Connect with us

Politike

Gara për bashkinë e Kukësit, me sytë nga Londra dhe Birmingami

Safet Gjici i Partisë Socialiste dhe Admir Sinamati i koalicionit Bashkë Fitojmë po garojnë për Bashkinë e Kukësit – një zonë ku kryefjalë është emigrimi në Mbretërinë e Bashkuar dhe ku 37% e popullsisë së mbetur po planifikon që të largohet sa më shpejt.

Nga Bashkim Shala

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Kukës, Pandeli Majko është i kursyer në premtime thuajse një javë larg zgjedhjeve lokale.
“Në Kukës, Has e Tropojë, halli është me “H” të madhe,” tha Majko për BIRN. “Kjo është arsyeja që ne i rezervojmë fjalët, sepse këtu nuk të besohet vetëm vota, por edhe halli,” tha ai, duke shtuar se qeveria kishte kryer investime të rëndësishme në Kukës.

Qarku i Kukësit është ndër më të varfrit në Shqipëri dhe vazhdon të eksportojë një numër të lartë emigrantësh, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas një anketimi të organizatës Swisscontact, popullsia e Kukësit ka rënë me 13% gjatë dekadës së fundit dhe gati 37% e banorëve të mbetur po planifikojnë gjithashtu të emigrojnë.

Partia Socialiste kandidon për herë të dytë në Kukës me Safet Gjicin, një ish-polic dhe biznesmen, ndërsa përballë tij garon Admir Sinamati nga koalicioni Bashkë Fitojmë, i cili la profesionin e tij të mjekut për t’u angazhuar në politikën lokale. Në garë është edhe Abedin Oruçi i Partisë për “Europianizimin dhe Integrimin e Shqipërisë”.

Këtë vit, përballja elektorale për Kukësin nisi nga Londra dhe Birmingami – ku gjenden një numër i konsiderueshëm banorësh të zonës si emigrantë. Të dy rivalët kryesorë në garë, Gjici dhe Sinamati janë takuar me komunitetin kuksian atje dhe të dy pretendojnë se kanë mbështetjen e tyre.

“Kam kontaktuar me emigrantët në Londër dhe Birmingam dhe ata kanë telefonuar të afërmit e tyre që votat të jenë për Safet Gjicin për punën që ka bërë,” thotë Gjici, ndërsa shton se do t’ua shpërblejë atyre me vendosjen e linjave direkte ajrore Kukës-Londër dhe Kukës-Birmingam.

Kandidati i opozitës, Admir Sinamati e sheh emigrimin masiv si ‘një psikozë” dhe “investim përtej politikës’, që sipas tij mund të luftohet duke vlerësuar meritokracinë. Ai e konsideron ndihmën britanike si një mundësi të artë për Kukësin, por mendon se nevojitet një klimë besimi që njerëzit të mund të kthehen në shtëpi.

“Mesazhi i emigrantëve në Britani ishte se Britania është vendi i mundësive falë një qeverisje normale dhe korrekte. Por kam vënë re se e ardhmja e çdo emigranti, koka e çdokujt është në vendlindje,” tha Sinamati për BIRN.

“Ata e mendojnë se një ditë do kthehen. Ky është një lajm i mirë dhe pozitiv, ndaj duhet një klimë besimi,” shtoi ai.

Ofertat e kandidatëve

Bashkia e Kukësit konsiderohet një bastion i demokratëve dhe është qeverisur nga socialistët vetëm tre herë gjatë tre dekadave të fundit, përfshi zgjedhjet pa garë të vitit 2019.

Por kryebashkiaku aktual, Safet Gjici, thotë se qeveria aktuale ka investuar shumë për Kukësin dhe e quan veten ‘personin e duhur për t’i çuar punët përpara”.

Gjici thotë se gjatë mandatit të tij të parë janë investuar 100 milionë euro në Kukës dhe premton dyfishim të fondit për katër vitet e ardhshme, nëse kuksianët i japin votën.

Ai thotë se qeveria i ka mbajtur premtimet për Kukësin me vënien në punë të aeroportit, investimet në spitalin rajonal si dhe ndërtimin e stadiumit të ri, për të cilin thotë se kuksianët as që e kishin ëndërruar.

Gjici flet gjithashtu për një kontratë me kryeministrin Rama për Kukësin dhe vazhdimin e këtyre punëve.

“Vullneti i kryeministrit Edi Rama është që të ndihmojë Kukësin dhe unë jam personi i duhur për t’i çuar punët përpara.  Rivali im nuk ka program, por as edhe ndonjë kontribut për Kukësin,” thotë ai.

Ndikimi i aeroportit të Kukësit në ekonominë lokale ka qenë i diskutueshëm, por Gjici thotë se hapja e tij është një premtim i mbajtur dhe ndër më kryesorët.

“Në një takim me disa persona në Kukës, edhe drejtuesi politik, zoti Majko, u bind më së fundmi kur një mësuese pensioniste i tha që na keni bërë një nder të madh me aeroportin…,” tha Gjici, duke shpjeguar se vajza e mësueses që jeton në Belgjikë udhëtonte më parë me 400 euro, ndërsa tani udhëton me 15 euro.

Admir Sinamati nga koalicioni Bashkë Fitojmë e sheh kandidimin e tij si detyrim për të ndihmuar njerëzit e vendlindjes, në një kohë kur sipas tij, Partia Demokratike kishte krijuar një vakuum të figurave publike me kontribut intelektual në qarkun e Kukësit.

Sinamati është i kursyer në premtime, por zgjedh të ofrojë mirëqeverisje.

“Oferta ime ndaj elektoratit është kryesisht krijimi i klimës së qetësisë në Kukës, lirisë së pergjithshme për t’u shprehur, gjykuar dhe kërkuar ndaj pushtetit,” tha ai për BIRN.

Sinamati thotë se programi i tij është i fokusuar te nxitja e punësimit, stimulimi i biznesit të vogël si dhe rritja e klimës së besimit për të tërhequr biznesin e madh në investime.

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” shprehet me maturi kur bën fjalë për investimet në turizmin malor, ndërsa sheh si pengesë faktin se zona nuk ka traditë në turizëm dhe se jeta kulturore është zero.

“Investimet në turizmin malor, në rastin konkret në Shishtavec i pengon problemi i pronësisë që është guri i provës për investime. Pronat në zonat turistike nuk janë të regjistruara dhe nuk funksionon tregu i tokës,” thotë Sinamati.

Ai thotë se bashkia e drejtuar prej tij do të ndihmojë në restaurimin e kullave për t’i bërë atraktive për turistët. Përsa i përket bujqësisë, kandidati i “Bashkë Fitojmë” thotë: “Kukësi nuk është vend bujqësor për faktin se tokat janë përmbytur nga HEC-i i Fierzës. Orientimi i bujqësisë do jenë bimët aromatike e medicinale dhe kultura e patates në zonën e Shishtavecit”.

Në Kukës, PD-ja zyrtare kandidon vetëm me listën e këshilltarëve dhe ka një rivalitet mes së djathtës për Këshillin Bashkiak.

Ndërsa Sinamati e quan listën e “partisë së vulës” jashtë frymës së demokratëve, edhe kryetari i Partisë Demokratike zyrtare i përgjigjet me të njëjtën monedhë.

“Ne nuk kandidojnë në këto zgjedhje, ndaj nuk do ju bëjmë thirrje mbështetësve tanë që të votojnë ndonjë kandidat, pasi asnjë subjekt garues në këto zgjedhje nuk ka bërë thirrje që të mbështesin listën tonë,” tha Arif Rexhmati, kryetar i PD-së zyrtare.

“Thirrja ime është që të votohet në listën e këshilltarëve me numrin 9, që është Partia Demokratike e Shqipërisë,” shtoi ai.

Ndihma britanike

Prej tetorit të vitit të kaluar, organizata Swisscontact së bashku me partnerin britanik, TAG International, janë duke implementuar projektin “Perspektiva të Reja” për qarkun e Kukësit. Projekti ka si qëllim të frenojë ritmet e emigracionit të parregullt drejt Mbretërisë së Bashkuar, përmes mundësimit të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së punësimit.

Gjithashtu projekti zbaton fushata të komunikimit strategjik me qëllim informimin e popullsisë së qarkut për rreziqet dhe pasojat e emigracionit të paligjshëm, si dhe promovon oportunitetet për zhvillim dhe sipërmarrje në zonë.

I financuar nga Mbretëria e Bashkuar, projekti ka zhvilluar deri më tani disa sondazhe dhe kërkime për qarkun e Kukësit.

“Gjatë vitit 2022, 14,233 shqiptarë kanë kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar, ku 30-40 për qind vlerësohet të jenë nga bashkitë Kukës dhe Has,” thotë Edval Zoto, menaxher i projektit.

Zoto thotë se gjatë javëve të fundit kanë zhvilluar tahime dhe kanë shkëmbyer mendime me kandidatët për zhvillimin ekonomik vendor.

“Të gjithë kandidatët, qoftë ata të forcave politike në pushtet, edhe ata në opozitë janë të vetëdijshëm për motivet që shtyjnë popullsinë e qarkut drejt migracionit, ku spikasin mundësitë e pakta të punësimit, të zhvillimit ekonomik si dhe mungesa e alternativave për arsimim e kualifikim,” tha Zoto.

Ai shtoi gjithashtu se kandidatët janë në dakordësi me projektin për të bashkëpunuar në vazhdimësi dhe nxitur zhvillimin ekonomik në zone, si faktori kryesor që do të frenonte migracionin e lartë.

Por Lavdrim Shehu, drejtues i një organizate lokale të quajtur “Qendra për Progres Rinor” i tha BIRN se edhe kjo fushatë nuk ka ofruar alternativa të qenësishme për banorët e Kukësit.

“Fokusi në të ardhmen duhet të përqendrohet te njerëzit, pasi këtu kandidatët janë vënë në garë duke premtuar investime,” tha Shehu.

“Duhet të ketë më pak arrogancë në qeverisje dhe shpërndarje të pushtetit. Të investohet aty ku ka përfitime bashkia dhe t’u kthehet njerëzve investimi në infrastrukturë dhe shërbime,” përfundoi ai.

Politike

Bardhi dhe Gjekmarkaj seancë dëgjimore në Bundestag: Nga procesi i integrimit shqiptarët duhet të përfitojnë…

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, njëkohësisht Nënkryetar i PD-së, Gazment Bardhi dhe Nënkryetari i Kuvendit dhe Nënkryetar i PD Agron Gjekmarkaj po zhvillojnë një vizitë në Gjermani.

Ata kanë zhvilluar një seancë dëgjimore në Komisionin për Çështje Europiane në Bundestag dhe më pas një takim të veçantë me Kryetarin e Komisionit për Çështje Europiane Z. Anton Hofreiter

Lajmin e ka bërë të ditur Bardhi në një postim në Facebook, ku thekson se procesi i integrimi europian duhet të jetë i vërtetë, të shoqërohet me përafrim tek standardet europiane, tek institucione që japin llogari dhe që respektojnë parimin e ndarjes e balancimit mes pushteteve.

Postimi i plotë:

 

 

Sot gjatë vizitës në Bundestag kishim mundësi të shkëmbenim pikëpamjet tona për procesin e integrimit europian në një seancë dëgjimore në Komisionin për Çështje Europiane dhe më pas me Kyetarin e Komisionit për Çështje Europiane z. Anton Hofreiter.

Sëbashku me Nënkryetarin e PD-së, njëkohësisht Nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, z. Agron Gjekmarkaj, ritheksuam se procesi i integrimi europian duhet të jetë i vërtetë, të shoqërohet me përafrimin me standardet europiane, tek institucione që japin llogari dhe që respektojnë parimin e ndarjes e balancimit mes pushteteve. Nga ky proces shqiptarët duhet të përfitojnë një qeverisje të përkushtuar në shërbim të tyre, të dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe më shumë mirëqenie dhe siguri.

Shteti ligjor, gjyqësori i pavarur, standardet për zgjedhje të lira e të ndershme, lufta ndaj korrupsionit, situata politike në vend dhe opozita funksionale, ishin disa nga çështjet për të cilat diskutuam në seancën dëgjimore në Komision. Shqipëria, kandidate për anëtare në Bashkimin Europian, duhet të ndjek standardet e Gjermanisë, dhe jo standardet e Serbisë apo Gjeorgjisë.

Gjermania, ka qenë dhe mbetet, një partner kyç në rrugën europiane të Shqipërisë. Ndihma e vyer e partnerëve tanë gjerman, na bën besimplotë se shqiptarët nuk janë vetëm në përpjekjen e tyre për antarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Continue Reading

Politike

“Shqipërinë e Madhe mund ta mundë bota serbe”/ Rama i përgjigjet Vulin: Mbaj përgjegjësi

Kreu i qeverisë, Edi Rama, pas përfudnimit të Samitit në Mal të Zi në një konferencë me gazetarët shqiptarë ka komentuar deklaratën e zëvendëskryeministrit serb, Aleksandër Vulin.

Vulin komentoi vizitën e Ramës me shqiptarët që jetojnë në Athinë dhe tha se ky ishte promovim i Shqipërisë së Madhe.

“Shqipëria e madhe mund te ndalet vetëm nga serbet dhe bota serbe, por gjithashtu edhe nga greket; te dashurit greke mendoni për këtë”, tha Aleksandër Vulin zv/kryeministëri i Serbisë.

Ditën e sotme, kreu i qeverisë, Edi Rama lidhur me këtë deklaratë tha: Një njeri i mençur ka thënë se pas të 40 çdo njeri mban përgjegjësi për fytyrën që ka, nëse e shikoni fytyrën e personit të cilit i referoheni, mendoj se s’ka nevojë për asnjë koment tjetër.

Ditën e djeshme, ministria e Jashtme thirr ambasadorin serb në Tiranë Slobodan Vukčević për t’i kërkuar sqarime në lidhje me deklaratat e zëvendëskryeministrit Aleksandër Vulin rreth takimit të kryeministrit Edi Rama me shqiptarët që jetojnë në Greqi.

Ministria i përcolli diplomatit serb qëndrimin se Tirana zyrtare pret reflektim të menjëhershëm nga Beogradi zyrtar për këto deklarata të dëmshme dhe të përsëritura.

“Deklarata provokuese e zyrtarit serb është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit. Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë”, sqaroi në një njoftim për mediat ministria e jashtme.

Continue Reading

Politike

“Italia ha bukë veç”/ Rama zbulon nëse do të ketë marrëveshje me një shtet tjetër për emigrantët

Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar nga Mali i Zi se nuk do të ketë një marrëveshje me shtet tjetër për emigrantët, si ajo me Italinë. Në një bashkëbisedim me gazetarët që po zhvillon atje Rama u shpreh se Britania e Madhe dhe vende të tjera kanë shprehur dëshirën për marrëveshje, por përgjigja e tij mbetet JO. Rama thotë se ua ka shpjeguar arsyet, dhe sipas tij “Italia ha bukë veç.”

“Është shprehur dëshira nga Britania e Madhe e disa vende të tjera, jo vetëm para dhe pas marrëveshjes me Italinë dhe përgjigjja ime ka qenë jo dhe mbetet Jo. Italia është histori tjeter dhe realitet tjetër në tablone e marrëdhënieve tona miqësore dhe ndërkombëtare. U kam shpjeguar arsyet pse Italia ha buk veç”,- tha Rama.

Continue Reading

Politike

Vrasja e efektivit të “Shqiponjave”/ Balla: Kush kundërshton apo i merr jetën një polici, toleranca është zero

Balla: Nuk mund të rri edhe në detyrën e ministrit të Brendshëm që është përballur Policia e shtetit, por që besoj ka solidaritetin e të dy krahëve sa i përket vrasjes së punonjësit të policisë së shtetit, Noruz Cenalia. Pres mbështetjen e secilit prej jush për nevojën që ka policia. Shoqëria duhet të reflektojë për ridimensionimin e dënimeve, por edhe mbështetjes publike, që duhet t’i japim si garantues i vetëm i sigurisë në mënyrë të përditshme.

Ksuh kundërshton me forcë dhe guxon ta thyejë, godasë apo larg qoftë t’i marrë jetën, duhet ta ketë sot të qartë që toleranca e Policisë së Shtetit dhe e drejtësisë duhet të jetë zero.

Continue Reading

Politike

“Të krijohet një zonë e ndaluar për sherret”, Rama ftesë opozitës nga Kotori për reformën e re antikorrupsion

Rama ftesë opozitës nga Kotori: Nuk jam në dijeni, se është depozituar draft rezoluta në parlament, do të ketë procesin e saj, njësoj si kemi bërë me reformën në drejtësi, do ta bëjmë në të gjitha rastet pjesën tonë. Për çështje të caktuara kërkohet një konsensus edhe më i gjerë. Edhe sepse në fund të ditës, të gjitha partitë nuk e diskutojnë që destinacioni është BE. Të krijohet një hapësirë, një zonë e ndaluar për sherret që të mund të vazhdojnë në hapësirat e tjera dhe aty të flitet me gjuhën e ekspertizës dhe jo me gjuhën e shthurur të politikës të ditës.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING