Aktualitet
Grabitja me uniformën e policisë/ Gazetari Hoxha: Familja rome mbante 6 mijë euro, i morën në banesën e kryetarit të bashkisë
Një grabitje e ndodhur më 12 tetor në një banesë të një familjeje rome në Elbasan mund të ketë pasur në qendër një shumë prej miliona eurosh. Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar detaje të reja mbi ngjarjen, duke pretenduar se në banesën e Lorenc Zerellarit ndodheshin rreth 6 milionë euro, të cilat dyshohet se kishin origjinë nga një grabitje e mëparshme në Greqi.
Sipas Hoxhës, paratë ishin gjetur në Greqi nga disa pjesëtarë të komunitetit rom, të cilët po kërkonin për metale në pronën e një ish-kryetari bashkie të ndjerë. Ata thuhet se kishin zbuluar një vend të mbyllur ku ndodheshin rreth 14 milionë euro, të ndara në zarfe dhe të shoqëruara me shënime për destinacionin e tyre. Sipas gazetarit, pjesa që i takoi Zerellarit ishte rreth 6 milionë euro.
Hoxha pretendon se informacioni për praninë e kësaj shume në Shqipëri mbërriti nga Greqia dhe se kjo mund të ketë nxitur organizimin e një grupi personash nga Tirana për të grabitur banesën. Autorët, sipas përshkrimit të tij, kishin përdorur automjete me targa të Kosovës dhe ishin paraqitur si efektivë policie, duke pretenduar se po kryenin një kontroll për drogë dhe armë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit, kur familjarët ndodheshin në gjumë. Sipas gazetarit, grabitësit kishin marrë informacion paraprak për objektivin dhe kishin udhëtuar nga Tirana drejt Elbasanit.
Megjithatë, mbetet e paqartë se sa para janë marrë realisht gjatë grabitjes dhe nëse autorët kanë arritur të gjejnë shumën e pretenduar. Hoxha tha se nga pesë persona të dyshuar janë identifikuar tre, ndërsa fati i 6 milionë eurove mbetet ende i panjohur.