Bota
Demonstrim fuqie? Shtrëngimi i çuditshëm i duarve mes Trump dhe Macron: Pse më lëndove?
Një moment i pazakontë ka ndodhur gjatë samitit të paqes për Gazën në Egjipt, me protagonist presidentin amerikan Donald Trump dhe homologun e tij francez Emmanuel Macron. Dy liderët patën një shtrëngim duarsh të tensionuar dhe të gjatë, që disa e përshkruajnë si “përleshje simbolike”.
Incidenti ndodhi të hënën, në çastin kur Trump nënshkroi fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit.
Pamjet tregojnë dy liderët duke u përqafuar para kamerave, por gjestet e tyre të trupit shpejt u kthyen në një përplasje të dukshme për dominim. Macron u pa duke tentuar të tërhiqej nga kapja e fortë e Trump, përpara se të largohej me nxitim nga podiumi.
Lexuesja e buzëve, Nicola Hickling, tha për Daily Mail se biseda e shkurtër mes tyre kishte një ton të ngarkuar.
Sipas saj, Trump i tha Macronit: “Më vjen mirë që të shoh, pra pranuat?”, ndërsa presidenti francez murmuriti një përgjigje të paqartë.
Pamjet nga ceremonia në Sharm El-Sheikh tregojnë Trump dhe Macron duke shkëmbyer një shtrëngim duarsh të gjatë dhe të fortë, i cili u shoqërua me një bisedë të tensionuar. Sipas Daily Mail, Trump i drejtohet homologut francez me pyetjen: “Po je i sinqertë?”, ndërsa Macron përgjigjet: “Sigurisht.”
Trump më pas e shtrëngon pëllëmbën e Macron-it, duke shtuar: “Në rregull, tani dua të di pse, më lëndove. E di tashmë.” Biseda vazhdon me tone të ftohta, ku Trump i thotë Macronit: “Unë po bëj paqe” dhe më pas e paralajmëron: “Do ta shihni se çfarë do të ndodhë së shpejti.”
Macron kohët e fundit e zemëroi Trumpin me një intervistë që dha për stacionin televiziv BFMTV. Në të, Macron tha: “Ka vetëm një person që mund të bëjë diçka për luftën në Gaza, dhe ai është presidenti i SHBA-së. Arsyeja pse ai mund të bëjë më shumë se ne është se ne nuk furnizojmë me armë që e bëjnë të mundur luftën në Gaza në radhë të parë. Ne nuk furnizojmë me pajisje që e bëjnë të mundur luftën në radhë të parë. Kjo është ajo që bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.