Connect with us

Aktualitet

PAGAT/ GJYQTARËT NË MBLEDHJE URGJENTE, SADUSHI: VENDIMI I KUSHTETUESES DUHET ZBATUAR

Ngërçi me pagat ka mbledhur në një takim të jashtëzakonshëm gjyqtarët e vendit.

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, tha se situata nuk mund të trajtohet më thjesht si një problem financiar, pasi sipas tij, bllokimi i pagave prek drejtpërdrejt funksionimin normal të gjykatave dhe zbatimin e një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Sadushi theksoi se kjo çështje nuk duhet të shihet si një përplasje mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv.

“Mund të ketë debat për mënyrën e zbatimit, por jo për detyrimin për të zbatuar një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, tha Sadushi.

Sipas tij, reagimi i gjyqësorit është institucional dhe nuk synon të krijojë konflikt me ekzekutivin, por të kërkojë respektimin e Kushtetutës, ligjit dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Kreu i Gjykatës së Lartë deklaroi se gjyqtarët nuk po kërkojnë privilegje, pasi nuk janë ata që kanë përcaktuar pagat apo formulën e përllogaritjes së tyre.

“Gjyqësori nuk është këtu për të kërkuar privilegje dhe as për t’i kërkuar kujtdo një nder”, u shpreh ai.

Sadushi nënvizoi se statusi i magjistratëve përcaktohet nga Kushtetuta dhe ligji, ndërsa për kushtetutshmërinë e këtij rregullimi është shprehur Gjykata Kushtetuese.

Sipas tij, çështja tashmë shkon përtej masës së pagave dhe vendos në provë zbatimin e vendimeve kushtetuese dhe raportet mes pushteteve.

“Ajo që kemi përpara nuk është garë force ndërmjet pushteteve, por provë e forcës së Kushtetutës mbi secilin prej tyre”, tha Sokol Sadushi.

Mbledhja e jashtëzakonshme synon të përcaktojë qëndrimin institucional të gjyqësorit dhe hapat që do të ndërmerren për zgjidhjen e situatës së krijuar me pagat e gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore.

Advertisement