Kosova
Përplasje titanësh Bruksel-Beograd/ Deklarata sfiduese e Aleksandër Vuçiçit, ndez situatën
Gjatë një takimi me qytetarët në Prigrevicë, Vuçiç deklaroi se qëndrimet e zyrtares europiane nuk e shqetësojnë, duke vendosur përballë tyre mbështetjen që pretendon se gëzon nga qytetarët serbë.
“Nuk më intereson çfarë thotë Marta Kos, për sa kohë që kam Prigrevicën”, deklaroi ai.
Por pas kësaj përplasjeje qëndron një çështje shumë më e ndjeshme: mënyra se si Serbia përballet me të kaluarën e luftërave në ish-Jugosllavi.
Marta Kos e shtyu vizitën në Beograd në një kohë kur në Serbi janë shtuar reagimet rreth glorifikimit të Ratko Mlladiçit, ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Komisionerja europiane e bëri të qartë se për Brukselin çështja nuk është thjesht një episod politik. Sipas saj, glorifikimi i Mlladiçit bie ndesh me vlerat europiane dhe përballja me të kaluarën është pjesë e domosdoshme e rrugës së Serbisë drejt Bashkimit Europian.
“Vlerat e Unionit nuk janë të negociueshme”, ishte mesazhi i saj.
Vuçiç, megjithatë, ka zgjedhur konfrontimin.
Ai e akuzoi Kos se shfaqet gjithmonë si “lajmëtarja dhe nismëtarja” kur ka diçka negative për t’i thënë Serbisë, duke sinjalizuar se Beogradi nuk është i gatshëm të pranojë pa kundërshtim presionin politik nga Brukseli.
Përplasja vjen në një moment delikat për marrëdhëniet Serbi–BE, ndërsa rruga europiane e Beogradit vazhdon të kushtëzohet nga një sërë çështjesh politike, përfshirë raportin me të kaluarën, respektimin e vlerave europiane dhe zhvillimet e brendshme në Serbi.
Në vend të një dialogu të qetë diplomatik, retorika e Vuçiçit tregon se Beogradi po zgjedh edhe një herë të përballet me presionin europian përmes sfidës politike.
Dhe mesazhi i presidentit serb është i prerë: Brukseli mund të flasë, por Vuçiç pretendon se çelësin e legjitimitetit të tij e mban ende në Serbi.