Kronike
Ekzekutim makabër/ 35 vjeçari shqiptar vritet brutalisht brenda makinës së tij
Një 35-vjeçar shqiptar është identifikuar si viktima e një vrasjeje të rëndë në San Giorgio delle Pertiche, në Itali. Bëhet fjalë për Ferdinant Hotin, banues në Mirano, trupi i të cilit u gjet brenda një Fiat Bravoje të zhytur në lumin Tergola.
Identifikimi i viktimës u bë përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe provave të tjera të mbledhura nga hetuesit. Sipas rezultateve të autopsisë, 35-vjeçari ishte qëlluar me armë zjarri nga një distancë e afërt, ndërsa në momentin e ekzekutimit i kishte duart të lidhura. Ekspertiza mjeko-ligjore ka përcaktuar gjithashtu se shqiptari kishte ndërruar jetë përpara se trupi të hidhej në ujë, pasi në mushkëri nuk u gjetën shenja të pranisë së ujit.
Karabinierët po punojnë për të rindërtuar lëvizjet e Hotit gjatë mbrëmjes së 7 shtatorit, ndërsa janë duke analizuar kamerat e sigurisë në zonë me qëllim identifikimin e personave me të cilët ai mund të jetë takuar para ngjarjes.
Në kuadër të hetimeve është identifikuar edhe pronari i Fiat Bravo-s përmes numrit të shasisë. Automjeti rezulton në pronësi të një banori të provincës së Venecias, i cili nuk kishte raportuar vjedhjen e tij. Për këtë arsye, hetuesit po e marrin në pyetje për të sqaruar nëse dhe në çfarë mënyre mund të ketë lidhje me ngjarjen.
Rrethanat e gjetjes së trupit kanë shtuar dyshimet për një krim të planifikuar. Viktima u gjet në një thes të zi, ndërsa trupi ishte mbuluar me goma automjetesh dhe makina ishte zhytur në lumë, çka sipas hetuesve mund të ketë qenë një përpjekje për të fshehur gjurmët dhe për të vështirësuar identifikimin e autorëve.
Karabinierët vijojnë hetimet për të zbardhur motivin e vrasjes, personat e përfshirë dhe dinamikën e plotë të ekzekutimit.