

Franca, Gjermania dhe Italia kanë ngulur këmbë në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se ato mbështesin draft-statutin e propozuar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Javë më parë, Kurti i ishte drejtuar liderëve të këtyre tre vendeve me një letër, duke sqaruar pse Qeveria e Kosovës nuk mund ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese atë draft-statut dhe kishte propozuar ta shkruajë një të ri me kryetarët e tanishëm të komunave me shumicë serbe.

Çështja e Asociacionit arriti të ndikoje edhe në agjendën e KiE-së duke mos u lejuar Kosova të vazhdoje procesin dhe duke kushtëzuar me Asociacion.

E në lidhje me këtë temë ka folur profesori universitar Dr. Enver Bytyçi.

Ai tha se kushtëzimi i Kosovës me krijimin e asociacionit të Komunave me Shumicë Serbë për pranim në Këshillin e Evropës ishte një mëkat dhe një ngjarje e hidhur, e padrejtë. Profesori theksoi që ajo që zhgënjeu më shumë në këtë mes është qëndrimi i SHBA dhe Gjermanisë.

“Kushtëzimi i Kosovës me krijimin e ansociacionit për pranim në Këshillin e Evropës ishte një mëkat dhe një ngjarje e hidhur, e padrejtë, jo produktive dhe e shëmtuar. Fatkeqësisht këtë kushtëzim e reklamuan tri vende perëndimore, të cilat jo vetëm e kanë njohur shtetin e Kosovës, por edhe betohen çdo ditë se do të punojnë për formësimin e plotë të saj. Ajo që zhgënjen më shumë lidhet me faktin se këtij kushtëzimi iu bashkuan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania. Franca është e njohur për qëndrimet e saj pro Serbisë. Për mua nuk ka rëndësi shumë arsyeja pse këto shtete penguan anëtarësimin e Kosovës, se është ose jo Serbia lobuese te ato për te realizuar politikën e saj të bllokimit.

Që Serbia është kundër Kosovës, kundër pavarësisë dhe shtetësisë së saj, kundër pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, kjo është e njohur tashmë. Serbia kurrë nuk do të pajtohet me Kosovën shtet Sovran e të pavarur, edhe nëse bisedimet zgjasin 100 vjet” u shpreh Bytyci, sipas te cilit janë çuditshme veprimet e ndërkombëtarëve dhe sipas tij, ato mbetet enigma, duke mos kuptuar qasjen që të njëjtat kanë me Serbinë.

“Ajo që më trishton ka të bëjë me faktin se ndërsa Kosova e Serbia kanë pranuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, e cila detyron Serbinë të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë dhe OKB-në, janë vetë sponsorët e asaj marrëveshje që pengojnë Kosovën në këtë rrugëtim. Janë Gjermania dhe Franca ato që me bekimin e SHBA-ve hartuan Marrëveshjen e Brukselit, të cilën Kurti dhe Vuçiq e pranuan në shkurt 2023. Pranuan gjithashtu sekuencimin e zbatimit të saj në mars të atij viti. Tani janë këto vende, të cilat shkelin një marrëveshje, të cilën vetë e hartuan dhe e imponuan.
Pse po e bëjnë këtë? Sepse duan që t’i japin akses Serbisë të jetë e pranishme në Kosovë. Kjo si kusht që ajo “të afrohet me Perëndimin”! Por në fakt kjo nuk do të ndodhë, edhe nëse Perëndimi ia jep krejt Kosovën Serbisë. Pakti Perëndim-Serbi jo vetëm që është i pandershëm, por edhe jo produktiv, jo realist, jo i zbatueshëm. Aleksandër Vuçic e konfirmoi këtë që po them, kur krijoi qeverinë e re me të gjithë anëtarët e kabinetit besnikë të deklaruar të Moskës. Vetë bën sikur është besnik i Kinës” – deklaroi Butuci

Sipas profesorit Perëndimi ka filluar ta mbështes Vuçicin, në vend qe të merret me padrejtësitë e tij. Ai gjithashtu u shpreh skeptik për vëmendjen e duhur ndaj Kosovës në procesin e dialogut………………………

“Në rastin konkret po përkrahet politika e një presidenti autokrat të lidhur me grupe mafioze e kriminale, madje dhe me grupe terroriste, nëse kemi parasysh shkrimet e medieve perëndimore. Pra po përkrahen politikat e tij destruktive e mashtruese të Vuçici i cili sundon me mjete dhune në vendin e tij dhe kërcënon çdo ditë paqen dhe stabilitetin e rajonit. Refuzimi i shqyrtimit të vendimit të Asamblesë Parlamentare nga ana e Komitetit të Ministrave për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ishte thjesht një akt i paprecedentë. Dhe më e keqja është se këtë refuzim e kushtëzojnë me praninë e Serbisë në Kosovë, jo me të drejtat e pakicës serbe në Kosovë.

Se duan që Serbia të jetë prezent dhe të ketë mundësi që në të ardhmen e afërt ta shpërbëjë shtetin e Kosovës përmes Asociacionit dhe jo që qytetarët me etni serbe të gëzojnë të drejtat e tyre. Të drejta, të cilat ata i kanë të garantuara me Planin Ahtisaari dhe me kushtetutën e ligjet e tjera të Kosovës. Nuk ka asnjë pakicë në shtetet evropiane, sado e madhe të jetë, të drejta aq sa kanë serbët në Kosovë” – potencoi Enver Bytyci

 

Continue Reading

OPINION

20 fakte nga Spahiu: A ka Shqipëria familje mafioze apo banda kriminale?

Nga Kreshnik Spahiu

Ja çfarë kuptuam nga përgjimet. Ku ndryshon krimi organizuar shqiptar nga mafia italiane apo mafia ndërkombëtare?

Padyshim që mafia egziston kudo edhe në Shqipëri, por përgjimet e fundit të 7 bandave kryesore në Shqipëri zbuluan qartazi dobësitë e tyre dhe provuan se ato janë shumë poshtë dhe larg një organizimi 100% mafioz.

Qytetarët e thjeshtë në zhargonin ditor, për çdo bandë pëdorin termin “Mafia”, por në thelb ka disa ndryshime esenciale si koncept juridik. 7 bandat shqiptare të arrestuara apo shpallura në kërkim nga SPAK, qartazi janë të dhunshme dhe i përkasin krimit të organizuar por ato nuk mund të quhen kurrësesi “Familje mafioze” për këto arsye:

– Ato nuk kanë një organizim strukturor të centralizuar në formë piramidale me detyra dhe funksione të ndara. Ato nuk kanë as Kanun, as Kod, as “parime” mbi të cilat verpojnë.

– Ato nuk kanë rrugulla dhe norma sesi të organizohen në kohë dhe hapësirë, si të komunikojnë, funksionojnë, antarësohen, punojnë dhe ndajne fitimet apo aksionet e tyre. Ndrageta ndau në vitin 2022 për 1000 antarët e saj jashtë italisë 2.3 milon euro fitim vjetor.

– 7 bandat shqiptare nuk kanë si Mafia e huaj ekskluzivitete në ekonomine shqiptare ashtu sic ndodh ne Itali, Rusi, Meksike etj ku mafia kontrollon sektore monopol në transport, buqesi, industri, eksport. Ne disa raste ato quhen “Agromafia”, “Ekomafia”, Telemafia”, “Mafiabank”. I vetmi ekskluzivitet ishin lojrat e fatit për Ervis Martinajn nga qeveria demokratve por që nga 2014 u shkri si aktivitet. Bandat shqiptare kanë biznese por nuk kanë monopol të një sektori të ekonomisë së vendit.

– 7 bandat shqiptare nuk janë pronare apo aksionere as në banka, as nuk kanë kontroll në dhënien e fajdeve në qytete të caktuara. Atje ku ekziston mafia, shumica e qytetit jetojnë me para me fajde vetëm nga një famije.

– 7 bandat nuk kanë asnje kontrroll ekskluziv në një qytet të caktuar persa i përket “haraçit” qe paguajne bizneset më shume se taksa shtetit. Në disa qytete italiane 200.000 biznese paguajne “gjoben” e mbrojtjes mafies. 150.000 biznese nuk jane mbyllur nga zyra e taksave por nga mos pagesat mafies.

– 7 bandat shqiptare janë totalisht banale dhe amatore në mënyrën si funksionojnë. Kapot e tyre jo vetëm nuk janë diskretë dhe të fshehtë por sillen sikur janë play-boy filmash erotik duke dhe banal gjuajtur femrat e bukura ne instagram. Ata kanë me shumë dashnore sesa ushtarë apo staf te organizuar dhe strukturuar. Gjysma e tyre kanë rënë në kurthe nga të dashurat e tyre. Kapot e mafieve të huaja kanë familje të mëdha dhe shumë autoritet familjar duke bashkjetuar apo funksionuar në mënyrë patriarkale.

– 7 bandat shqiptare nuk kane qëndrueshmërinë e Familjeve mafioze që 100 vjet trashegohen dhe kanë lidhje gjaku apo lidhje “parimesh”. 7 bandat shqiptare çdo 7 dite ndryshonin aleancat dhe ja fusnin njeri-tjetrit. 7 kapot e bandave shqiptare jane banal, te pabese, injorante, mashtrues, llafazan, thashethemaxhi, halabakë, totalisht provincial dhe kanë dhunën primare jo influencen në shtet dhe popull.

– 7 bandat shqiptare jane të urryera në zonat e tyre dhe jo të pëlqyera apo solidare si Mafia. 7 bandat shqiptare nuk e mbrojnë komunitetin ku veprojnë por e dhunojnë. Mafia italiane apo ajo kolumbiane janë të dashura nga komuniteti sepse ndihmohen apo mbrohen shpesh prej saj.

– Dallimi mes bandave shqiptare dhe bandave italiane është që “halabakët” shqiptarë janë të fortit që ecin me xhama të zinj dhe makina të blinduara, ndersa kapot e mafias italiane ecin ne këmbë apo biçikletë duke i pershendetur gjithë qyteti, por duke mos i treguar askush nga banorët policisë se kush është ai “plaku me kollare” që po ha akullore në qendër të qytetit.

– 7 kryebanditët shqiptarë bënin lekë për tu dukur me veshje firmato dhe pushime në Ibiza. Familjet mafioze në botë bëjnë para që të mos duken dhe mos bien në sy.

– 7 bandat shqiptare ranë në rrjetën e policisë sepse të 7 shefat si amatore komunikonin drejtpërdrejt me njëri tjetrin dhe nuk përdornin filtra apo korrierë. Familjet mafioze nuk ka asnjë shanc që “krye-familjaret” të komunikojnë me telefona dhe pa kode.

– 7 kryebanditet shqiptarë janë komplet amator në krimet e tyre. Ata urdherojnë vetë, financojnë vetë, organizojnë vetë, ekzekutojnë vetë. Mjafton kaq për të kuptuar sa larg organizimeve mafioze ata janë. Në botë ka me dhjetra organizata mafioze, drejtuesit e të cilave kanë urdhëruar me qindra vrasje por personalisht nuk kanë prekur pistoletë me dorë.

– 7 bandat shqiptare nuk kanë si mafia nderkombetare një sistem paralel fiskal apo bankar. Ato vazhdojnë të mbajnë paratë nëpër fuçi djathi apo gropa në bahçen e shtëpisë.

– 7 bandat shqiptare ndryshe nga mafia nderkombëtare nuk kryejnë atentate politike apo shtetrore. Nga përgjimet nuk rezulton asnjë aksion dhune apo vrasje për kundershtar politik.

– 7 bandat shqiptare nuk kanë një listë pagesash masive ne shtet ashtu sic kishte Al Capone apo cdo mafie tjetër qe paguajnë mbi 300 pokitikane, gjyqtare, prokurore, police, doganiere me page fikse cdo muaj. Pagesat qe bejne bandat shqiotare kur kane halle nuk quhen finacim i organizuar mafioz. Magesat mujore janë element organizimi dhe jo rryshfeti spontan.

– E fundit 7 bandat shqiotare nuk kanë një sistem organizimi formal si çdo mafie italiane me hierakinë e urdhërave, vendimeve dhe kopetencave: 1- Shefi, 2- Këshilltari, 3- Zv/shefi, 4- Kapitenët, 5- Ushtarët/ekzekutorët. 6- Financieri, 7-Aksionerët. 8-Antarët.

– 7 bandat banale shqiptare nuk kanë arritur dot të krijojnë “legjislacionin” e tyre që të ishte i detyrueshëm në qytete të vaktuara ku ata të ofronin si mafia italiane mbrojtje ekstra ligjore për komunitetin.

Të gjitha këto fakte janë relativisht të debatueshme por kryesisht provojnë se krimi organizuar në Shqipëri është i dhunshëm, është brutal, është famëkeq, është i rrezikshëm, është i fortë, është vrastar por në thelb është larg një strukturimi mafioz klasik. Ky është një lajm i mirë sepse me këputjen e disa kokave, bandat e tyre shpërbëhen dhe çmontohen. Ato nuk trashegohen në drejtim, dhe struktura e tyre nuk mund te vazhdoj funksionimin. Ato lindin dhe shuhen ose copëzohen me vrasjen e kryetarit. E njejta histori ndodhi me bandën e parë të Gaz Muçës, e cila u shkri me vrasjen e tij, dhe njesoj vazhdon me “Naim Zyberi”, “Haklat”, “Zani Çaush” apo deri në ditët e sotme “Ervis Martinaj”… Me zhdukjen e tyre, zhduken dhe bandat. E kundërta do ndodhte nëse do kishin krijuar disa familje mafioze. Tek mafia vdes kryetari por vazhdon trashëgimtari dhe ushtria e tij si shtet paralel me gjithë financat dhe asetet e trashëguara…….

Continue Reading

Shkrime

Lojërat e Vuçiç, as Lindje, as Perëndim, analiza e DW

Dushko Lopandiç, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, tha për DW, se politika e jashtme serbe “ka shumë ngjashmëri” me politikën e brendshme. Ashtu sikurse Partia Përparimtare Serbe që është një parti e ashtuquajtur “catch-all” – si një parti që kërkon votat nga të gjithë – edhe politika e jashtme dhe diplomacia janë shtrirë në të gjitha drejtimet.

Lufta kundër pranimit të Kosovës në KiE dhe kundër Rezolutës për Srebrenicën, zotimi për rrugën evropiane, vizita e liderit kinez, afërsia me Rusinë… A është politika e jashtme e Serbisë “skizofrene” apo me strategji?

Kemi te bejme me nje pranverë diplomatike te stuhishme në Serbi: Vizita e presidentit kinez, lufta kundër rezolutës për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara, vizita e Olena Zelenski dhe ministrit të Jashtëm të Ukrainës, fushata kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, fjalimi i Vuçiçit në Rusi…

Ngjarjet e rëndësishme të politikës së jashtme janë rreshtuar. Disa do të thoshin, plot mospërputhje dhe çorientim i politikës së jashtme serbe, të cilën disa analistë e cilësojnë si “skizofrenike”. Deklarativisht ende në rrugën evropiane, Serbia ose, më saktë, presidenti i saj Aleksandar Vuçiç, po përpiqet të gjejë aleatë nga të gjitha anët. Për vëzhguesit nga jashtë duket kjo si një ylber i politikës së jashtme, ku nuk mund të gjesh ndonjë sistem.

Dushko Lopandiç, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, tha se
“Kjo diplomaci e gjerë përdoret në radhë të parë për të promovuar regjimin dhe për propagandë të brendshme. Ne kemi një politikë të jashtme shumë të pasuksesshme, persa i përket integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal. Regjimi po zbaton një lloj politike të jashtme propagandistike”.

Nga ana tjeter, Igor Novakoviç nga Qendra për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri u shpreh se në këtë politikë ka një sistem. “Fokusi tani është në dy boshte – me Amerikën dhe me Kinën”.

“Bashkimi Evropian është në vendin e tretë, ndërsa Rusia në vendin e katërt. Tani të gjitha letrat janë vendosur në njëfarë real-politikë, e cila bazohet në një lloj marrëdhënieje të caktuar transaksioni, që synon të mbajë në pushtet elitën ekzistuese.

Meqenëse ata kontrollojnë të gjitha proceset në vend, ata mund të udhëheqin një politikë të jashtme të tillë të plotë”- beson Novakoviç.

Dushko Lopandiç, nga ana tjetër, flet për improvizime – për vizitën e rëndësishme të presidentit kinez Xi,  si dhe për vizitën e delegacionit ukrainas, e cila “në radhë të parë ka të bëjë me marrëdhëniet me Amerikën”.

“Një ditë kritikohet BE-ja, ndërsa të nesërmen thuhet se jemi në rrugën evropiane. Është një lloj loje që ngre pyetjen e çmimit të një politike të tillë, e ky çmim nuk është i vogël”, paralajmëroi Lopandiç.

Vizita në Serbi e bashkëshortes së presidentit ukrainas, Olena Zelenski dhe ministrit të Jashtëm, Dmitry Kuleba, është interesante për faktin se mediat e regjimit mezi raportuan për këtë vizitë. Igor Novakoviç vëren se “qeveria kontrollon në mënyrë të barabartë narrativën pro-ruse dhe pro-perëndimore në media. Kjo zvogëlon rëndësinë e Perëndimit dhe BE-së nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër parandalon disa manipulime më të thella nga pala ruse”.

Regjimi serb ka zhvilluar një fushatë antiperëndimore për një kohë të gjatë. Njëjohësisht ka bërë në masë të vogël një fushatë pro-ruse, thotë Dushko Lopandiç.

“Është vërtet interesante që kjo vizitë u regjistrua shumë pak, si shumë modeste, sepse aty nuk ishte vetëm gruaja e presidentit ukrainas, por edhe ministri i Jashtëm. Kjo është bërë edhe për faktin se opinioni publik ka një qëndrim kryesisht pro-rus. Në këtë kuptim, pranimi i krerëve të Ukrainës sigurisht që nuk është i popullarizuar për momentin”, theksoi Lopandiç.

E teksa ditët në vijim do të shënohen nga miratimi i paralajmëruar i Rezolutës për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara, Igor Novakoviç e vlerëson luftën e autoriteteve në Beograd kundër kësaj Rezolute si mbështetje për Milorad Dodikun.

“Paradoksalisht, kjo histori erdhi në momentin e duhur për Vuçicin dhe Dodikun, të cilët kanë shumë probleme të brendshme. Kjo temë tani mund të përdoret për të mobilizuar njerëzit”  – vlerësoi Novakoviç.

Diplomacia serbe bëri përpjekje të mëdha për të penguar edhe hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, gjë që për momentin ia doli. Të premten (17 maj) Kosova nuk ishte në rend dite, sepse vendet e Kuintit këmbëngulën për fillimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë që Prishtina e refuzon.

Bashkëbiseduesit e DW nuk janë të sigurt se kjo është një fitore diplomatike e Serbisë, por më tepër flasin për hapat e gabuar që ka bërë Prishtina. “Këtë rezultat e solli mosbashkëpunimi që Kurti po tregon prej vitesh me faktorin ndërkombëtar dhe mohimi prej tij i një pjese të Marrëveshjes së Brukselit”, potencoi Dushko Lopandiç.

Edhe Igor Novakoviç ka mendim të ngjashëm: “Kosova ndoshta do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe çdo lëvizje që sugjeron se Asociacioni mund të jetë diçka më shumë se një organizatë e zakonshme joqeveritare mund të jetë e dëmshme për Kurtin”. Në këtë mënyrë, autoritetet e Kosovës po sillen shumë ngjashëm me autoritetet serbe, mjaft transaksionale dhe të palëkundura”.

 

Continue Reading

Shkrime

Mesazhi i Escobar e ‘Dosja Britanike’, Berisha-Meta jo më deputetë?!

Nga Jakin Marena

Opozita vijon të jetë e ndarë në disa pjesë, si pasojë e situatës kaotike në të cilën gjendet PD, partia më e madhe opozitare në vend.

Themi se gjithçka vërtitet rreth PD, sepse partitë e tjera, të ‘vjetra’ apo të reja s’kanë asnjë peshë specifike politike që mund të sjellin përmbysje elektorale dhe për pasojë rrotacion pushteti, i cili me shumë gjasa do të vijojë të jetë në dorë të PS dhe për shumë mandate.

Demokratët janë në dilema të mëdha, dhe ku për shkak sentimenti apo dhe ‘genin’ specifik të shqiptarit, për t’u atashuar rreth më të fortit, më shumë janë të grumbulluar rreth Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha.

Ndonëse janë pa asnjë shpresë për të ardhmen me një lider si Berisha, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA e Britania e Madhe, dhe i trajtuar si i tillë dhe nga vendet anëtare të BE ose jo, përfshirë dhe vendet e rajonit, me Kosovën në përbërje, ndonëse nën arrest shtëpiak për korrupsion e dosje të tjera si “Gërdeci”, “21 janari” dhe afera CEZ-DIA në ngarkim të tij ku më shumë dhe ku më pak, sërish demokratët që janë mbledhur rreth tij shpresojnë te ndonjë ‘tekë’ e fatit, ndërsa pjesa që i qëndron më afër, nuk kanë nga shkojnë, sepse kanë përfituar nga pushteti i tij.

Kalojnë nëpër mendje ardhjen në pushtet për herë të dytë më 2005 me votë, falë makinacioneve dhe përçarjes së PS që udhëhiqej nga Fatos Nano, teksa tetë vite më parë, më 1997, Berisha ishte hequr nga pushteti me pushkë, dhe shpresojnë se mund të përsëritet ky rast fatlum.

Për hir të së vërtetës lumi nuk lëviz dy herë në të njejtat brigje, sa herë që fryhet nga shirat por gjen rrugën më të shkurtër për t’u derdhur në det, por ama demokratët vazhdojnë shpresojnë me sytë ‘nga qielli’ dhe herë dhe të drejtuar nga kati i tetë i pallatit ku flet përnatë Berisha.

Gjithsesi janë të pashpresë për të ardhmen, dhe një grup më i paktët, sipas parimit të enëve kumunikuese lëvizin herë në krahun e PD zyrtare të udhëhequr nga Lulzim Basha, ‘birit plangprishës’ politik të Berishës, e herë tek Rithemelimi i udhëhequr nga ‘ati’ i tyre shpirtëror.

Në fund të herës demokratët kanë hyrë në vitin e ri zgjedhor, pa asnjë shpresë për të ardhur në pushtet, teksa po mbushin 12 vite në opozitë, dhe shumë prej tyre besojnë se PS dhe Edi Rama, kanë tërë mundësinë e Zotit për të qeverisur dhe mandate të tjerë, sa kohë që PD është në këtë shkallë degradimi politik. Por dhe në një krizë të fortë lidershipi.

Zhgënjimi shtohet akoma më tepër dhe për faktin se Berisha është i mbyllur në pallatin e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, me vendim gjykate nën arrest shtëpiak dhe vetëm Zoti e di se si do të dalë në fund të herës përballë akuzave të rënda që janë në ngarkim të tij, e që SPAK, sado ta ketë marrë me nge këtë punën e Berishës, një ditë do të duhet që dhe dosjeve të rënda që përmendëm më sipër, t’u vërë nga një emër sipër dhe për pasojë të thotë dhe përgjegjësin kryesor për ta përballur me akuzat.

Njëherësh, Rithemelimi është një grupim politik në të ‘zezë’, pasi s’njihet ligjërisht dhe sa herë që partitë thirren nën ‘shërbim’, pra për t’u ballafaquar me votën e shqiptarëve, ka qënë dhe do të jetë i detyruar që kandidatët e vet t’i regjistrojë në emër të Partisë së Lirisë së Ilir Metës, apo të ndonjë partie tjetër fantazmë me të cilën ka afri, nëse Meta tregon ‘oreks’ të madh politik.

Por dhe sikur Berisha të tërhiqet në këtë moment nga drejtimi i Rithemelimit për t’u marrë me punët e e veta në përballjen e rëndë dhe familjarisht më drejtësinë, gjasat janë të sigurta se sërish një ‘non grata’ do ta udhëheqë këtë grupim politik.

E pranoi vetë një natë më parë Argita Berisha Malltezi në një emision televiziv, se drejtimi i Rithemelimit nuk do të dalë jashtë familjes Berisha. Pra, në mungesë të të atit Argita do të marrë drejtimin e Rithemelimit, dhe kjo është e sigurtë. E kemi parë se pas të gjitha protestave dhe tek ‘Rrugica e Salës’ e para bashkisë, këto të fundit të dhunshme dhe me molotov, qëndron ‘dora’ e Argita Malltezit Berisha, një udhëheqëse në prapaskenë e këtij grupimi politik.

Nuk ka asgjë te keqe, kur e pranon dhe vetë. Madje dhe kur e bën të sigurtë ambicien e saj për të kapur drejtimin e Rithemelimit, pasi ka qënë dhe është pronë e Berishajve që në krye të herës, sepse si të tillë e ka trajtuar përmbi 30 e kusur vite në pushtet apo në opozitë.

E themi këtë dhe për faktin se për Berishën do dhe pak ditë që të skadojë afati 6 mujor ku ai do të humbasë mandatin e deputetit. Pasi s’ka asnjë gjasë të dalë dhe për shumë kohë nga arresti shtëpiak. Ndonëse nuk mungojnë zërat nga korridoret e Rithemelimit, ndoshta të hedhura dhe për konsum politik, që në ‘finishin’ e skadimit të afatit për djegien e mandatit të deputetit, Berisha do të bëjë një ‘kolpo’ politike të ngjashme me atë të 8 janarit kur sulmoi selinë e PD buzë Lanës, dhe do të kërkojë të jetë prezent me forcë në një seancë parlamentare. Megjithëse do të duhet të llogaritet si prezencë, dhe kjo bëhet nga administrata e Kuvendit. Por kjo do të kishte një kosto të lartë politike, dhe ata që e udhëzojnë mund ta groposin për të dytën herë, tashmë tamam, pasi mund t’i rezervojë arrestin me burg në qeli kësaj radhe, për shkelje të vendimit të Gjykatës dhe dhunë.

Por Berisha nuk ka asnjë shans që të jetë deputet në legjislaturën e re, të dalë pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Pasi duke qënë ose nën arrest shtëpiak, ose në qeli, pengesat mund të fillojnë që në KQZ dhe përfundojnë në Komisionin e Rregullores e Mandateve, që mund të sjellin bllokimin e dhënies së mandatit të ri të deputetit. Në mos dekriminalizimi gjendja e arrestit do të jetë penguese që Berisha të mos hyjë në Parlament si deputet.

Rithemelimi me kryetarin nën arrest shtëpiak, pa mandat deputeti dhe të ‘prekshëm’ nga drejtësia tashmë pasi është pa imunitet, do të jetë si një qenie pa kokë që lëviz në kaos dhe pa orientim.

As ngjitja e Argitës në krye të Rithemelimit nuk zgjidh punë. Përkundrazi e zhyt më tepër këtë grupim politik në greminë. Kjo ndodh për shkak se Argita si tërë familja e saj është shpallur ‘non grata’ nga SHBA. Ka dhe bashkëshortin Jamarbër Malltezi në arrest shtëpiak për pastrim parash dhe përfitime nga vjehrri ish kryeministër Sali Berisha, me ngritjen e kullave shumëkatëshe dhe me vlera të forta monetare prej 5.4 milionë euro. Të pajustifikuara këto sipas drejtësisë.

Nëse Berisha, për shkak dhe të moshës biologjike pasi është 80 vjeçar, mund të jepte shpresa për Rithemelimin se do çlirohej një ditë nga lideri ‘non grata’ dhe nën arrest për korrupsion, marrja e drejtimit nga Argita vajza e tij, i humbet të gjitha këto shpresa për 20 vitet e ardhshme sëpaku, pasi mosha e saj është e re dhe ambicia e saj është e madhe për të mos e dorëzuar vetë lidershipin e Rithemelimit. Ia ka shuar shpresat dhe Gaz Bardhit e grupit të tij, pasi pikërisht për të trashëguar Rithemelimin nga Berisha në largim ka bërë tërë ato ‘pirueta’ duke ikur nga PD e Bashës dhe duke u rikthyer tek ‘armiku’ Berisha.

Por dhe tek aleati më i mundshëm, Ilir Meta kryetar i Partisë së Lirisë, situata nuk është aspak e qetë. Kjo duket hapur dhe nga luhatjet e humorit të Metës, i cili po përpiqet me të gjitha mënyrat që të jetë ‘mbret’ i rrjeteve sociale, me deklaratat që bën, mënyrën se si i qaset publikut, herë duke udhëtuar nëpër male, herë duke u kacavjerrur nëpër platforma metalike, herë në ambiente të mbyllura në palestra me veglat e forcës në dorë. Pa përjashtuar këtu qasjen sportive si tifoz i fortë i Celtic-ut, nën dëshirën e fortë për të imituar këmbënguljen proverbiale të malësorëve skocezë.

Dhe Meta ka dosje të hapura në SPAK, duke filluar nga verifikimi i pasurisë, lobimi në SHBA dhe ndërhyrjet estetike të tij dhe bashkësortes Monika Kryemadhi, por dhe për aferën CEZ-DIA e akuza të tjera të forta, të cilat do të duhet t’i vertetojë. Sepse nuk mund t’ia lërë të gjitha në kurriz bashkëshortes Monika, dhe për çështje burrërie sëpaku. Këtyre akuzave u qëndron afër dhe ajo që është bërë nga ana e Filip Talos si spiun i Sgurimit të Shtetit, e ku Autoriteti i Dosjeve e ka dhënë verdiktin e vet: Ilir Metaj ka spiunuar tek Sigurimi i Shtetit kur ka qënë student.

Meta ka hapur gjyq dhe kërkon të vërtetojë se është një adash i tij ai që i bëri gjëmën Talos. Hetimi ka nisur, Prokuroria e Tiranës thirri Talon, i cili u qëndron deklaratave që ka thënë në Autoritetin e Dosjeve dhe në ambasadë. Nuk dimë cilën deklaratë të marrim për bazë, atë që ka bërë në fillim apo atë që e bëri në atë version, por të ndryshuar. Koha do ta vertetojë. Në fund të herës ajo që dimë është se dhe PL rrezikon të jetë në Parlament, pa Metën në radhët e veta si deputet, pasi kreu i kësaj partie, në mos nga njëra akuza në tjetrën do ngecë e nuk e shkel derën e Parlamentit si deputet me mandat të certifikuar.

Ky është problemi për opozitën kryesore në vend, pasi dy grupimet më të mëdha politike, mund të prezantohen pas vitit 2025 me kryetarë ‘non grata’ në Parlament, pa asnjë mundësi që të shkelin në derën e Kuvendit. Dhe kjo ndikon fort tek mbështetësit e tyre.

Dhe një shpresë sado të vagët që ka Rithemelimi tek vendimi i Apelit më 11 qershor për çështjen e vulës dhe logos së PD, shanset më të mëdha janë që kjo mundësi t’i jepet Lulzim Bashës dhe PD zyrtare. Për të qënë ata posedues të vulës dhe logos së PD e për ta lënë sërish Rithemelimin në të ‘zezë’. Pra jashtë listës së partive politike të regjistruar ligjërisht.

Pasi pikërisht në ‘metrat’ e fundit të rrugës drejt zgjidhjes së çështjes së kujt i takon vula e logo e PD, Berishës apo Bashës, vjen dhe një mesazh, le ta quajmë i ‘koduar’, i të dërguarit special të SHBA për Ballkanin Escobar të hënën, i cili foli posaçërisht për PD, jo për Rithemilimin. Dhe për PD me vulë dhe logo të saj, pra kush do të quhet PD pas 11 qershorit, me sa duket ishte fjala, dhe se rreth kujt duhet të bashkohen të demokratët, ku dukshëm kiy emër nuk është Berisha.

Escobar, mes të tjerave tha se ‘…më duhet të them, shpresoj që zgjedhja për drejtimin të mos jetë dikush që na kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90. Kështu që unë shpresoj se përfundimisht partia kryesore opozitare do ta gjejë rrugën e saj”. Vetëm emrin nuk i ka vënë Berishës, me sa duket është një zgjedhje e zyrtarëve amerikanë për të mos i përmendur as emrin njeriut që e kanë shpallur ‘non grata’ për korrupsion madhor, minim të demokracisë si dhe shantazhim të drejtësisë, Sali Berisha.

Mesazhi amerikan me sa duket është i qartë, PD duhet të jetë një forcë politike që të mos ketë në përbërje të saj njerëz që na kujtojnë kohët e këqija të viteve ’90, pra pa emrin Berisha në krye të saj. Njëherësh ky mesazh shkon indirekt dhe në drejtim të zgjidhjes së çështjes së vulës, e cila duhet të zgjidhet me drejtësi dhe të mos merret shembulli i gjyqtarit Zhukri. Tashmë Zhukri është jashtë sistemit të drejtësisë për të gjitha shkeljet e veta që ia konstatoi Vettingu.

Ndërkohë që vula me shumë gjasa mund të qëndrojë në duart e PD zyrtare, drejtimi i të cilës nuk ka shanse që të jetë në dorë të atyre që na ‘kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90”. Çka e bën akoma më të komplikuar situatën në grupimin më të madh opozitar Rithemelimi, që duhet të mendojnë një zgjedhje pa Berishën. I cili përpos mesazhit të zyrtarit të lartë amerikan, ka marrë dhe një mesazh të nxehtë nga Londra, për atë që quhet “dosja Britanike” dhe që ka të bëjë me shpalljen ‘non grata’ të Berishës atje. Të gjitha këto situata mund t’i çorientojnë akoma më shumë demokratët dhe tërë spektrin opozitar, teksa zgjedhjet parlamentare të 2025-ës janë në prag.

Që humbja e opozitës në këto zgjedhje është e sigurtë, këtë nuk e ka vënë askush në dyshim deri më tani. Misteri qëndron në faktin se sa e thellë do jetë kjo humbje, që ‘përkthehet’ automatikisht  në pyetjen se sa e thellë do të jetë fitorja e PS për të qeverisur në një mandat të katërt. Pasi sondazhet serioze deri më tani japin një fitore me mbi 84 mandate deputeti në këto zgjedhje për PS. Të presim, zgjedhjet nuk janë larg.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING