Aktualitet
“Kamera, radarë dhe tunele nën vëzhgim/ Intensifikohet bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe ARRSH-së
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skender Hita, i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike dhe Drejtori i Policisë Rrugore, vizitoi Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut.
Drejtori Hita u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, si dhe nga drejtuesit e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut.
Qëllimi i vizitës ishte gjetja e mënyrave që Policia e Shtetit të përfitojë pamjet e prodhuara nga kamerat dhe radarët funksionalë, si dhe nga pajisjet që do të vendosen.
Këto pamje do t’i shërbejnë jo vetëm Policisë Rrugore, në funksion të evidentimit dhe ndëshkimit të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, por edhe strukturave të tjera të Policisë së Shtetit, për rritjen e parametrave të sigurisë publike, parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të tyre.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, theksoi se përdorimi i mjeteve bashkëkohore logjistike dhe i teknologjisë inteligjente, duke minimizuar kontaktin e drejtpërdrejtë të punonjësve të Policisë me përdoruesit e rrugës, do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, por edhe në forcimin e imazhit të vendit dhe të Policisë së Shtetit.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH-së, Ami Kozeli, vlerësoi bashkëpunimin institucional me Policinë e Shtetit, duke nënvizuar se koordinimi ndërmjet institucioneve do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë në akset rrugore dhe në përmirësimin e standardeve të monitorimit të trafikut.
Në përfundim të takimit, Hita dhe Kozeli u dakordësuan që bashkëpunimi për përftimin e pamjeve të finalizohet, si dhe të mundësohet kalibrimi i radarëve në akset rrugore dhe në tunele, me qëllim që pamjet dhe të dhënat e siguruara t’i vihen në dispozicion Policisë së Shtetit për verifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve me masa administrative.