Kronike
Skema e fshehtë/ Si u futën 108 kg kanabis nga Kanadaja në Shqipëri? Vlerë 1.2 milionë euro
Një tjetër rast i dyshuar i trafikimit të lëndëve narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë është goditur në Portin e Durrësit, gjatë një operacioni të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, strukturat e Kufirit dhe Migracionit dhe autoritetet doganore.
Në kuadër të hetimeve të drejtuara nga Prokuroria, efektivët ushtruan kontroll të imtësishëm në një kontejner të mbërritur nga Kanadaja, brenda të cilit ndodheshin dy automjete dhe një kamper.
Gjatë kontrollit të kamperit, në hapësira të modifikuara dhe të maskuara me veshje druri, u zbuluan 190 pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa të llojit “Gelato”. Sasia totale e sekuestruar ishte 107.7 kilogramë, ndërsa vlera e saj në treg përllogaritet në rreth 1.2 milionë euro.
Përveç lëndës narkotike, gjatë kontrollit u sekuestruan edhe 43 cigare elektronike, disa prej të cilave mbanin mbishkrime që deklaronin përmbajtje të lartë THC.
Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, dyshohet se lënda narkotike sigurohej në Kanada dhe transportohej drejt Shqipërisë e fshehur në ambiente të posaçme, të modifikuara në automjetet e porositura për blerje.
Në vijim të veprimeve hetimore, policia ka shpallur në kërkim dy persona, të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Për shkak të nevojave të hetimit, autoritetet nuk kanë bërë publike identitetet e tyre.
Ndërkohë, strukturat hetimore vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të lëndës narkotike, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që dyshohet se mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve të mëtejshme.