Kosova
Daçiç shuplakë nga Natasha Kandiç: Partia e tij barazohet me varret masive të shqiptarëve nga Kosova
Një përplasje e fortë politike ka shpërthyer në Serbi pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së.
Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili kishte folur për UÇK-në pas vendimit të Hagës.
Kandiq ka goditur drejtpërdrejt Partinë Socialiste të Serbisë, SPS, duke vendosur mes saj dhe varrezave masive të shqiptarëve të Kosovës një lidhje që, sipas saj, bazohet në fakte të dokumentuara.
“SPS = varre masive në Serbi”, ka shkruar Kandiq.
Ajo i kujton Daçiqit se politikat e Partisë Socialiste të Serbisë, sipas saj, rezultuan në zbulimin e varrezave masive me shqiptarë të vrarë gjatë luftës së Kosovës.
Në reagimin e saj ajo përmend Batajnicën, Petrovo Selon, Rudnicën, minierën e Kizhevakut dhe Liqenin e Peruçacit, duke argumentuar se aty janë gjetur trupat e shqiptarëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës.
“Politikat e Partisë së tij Socialiste të Serbisë rezultuan në varre masive të shqiptarëve të vrarë”, shkruan Kandiq, duke e cilësuar këtë si një fakt të vendosur.
Deklarata e saj vjen në një moment kur në Serbi dhe Kosovë është ndezur debati mbi vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së.
Kandiq, e njohur për dokumentimin e krimeve të luftës dhe për kritikat ndaj politikave të regjimit të Slobodan Millosheviqit, e ka kthyer reagimin ndaj Daçiqit në një përballje me narrativën zyrtare serbe mbi luftën e Kosovës.
Përplasja rikthen në vëmendje edhe çështjen e personave të zhdukur dhe të trupave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, një nga temat më të ndjeshme ende të pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë.