Connect with us

Shkrime

Detyruan gjysmën e globit të vaksinohej

NGA ILIR ALIMEHMETI

“Nëse thua të vërtetën, nuk duhet të mbash mend çfarë ke thënë.”

Cit.: Mark Twain

Dy vite e gjysëm iu deshën Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC, që të kthehet tek e vërteta e mbështetur nga evidenca dhe që kemi diskutuar vazhdimisht.

Dy vite e gjysëm iu deshën CDC që të pranonte se duhet të mbështetemi mbi vendimet individuale.

Për dy vite e gjysëm kam mbështetur pa asnjë lëkundje apo mëdyshje parimet e vendimmarrjes individuale, duke u bazuar fillimisht mbi të drejtat dhe liritë kushtetuese dhe, më pas, duke u bazuar mbi analizat e bazuara mbi evidencat mjekësore.

Cilat janë ndryshimet madhore të bëra nga CDC më 11 gusht 2022?

Të ekspozuarit ndaj virusit nuk ka pse të karantinohen!

(Por vetëm pasi mbyllën krejt shtetet me dëme madhore sociale dhe ekonomike)

Për të pavaksinuarit jepen të njëjtat udhëzime si të vaksinuarit.

(Por vetëm pasi detyruan gjysmën e globit për t’u vaksinuar nëse donin të studionin, punonin, udhëtonin, etj.)

Nxënësit mund të qëndrojnë në klasë edhe nëse janë ekspozuar ndaj virusit.

(Por vetëm pasi detyruan fëmijët të masin temperaturën dhe të bëjnë teste të panevojshme dhe pasi detyruan prindërit të plotësojnë formularë të pakuptimtë apo të linin ditët e punës për të mbajtur fëmijët kot në shtëpi, pa llogaritur koston madhore te prapambetjes arsimore.)

Nuk rekomandohet më që të depistohen personat pa simptoma.

(Por vetëm pasi u harxhuan miliarda në testime dhe pajisje të kota si termometra apo tunele dizinfektimi, dhe vetëm pasi u humbën masivisht arritjet ekonomike, sociale dhe kulturore në shkallë globale.)

Burimi zyrtar i CDC, Dr. Greta Massetti deklaron:

“Ky udhëzues pranon se pandemia nuk ka mbaruar, por gjithsesi na ndihmon që COVID-19 të mos na dëmtojë më rëndë jetën tonë të përditshme.

E dimë që COVID-19 nuk do të largohet.”

Vetëm një korrigjim do të bëja:

Jeta e përditshme nuk u dëmtua nga COVID-19, por nga vendimet e ekzagjeruara politike të vendimmarrësve.

Disa prej këtyre vendimmarrësve i morën këto vendime nga padituria naive (se nuk dua të pranoj injorancën), por disa prej tyre thjesht e përdorën si pretekst pandeminë, për të çuar përpara axhendat e tyre.

Si përfundim:

Detyra e mjekut është të informojë në mënyrë korrekte komunitetin dhe pacientin, por jo t’i detyrojnë ata apo të marrë vendime për ta!

Shkrime

Gjermania shpall miqësinë e çeliktë me Kosovën, flet emisari Sarrazin

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një intervistë, tha se shteti që ai përfaqëson nuk e ka përmendur asnjëherë që themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të jetë një ndër kushtet për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sarrazin u pyet për qëndrimin e Gjermanisë përsa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, posaçërisht mbi sugjerimet e diskutuara javëve të fundit që avancimi drejt Asociacionit i Komunave me Shumicë Serbe do të jetë kusht për Kosovën në prag të vendimmarrjes së ministrave të jashtëm për anëtarësimin e vendit.

“Duhet të rrëfej se s’mund ta ndjek vërtet argumentimin e Serbisë. Së paku për palën gjermane, mund të them se kriteret e përmendura nga Serbia nuk janë publikuar asnjëherë si kriteret tona për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, theksoi Sarrazin, teksa shtoi se Kosova – megjithatë – duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Në përgjithësi, situata rreth minoriteteve në Kosovë është shumë relevante”. – tregoi Sarrazin, dhe kujtoi se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është obligim i Kosovës që rrjedh nga cikli i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme evropiane. Sarrazin potencoi se Gjermania përkrah Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës, porse i mbetet Kosovës të bëjë “gjithçka” për t’i bindur shtetet anëtare.

“Ne qëndrojmë pas idesë për ta afruar Kosovën me Evropën, që do të thotë edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Por vendimi në fund do të jetë i Këshillit të Ministrave dhe është thelbësore që Kosova të bëjë gjithçka që mund të bëjë për të bindur një shumicë të gjerë të shteteve anëtare.

Sidomos të drejtat e pakicave janë një temë kyçe për Këshillin e Evropës” – potencoi Sarrazin.

Shtetet e QUINT-it – Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – dëshirojnë të shohin lëvizje reale drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, posaçërisht dërgimin e draft-statutit për këtë mekanizëm për serbët në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës përpara se vendet të bien dakord për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Sarrazin, ka komentuar gjithashtu veprimet që Serbia ndërmori për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe tha se ato s’ishin në frymën e Marrëveshjes së Ohrit që u dakordua mes Beogradit dhe Prishtinës vitin e kaluar.

“Ka një zotim të qartë në marrëveshjen e Ohrit: Serbia nuk duhet ta ndalojë Kosovën të hyjë në organizatat ndërkombëtare. S’po shoh që veprimet aktuale të Serbisë janë në përputhje me tekstin apo frymën e marrëveshjes” – ka deklaruar Sarrazin.

Para votimit përfundimtar në Komitet të Ministrave për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Europës, emisari tha se Gjermania i qëndron pas idesë për ta afruar Kosovën me Europën.

“Kemi ndjekur me vëmendje zhvillimet në Asamblenë Parlamentare dh ne, natyrisht, marrim parasysh vendimin e Asamblesë Parlamentare në diskutimet tona. Ne jemi miq dhe përkrahës të fortë të Kosovës dhe qëndrojmë pas idesë për ta afruar Kosovën me Europën, që nënkupton edhe anëtarësimin në Këshillin e Europës. Por vendimi në fund do të jetë i Këshillit të Ministrave dhe është thelbësore që Kosova tani të bëjë gjithçka që mund të bëjë për të bindur një shumicë të gjerë të shteteve anëtare. Sidomos të drejtat e pakicave janë një temë kyçe për Këshillin e Europës” – theksoi emisari Sarrazin.

Përfaqësuesi i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin, tha gjithashtu se rezoluta për Srebrenicën nuk ka problem me Serbinë, Republikën Srpska apo ndonjë shtet, entitet apo grup tjetër, por me krime dhe gjenocid të kryer në Europën Perëndimore.

Ai ka theksuar për portalin Ballkan, se teksti i rezolutës është i drejtuar kundër veprimeve si mohimi dhe glorifikimi i gjenocidit dhe se Rezoluta nuk përmend asnjë vend apo ndonjë grup në veçanti.

“Gjermania bashkë-sponsorizoi këtë rezolutë së bashku me Ruandën dhe një numër vendesh të tjera anëtare të OKB-së. Ne jemi globalisht dhe në çdo kohë të përkushtuar për të parandaluar gjenocidin. Është me rëndësi të madhe për ne ruajtja e kujtimit të tmerreve të Holokaustit. Kjo është arsyeja pse ne jemi gjithashtu të përkushtuar për të mprehur kujtesën e gjenocideve të tjera të njohura ndërkombëtarisht” – deklaroi emisari Sarrazin, duke shtuar se 11 korriku 2025 shënon 30 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë që ndodhi në vitin 1995.

“Ngjarja është vërtetuar historikisht dhe ligjërisht dhe është klasifikuar si gjenocid nga gjykata të pavarura ndërkombëtare dhe autorë me emra të përveçm edhe janë dënuar. Me këtë veprim ne do nderonim të vrarët e pafajshëm” – potencoi Sarrazin

Continue Reading

OPINION

Ilir Metën nuk e shpëton dot Sari Salltiku as Baba Tomorri!

Nga Azgan Haklaj

Në tmerrin që e dominon, i vetëdijshëm për abuzimet korruptive përsonale, familjare e kolektive që ka kryer në tre dekada, pikërisht në sajë të pushtetit Ilir Meta po reagon në forma diverse.
E përbashkëta e të gjithë reagimeve që kur ka marrë sinjalin e qartë se nuk ka shpëtim ndonëse herë qesharake e herë agresive është tentativa e fundit për të fituar kohë.
Por në fakt qetësia e SPAK-ut dhe mbështetësve të tij euroatlantikë, ekzaminimi i gjithë familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij ndër vite tregon se nuk po hetohet gjurma por është rrethuar vetë ujku.
Ndërrimi i emrit të LSI-së si paradoks pikërisht kur integrimi është kryefjalë nacionale apo shpikja e presidencës dhe konventave.
Trukimi për nepotizëm e tradhëti nuk janë asgjë përveçse fantazi me sy mbyllur e gomarit që ka ujkun në prapanicë e mendon ta kthejë në ëndërr.
Askush nuk i beson, as ata që bashkëjetuan politikisht me të.
Dhe marrëzia deri në neveri qëndron në
lajmin “bombastik” që filloi ta mediatizojë se pas konventës do i bashkohet “myhybëve” të Sali Berishës pikërisht poshtë çatisë së një kulle korrupsioni ku e kanë ngujuar.
E për ta veshur me patriotizëm karshillëkun që guxon ti bëjë drejtësisë dhe SHBA-ve filloi të këndojë këngën “O moj Serbi murin ta prisha se mua m’thonë Sali Berisha”.
Sa për dijeni Sali Berisha e Ilir Meta jo vetëm nuk prishën murin e Serbisë por u bënë tullë në murin e saj duke thyer embargon ndërkombëtare kundër saj pikërisht në kohën e genocidit masiv serb kundër popujve të Ballkanit.
Të ishte për Sali Berishën Kosova nuk do të
ishte kurrë shtet sovran dhe UÇK-ja do ishte organizatë terroriste.
Të ishte për Ilir Metën nuk do bëhej negociator në mos përfitues i instalimit të
fluturimeve të “Air Serbia” në vendin tonë.
Kur shumë dokumente do të deklasifikohen nga aleatët atëherë do të dalë e vërteta e trishtueshme e rolit të tyre për Kosovën dhe çështjen kombëtare.
E sikundër nuk mundet të stopohet një
mendje e çartur politike dhe njerëzore Ilir Meta ka filluar të materializojë hapin e fundit të dëshpërimit për të krijuar popullaritet të
rremë sikundër një tentativë “reflektimi” të një mëkatari sistematik.
Ka filluar me truket e uniformës jeshile të “Celtik” duke u munduar ta identifikojë me simbolin e bektashinjëve Sari Salltik Baba.
Ky vegim i rremë i mbështetur në deformacione mentale ka brenda një veprim jo të një besimtari por të një horri që aksionit të vet kërkon ti veshë kostum religjioz.
Ilir Meta si përfundim po kurthohet në praqet e veta.
E tani fundi do të jetë shkelqimi i prangave të drejtësisë në duart e tij në vend të hekurave në palestra luksoze.
Atë nuk e shpëton dot Sari Salltik Baba, as baba Saliu, as baba Tomorri.
Për çunin e pazarit të ri do të flasë drejtësia njerëzore dhe hyjnore.

Continue Reading

Shkrime

Pse u trondita nga dokumentari i RAI3

Nga Arlind Qori
Emisioni Report i transmetuar dy ditë më parë në kanalin e tretë të televizionit publik italian na tha pak të reja, në kuptimin e informacioneve që nuk ishin bërë më herët publike në Shqipëri. Prapëseprapë ka arritur të tronditë jo vetëm opinionin publik në Shqipëri, por edhe qetësinë e Edi Ramës dhe enturazhit të tij. Arsyen kryesore duhet ta kërkojmë në mënyrën se si është strukturuar ligjërimi politik në Shqipëri në 33 vitet e fundit dhe si është ndërtuar legjitimiteti i atyre që na sundojnë. Për shkak të izolimit të mëhershëm, por edhe nevojës për të pasur një pikë të largët dhe hamendësisht të paanshme referimi, në ligjërimin politik shqiptar është ndërtuar një Tjetër i Madh, verdikti i të cilit ndan shapin nga sheqeri në debatet e brendshme politike. Ky Tjetër i Madh mund të jetë një organizatë e shtet perëndimor, si p.sh. Bashkimi Evropian apo SHBA, por edhe figura me autoritet politik e intelektual ose mjete të informimit publik.
Çka e bën tronditës për Ramën dhe të tijtë është se të vërtetën për lidhjet e qeverisë së tij me nëntokën mafioze nuk e thanë kundërshtarët e tij të zakonshëm politikë, por një media evropiano-perëndimore, një nga televizionet me reputacionin më të lartë në Itali e më gjerë. Ai vetë i njeh lidhjet e qeverisë së tij me krimin e organizuar, me mënyrën si pastrohen paratë në kullat e Tiranës dhe hotelet e bregdetit, si financohen mediat kryesore të Tiranës dhe fushatat e partive të vjetra politike. Edhe ne e dimë. Madje edhe ai (Rama) e di që në e dimë. Prapëseprapë sa kohë loja e dijes si tekst dhe nëntekst zhvillohet brenda gardhit kombëtar, ai mund të pretendojë se asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur, duke shpresuar se mohimi i faktit të lakuriqtë do ta bëjë popullin të vërë në dyshim shqisat e veta. Po ja që vjen një moment që mbretit lakuriq, përpara popullit që ka nisur të dyshojë në sytë e vet, i del përpara një fëmijë (RAI 3) që ia prish magjinë duke ia thënë të vërtetën e madhe në sy: shteti që ke ndërtuar është i përshkuar fund e krye nga logjika mafioze, duke nisur nga bashkëpunëtori yt më i ngushtë në Këshillin e Ministrave.
Mbrëmë e sot Rama dhe sejmenët e tij janë orvatur të hedhin dyshime mbi seriozitetin e gazetarëve të RAI 3 dhe t’i konsiderojnë këta të fundit si pazhdaranë të luftës së brendshme për pushtet në Itali. kush e ndjek jetën politike e gazetareske në Itali e di mirë se Reporti i RAI 3 ka reputacionin si emisioni më i mirë investigativ në Itali, i përbërë nga një trupë gazetareske për t’u marrë shembull jo vetëm në Shqipëri, por nga shumë vende të tjera të Evropës. RAI 3, gjithashtu, mbahet ende si televizioni kombëtar më pak komercial i Italisë, ku investigimet serioze dhe mendimi i kultivuar peshojnë më shumë se skupet dhe taktikat e pista për të fituar audiencë. I vetëdijshëm për këto, Rama me shokë po tentojnë dëshpërimisht të përhapin sa më shumë tym, duke e trajtuar RAI 3 si të ishte Syri Tv dhe gazetarët e Reportit si të ishin Çim Peka. Jo, zotëri! Janë vite dritë larg njëri-tjetrit dhe pikërisht kjo është ajo që të bezdis sa më s’ka.
Çfarë na tha emisioni Report? Afërmendsh, pjesa më e rëndësishme e emisionit kishte të bënte me Italinë dhe aspektet jologjike dhe diskriminuese të marrëveshjes Meloni-Rama për refugjatët. Boshti lidhës i emisionit ishte e vërteta e thënë nga një prift italian i angazhuar për të drejtat e refugjatëve: “Soldi buttati al mare” (Para të hedhura në det) për rreth 800 milionë eurot që do të harxhojë shteti italian për menaxhimin e flukseve të refugjatëve në Shqipëri. Për të kuptuar se kush po i bëhet urë qeverisë Meloni për të menaxhuar marrëdhëniet me publikun, më shumë se çështjen e refugjatëve, gazetarët e RAI 3 nisin të përshkruajnë bëmat e gjithëditura dhe elementë të sapodalë në sipërfaqe të qeverisë Rama dhe ndihmësve të tij.
Emisioni i kushton një pjesë deklaratave të biznesmenit Becchetti, i kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe njëkohësisht fitues i një arbitrazhi ndërkombëtar përballë shtetit shqiptar, i cili për pehlivanllëqet e Edi Ramës i detyrohet tashmë atij një shumë prej 135 milionë eurosh. Strategjia e Becchetti-t, për të cilën deklaron se do të kërkojë ndihmën e autoriteteve gjyqësore italiane, është që paratë që shteti shqiptar nuk po ia jep t’i marrë duke vënë dorë mbi shumën prej rreth 100 milionë eurosh që shteti italian do t’i akordojë Shqipërisë për menaxhimin e refugjatëve. “135 milionë eurot e Italisë janë të miat.” – e mbyll ai, duke harruar se në fakt ato miliona euro janë të popullit shqiptar, i cili për shkak të Edi Ramës mund të privohet nga një numër i konsiderueshëm shkollash dhe shërbimesh publike.
Po nëse pretendimet e Becchetti-t do t’i zgjidhë gjykata italiane dhe strukturat e arbitrazhit ndërkombëtar, ne, shqiptarëve, na mbetet të jetojmë edhe për pak kohë nën thundrën e një qeverie që i ka zhbërë kufijtë midis institucioneve publike dhe organizatave mafioze. Ish-prokurori i antimafias italiane Francesco Mandoi, njëherësh këshilltar i Edi Ramës për disa kohë pikërisht për luftën kundër krimit të organizuar dhe mafias, theksoi me forcë disa herë se jo vetëm që emërimi i tij si këshilltar ka qenë thjesht propagandistik, pasi nuk është pyetur asnjëherë, por edhe se “mafia shqiptare ka përfaqësues brenda institucioneve dhe është e aftë të ndikojë qeverinë.” Sikur të mos mjaftonin akuzat e Mandoi-t, gazetari i Reportit iu drejtua edhe prokurorit më të rëndësishëm të antimafias italiane – deri dje në krye të prokurorisë së Katanzaros si hetues i Ndragheta-s, sot në krye të prokurorisë së Napolit për të luftuar Camorra-n – Nicola Gratteri. Përveçse me gjasë prokurori më i fortë i antimafias evropiane, Gratteri është edhe një personazh publik me reputacion të lartë, të cilit nuk ia bën syri tërr për t’iu kundërvënë njerëzve të pushtetshëm në Itali kur vjen puna te legjislacioni dhe mjetet për të luftuar siç duhet mafian. Pikërisht Gratteri, i pyetur për mafian shqiptare, përsëriti për të panumërtën herë faktin se mafia shqiptare është tejet e fuqishme (në disa vende e dyta për nga fuqia pas Ndragheta-s) pikërisht sepse niset e fuqishme nga vendi i vet i origjinës për shkak të institucioneve publike të kapura e të korruptuara. Pra mafia shqiptare ka një bazë të fuqishme sepse ka në xhep pushtetin politik, çka i mundëson të operojë e pashqetësuar në Shqipëri, të pastrojë një pjesë të parave në sektorin imobiliar në vend, dhe kësisoj të konkurrojë fort me organizatat kriminale të Evropës e më tej.
Sidoqoftë risia e mirëfilltë e emisionit Report ishte hulumtimi i marrëdhënieve të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave dhe një prej njerëzve më të besuar të Edi Ramës, Engjëll Agaçit, me nëntokën kriminale shqiptare. Sipas Reportit, Agaçi, dikur avokat i anëtarëve të organizatave mafioze shqiptare në Itali, ishte i lidhur me një përfaqësues tejet të dyshimtë të Interpolit italian me punë në Shqipëri për disa vite, Fabrizio Lisi, fondacionin e të cilit e kishte ndihmuar që të hynte në kontakt me një të dyshuar si narkotrafikant në Vlorë, të quajtur Artur Shehu, i cili i paskësh dhuruar fondacionit të Lisit 30.000 metra katrorë plazh në Shqipëri. Artur Shehu, sipas investigimit të Lindita Çelës të botuar në mars të 2021 në OCCPR (Organized Crime and Corruption Reporting Project), dyshohet fort jo vetëm si një prej narkotrafikantëve më të fuqishëm në Shqipëri, por edhe si një njeri i cili përmes mashtrimeve dhe korrupsionit ka arritur të përvetësojë troje në zona me potenciale të mëdha turistike në Vlorë, duke shpronësuar pronarët e vërtetë të atyre trojeve. Sipas Reportit, pikërisht Agaçi ka qenë ndërlidhësi i funksionarit të policisë italiane Lisi me narkotrafikantin shqiptar Shehu. I njëjti Agaç është përfolur disa herë në Shqipëri si strumbullar i skandalit korruptiv të inceneratorëve, për të cilën është thirrur edhe nga SPAK-u. Me sa duket, Agaçi ka funksionin e një Taulant Tushe të kryeministrisë, dikush midis eminencës gri dhe Mon Kukaleshit të punëve të pista të shefit të tij dhe të keqes sonë të quajtur Edi Rama.
Continue Reading

Shkrime

Lufta poshtë brezit për dominimin e opozitës

Nga Ylli Pata

Në vigjilje të 25 prillit ja vlen të bëhen realisht bilancet që nuk u bënë kurrë tre vjet më parë për atë që sollën realisht zgjedhjet parlamentare të 2021.

Përpëlitjet e ashpra të Sali Berishës e Ilir Metës, apo mbështetësve të tyre përpara zgjedhjeve, nuk kishin aspak të bënin me rezultatin përfundimtar të votimeve, që ata e kishin fotografuar me kohë në sondazhe, ppor me luftën për të dominuar opozitën pas zgjedhjeve.

Berisha e Meta, në mënyrë paradhadhënie bënë të ditur se do të ishin ata liderët e opozitës së ardhshme.

Natën e 25 prillit, ndërkohë që televizioni i familjes Berisha publikonte një exit poll, sipas të cilit opozita kishte fituar zgjedhjet, Mero Baze shkroi editorialin e famshëm :  “Rama qeverinë, Basha partinë”. Çka ishte realisht verdikti politik i zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Por dy faktorët e tjerë të opozitës, ujq të regjur të politikës shqiptare: Sali Berisha dhe Ilir Meta, nisën një përplasje që ka çuar në këtë kaos zhvillimin politik të faktorëve të opozitës.

Fraza që u kthye në meme e Lulzim Bashës pas atyre zgjedhjeve se “Lufta tani fillon”, paska qenë krejt e vërtetë, por sulmi ndaj saj është kryer për interesa të qarta të dy boshteve të tjera të politikës që kanë akses të fortë në mbulimin mediatik.

Por, edhe pse u pa e qartë se kemi të bëjmë me një përplasje tripolare, Berisha e Meta, nuk patën asnjë herë vullnetin që të bëjnë një gare të vërtetë brenda opozitës se kujt i takon lidershipi pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Në zgjedhjet brenda PD-së në korrikun e vitit 2021, Sali Berisha mbështeti hapur Lulzim Bashën, e është emblematike dalja e qeshur së bashku gjatë Kuvendit kombëtar në Pallatin e Kongreseve.

Lufta që Sali Berisha hapi me Bashën pas përjashtimit nga grupi i PD-së nuk u bë asnjëherë brenda partisë, por u krye në organe paralele, të cilat më së paku ishin të kontestuara, për të mos thënë jo legjitime.

Megjithatë veprimi më skandaloz i kësaj lufte poshtë brezit ishin zgjedhjet e 14 majit 2023. Kur me ndihmën e Gazmend Bardhit, u mënjanua Partia Demokratike nga gara elektorale për kandidatët e kryetarëve në 61 bashkive të vendit. Pikërisht kjo garë e munguar na ka dhënë sot një shikim të mangët të forcës reale të fuqisë politike të tre liderëve të opozitës. Kemi vetëm një rezultat të mangët sa i përket këshilltarëve.

Sipas të gjitha gjasave edhe në zgjedhjet e vitit 2025, palët nuk do të dalin në meidan në një përballje reale mes tyre.

Normale do të ishte që këto tre figura të votoheshin paraprakisht në një garë se kë preferojnë zgjedhësit për tu drejtuar.

Sali Berisha e Ilir Meta, dukshëm që e kanë mënjanuar një përballje të tillë, por Lulzim Basha do të duhet ta bëjë realisht këtë përballje për të marrë legjitimimin e vërtetë si lideri i opozitës.

Sipas gjasave nuk do të jetë mundësia ta bëjë paraprakisht por në zgjedhjet parlamentare nuk duhet t’i shmanget.

Mundësia më e mirë është që të garojë në një qark me Sali Berishën dhe Ilir Metën dhe numri i votave preferenciale do të shërbejë si letra reale e lakmusit për të treguar se kush është fituesi i kësaj tresheje.

Continue Reading

Shkrime

Intifada e Ilir Metës kundër SPAK

Nga Mero Baze

Ka një tërbim të pa frenuar të Ilir Metës kundër kreut të SPAK, Altin Dumani. Përtej fyerjeve personale apo bullizimit të tij, ka një vendosmëri të tij për ta sulmuar përditë dhe institucionin e SPAK. E dimë të gjithë ku është arsyeja, por natyrisht nuk mund të kemi në dorë ti kthejmë arsyen Ilir Metës për të heshtur.
Ai ka vendosur ta pres përballjen me drejtësinë jo për ato që ka bërë këto 32 vite në politikë dhe pushtet, por si një reagim ndaj fyerjeve të tij.

Dhe Altin Dumani ka bërë disa gabime.

Gabimi I tij kryesor  ishte kur reagoi ndaj akuzave të tij për McGonigal. Altin Dumani është në krye të SPAK më 2023 ndërsa McGonigal ka ardhur për herë të fundit më 2018 dhe nuk kanë asnjë lidhej me njëri tjetrin. Po dhe sikur të ishin takuar çdo natë, ai nuk ka arsye të bëj sqarime publike për akuzat që vijnë nga njerëz nën hetim, pasi detyra e tij është ti hetoj dhe jo ti sqaroj. Përndryshe pastaj do ti duhet ti jap llogari çdo të hetuari që natyrisht nuk është se e kanë qejf prokurorin që po I con drejt dyerve të gjykatave.

Po ashtu ai u kompleksua kur në raportin e tij para KLP vendosi në kontekst të gabuar vlerësimin e tij për Gjykatën speciale antikorrupsion si noterizuese të vendimeve të SPAK. Mund ta kishte kaluar më me sportivitet duke e thënë në një fjalim tjetër paksa më qartë atë që tha gabim. Nuk kishte pse reagonte ndaj Metës e Berishës që ja bën spot. Përpjekja e tyre thjesht ilustron se ata në një fushatë linçimi ndaj SPAK.

Por përtej vëmendjes së tepruar të prokurorit Dumani ndaj një objekti hetimesh si Ilir Meta, ky I fundit I ka vënë qëllim vetes ti mbush mendjen çdo shqiptari se ajo që mund të ndodh me të përballë drejtësisë është fryt I fushatës së tij të fundit të fyerjeve dhe sharjeve dhe jo të asaj që ka bërë.

Gurët e tij përditë mbi godinën e SPAK dhe në adresë të Dumanit, janë një intifadë e zgjatur dhe e pandërprerë deri ditën që do ti duhet të përballet me drejtësinë formalisht dhe jo në studio televizive.

Reagimet e ambasadorëve të perëndimit apo disa grupeve politike pro SPAK në këtë mes vetëm sa I forcojnë atij kauzën se SPAK është I një palë që e mbron dhe kundër një palë që e shan.

Ndaj është mirë që Ilir Meta të lihet në hallin e tij. Halli I tij real nuk është as oratoria e Dumanit, dhe as ndonjë mëri personale e tij me Metën. Halli I tij real është pse po hetohet. Këtë hall nuk ja zgjidhim dot. Madje as vetes tonë nuk ja zgjidhim dot nëse do të kemi të njëjtin hall.
Eshtë mirë që të shmanget debate me të rreth qëndrimeve ndaj SPAK. Vetëm kështu beteja e tij merr kuptimin e vërtet të dramës që ai përjeton.

Imazhi që ai po krijon në opinion publik, si një I marr që ka mbushur xhepin me gurë dhe sa shikon një kamerë qëllon mbi Dumanin dhe SPAK, është e vërteta e hidhur e mungesës së kurajës dhe integritetit që një politikan duhet të ketë kur përballet me drejtësinë.

Politikanët nuk mbahen mend si vijnë në pushtet por si dalin nga politika. Mos ja prishni Ilir Metës imazhin e  fundi të tij politik, duke e paraqitur dhe këtu si luftëtar.

Lereni siç është në të vërtet, si një I marr që bredh rrugëve me gurë në xhep e gjuan ku të mundi.

Ky gjyq do ti mbahet mend. Ai tjetri me drejtësinë, nuk ka shumë rendësi, se është llogari personale para drejtësisë. Tani është duke dhënë llogari para shqiptarëve, për tu treguar se kujt ja kanë besuar fatin e qeverisjes për tre dekada.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING