Connect with us

Politike

Frika politike trondit planet për zgjerimin e BE-së/ Politico: Europa shmang anëtarët e rinj

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian po përballet me një valë të re hezitimi politik në disa prej vendeve anëtare, teksa frika nga forcimi i partive populiste dhe kostot elektorale po shtyn qeveritë evropiane të shmangin debatin për pranimin e vendeve të reja në Union, raporton Politico.
Sipas medias, pavarësisht vizionit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për një Bashkim Evropian më të zgjeruar që do të përfshinte edhe vende të tjera aspirante, shumë shtete anëtare nuk janë të gatshme të hapin aktualisht këtë diskutim.
Burime diplomatike dhe zyrtarë evropianë të cituar nga Politico thonë se disa kryeqytete evropiane druhen se tema e zgjerimit mund të kthehet në armë politike për forcat nacionaliste dhe të djathta ekstreme.
Një nga shqetësimet kryesore, sipas raportit, është rikthimi i retorikave të ngjashme me ato të përdorura gjatë zgjerimit të vitit 2004, kur në disa vende të Evropës Perëndimore u përhap narrativa se punëtorët nga Evropa Lindore do të merrnin vendet e punës së qytetarëve vendas.
Diplomatët paralajmërojnë se i njëjti diskurs mund të rikthehet për çdo valë të re zgjerimi.

Franca konsiderohet ndër vendet më të rezervuara, edhe për shkak se ligji francez kërkon referendum për pranimin e çdo anëtari të ri në Bashkimin Evropian. Sipas Politico, një votim i tillë mund të shfrytëzohej politikisht nga e djathta populiste në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.
Por skepticizmi nuk kufizohet vetëm në Paris. Edhe Gjermania, Holanda dhe Italia, sipas raportit, insistojnë që procesi i zgjerimit të mbetet strikt i bazuar në meritë dhe pa përjashtime për arsye gjeopolitike, pavarësisht presionit për të përshpejtuar anëtarësimet.
Një tjetër arsye që ushqen rezervat në shumë kryeqytete evropiane është përvoja me Hungarinë, e cila pas anëtarësimit është parë shpesh si faktor bllokues në vendimmarrjen e Unionit.
Kjo ka shtuar frikën se pranimi i vendeve të reja mund të krijojë “kapitale të tjera problematike” që do të përdornin të drejtën e vetos për të penguar politikat e përbashkëta.
Në këtë klimë, edhe vende që kanë avancuar ndjeshëm në procesin teknik të negociatave po përballen me ngadalësim, ndërsa perspektiva e zgjerimit duket të jetë futur në një fazë të re pasigurie politike, pavarësisht retorikës publike mbështetëse nga Brukseli.

Advertisement