Aktualitet
Incidenti në Gjirokastër/ Ministria sqaron situatë: Vizitori refuzoi të paguante biletën
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka reaguar zyrtarisht pas një videoje të publikuar në portalin “JOQ Albania” lidhur me një incident në Kalanë e Gjirokastrës. Përmes një deklarate për mediat, Ministria e ka cilësuar lajmin të deformuar dhe ka sqaruar dinamikën e ngjarjes bazuar në kamerat e sigurisë.
Media në fjalë e ka postuar videon e dërguar nga vetë qytetari, të shoqëruar me një shkrim ku akuzohet punonjësja ose institucioni për sjellje të papërshtatshme. Sipas institucionit, incidenti ka nisur pasi një qytetar, i shoqëruar nga një grua, ka shmangur radhën e pritjes dhe ka hyrë në ambientet e kalasë në mënyrë të paligjshme nga zona e daljes, pa paguar biletën.
Në momentin që punonjësja e biletarisë i ka kërkuar të respektojë rregullat dhe të kryejë pagesën, qytetari ka refuzuar dhe ka nisur të filmojë me telefon. Ministria shton se ndaj punonjëses është ushtruar presion me tone intimiduese dhe fyerje, gjë që ka detyruar stafin të thërresë rojet e sigurisë për të menaxhuar situatën.
Në reagimin e saj, Ministria dënoi tentativat për të cenuar imazhin e punonjësve të administratës dhe kërkoi nga vizitorët respektimin e rregullave në sitet kulturore. Kalaja e Gjirokastrës, si pasuri e UNESCO-s, ka pritur mbi 60 mijë vizitorë vetëm gjatë këtij viti