Politike
RAMA: DHJETËRA MIJËRA PROFILE FALSE PO NXISIN TENSIONE NË SHQIPËRI
Kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza të forta për mënyrën se si, sipas tij, po përdoret hapësira digjitale për të ndikuar në protestat dhe zhvillimet politike në Shqipëri.
Rama tha se dhjetëra mijëra profile me emra dhe fytyra shqiptare janë krijuar artificialisht dhe përdoren për të përhapur narrativa dhe për të nxitur tensione në vend.
Rama e krahasoi këtë fenomen me ndërhyrje të ngjashme të raportuara në vende të tjera, ku platformat digjitale, sipas tij, janë përdorur për të ndikuar në procese zgjedhore apo për të nxitur protesta.
“Dhjetëra mijëra ushtarë të prodhuar në laboratorët e teknologjisë, me fytyra dhe me emra shqiptarë, sulmojnë hapësirën digjitale të vendit dhe krijojnë gjithë atë tension të madh”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se fenomeni nuk duhet parë thjesht si aktivitet i zakonshëm në rrjetet sociale, por si një formë ndërhyrjeje që mund të ndikojë në perceptimin e publikut dhe në krijimin e një atmosfere tensioni.
Sipas Ramës, një pjesë e personave që shfaqen në rrjetet sociale si mbështetës apo pjesëmarrës në protestat e fundit nuk janë persona realë.
“Realiteti i tyre i skuadrës nuk ishin në protestë. Ata nuk ekzistojnë, ata janë të krijuar në laborator dhe ata i japin narrativave të ndryshme”, u shpreh kryeministri.
Deklaratat e Ramës e rikthejnë në qendër të debatit çështjen e dezinformimit, profileve të rreme dhe përdorimit të teknologjisë për ndikim politik, në një kohë kur rrjetet sociale janë kthyer në një prej hapësirave kryesore të përplasjes politike në vend.
Megjithatë, pretendimet e kryeministrit për numrin e profileve artificiale dhe lidhjen e tyre me protestat mbeten për t’u shoqëruar me prova dhe të dhëna të verifikueshme publike.