Aktualitet
Një punonjës humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën, ndalohen dy zyrtarë të Bashkisë Tropojë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës ka urdhëruar ndalimin e dy zyrtarëve të Bashkisë Tropojë, në vijim të hetimeve për aksidentin fatal të ndodhur dy ditë më parë në fshatin Bujan.
Nën hetim janë drejtori i Shërbimeve Publike, Turizmit dhe Transportit, N.Gj., dhe tekniku i mirëmbajtjes së rrugëve, G.H. Ata akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ngjarja ndodhi më 8 shtator 2026, kur katër punonjës të Bashkisë Tropojë, të identifikuar me inicialet M.S., A.D., I.D. dhe A.A., po punonin për montimin e një shtylle të ndriçimit rrugor në Bujan.
Gjatë ngritjes së shtyllës, punonjësit ranë në kontakt të drejtpërdrejtë me përcjellësit elektrikë. Goditja nga rryma i mori jetën në vend M.S., ndërsa tre punonjësit e tjerë pësuan dëmtime trupore.
Sipas Prokurorisë së Kukësit, drejtori dhe tekniku nuk garantuan kushtet teknike dhe ligjore të mbrojtjes në punë.
Ngjarja ndodhi në rrugën e Dobravës, aty ku katër punonjës të sektorit të shërbimeve do të vendosnin në bazament një shtyllë ndriçimi anë rrugës. Për shkak të peshës së madhe ata humbën ekuilibrin dhe shtylla kapi telat elektrikë duke përcjellë rrymën te punëtorët. Muhamet Sylisufaj, 59 vjeç humbi jetën, ndërsa 3 të tjerët morën ndihmë mjekësore në spital.