Connect with us

Aktualitet

Kazani sapo ka nisur të nxehet”, Artan Hoxha zbërthen deklaratat e bujshme të Altin Dumanit

Artan Hoxha ka folur për raportimin e kreut të SPAK në KLP.

Hoxha tha se Dumani ngriti disa shqetësime, ndër më të rëndësishmet lidhjet e biznesmenëve të mëdhenj me krimin e organizuar dhe faktin që SPAK nuk ka besim te policia pasi zyrtarë të niveleve të larta në polici, kanë lidhje me krimin.

“SPAK ka një lehtësi të madhe, nuk raporton në Kuvend, por te KLP. Prandaj sot edhe atmosfera aty ishte shumë ekzaltuese, të gjithë në mbështetje të SPAK.

Në raportin që mbajti kreu i SPAK, ishte më i detajuar, ishte interesante që konfirmuan shumë nga problematikat që kemi nxjerrë këtu, bazat e krimit, korrupsioni, madje arriti puna derisa Dumani shkëputi dy elementë, kërkoi që SPAK të lirohet nga dosjet e vogla. Së dyti tha se kemi mungesë të policisë gjyqësore.

Zoti Dumani dha një shifër, në krahasim me vitin 2022, institucionet shtetërore kanë ulur numrin e denoncimeve. Në vend që të shtoheshin, e kanë ulur. Doganat, tatimet. Ai specifikoi krimin ekonomik. Krimi ekonomik duhet të jetë zgjidhje kryesore sot dhe aty duhet të përqëndrohet edhe investimet në burime njerëzore dhe teknologji.

Elementi tjetër, tha se ka disa hetime që nuk mund t’ja besojmë policisë. Tha se janë hetime që i bëjmë me BKH, sepse në disa hetime dalin si bashkëpunëtorë të organizatave kriminale, drejtues të lartë të policisë.

Pra institucionet nuk bëjnë denoncime. Besimi te institucionet, pjesën dërrmuese të veprimeve në terren i bën policia dhe nëse është kjo problamtikë, kemi problem shumë të madh.

Duke parë si do të vijojë, kazani sapo ka nisur të nxehet. Dumani tha se SPAK i vetëm nuk ja del dot.

Ai bëri një ndarje të grupeve kriminale, zonave më të nxehta. Zgjerimin e organizatave kriminale, veprimin e tyre në Amerikën Latine, etj. Përcaktoi zonat e nxeha në vend, përfshirë edhe Portin e Durrësit, ku organizatat e mëdha kanë të gjitha kontakte sepse zbarkon kokaina.

Për herë të parë një drejtues nxjerr shqetësimin dhe thotë biznesmenë të fuqishëm, kryesisht me organizata në nivel lokal, luajnë rolin e ndërmjetësit, sepse organizatat duhet të investojnë, u duhen bizneset.

Problemi më i madh që tha Dumani, ishte fakti që këta biznesmenë kanë lidhje të forta dhe akses në organet e hetimit, polici, gjyqësor dhe këta u krijojnë kontakte që ose të korruptojnë ose të parandalojnë veprimet ndëshkuese ndaj tyre.

Dumani tha se bizneset e mëdha janë kthyer në ndërmjetës mes organizatave kriminale dhe administratës publike. Ky është një alarm.

Saktësoi edhe numrin e personave nën përgjim. Kjo binte në sy sepse u duk shumë i madh numri i personave në përgjim”, tha Hoxha

Aktualitet

Dalin përgjigjet e Lotarisë Amerikane, ja ku mund të shikoni nëse jeni fitues

Janë publikuar përgjigjet e lotarisë amerikane për vitin 2025.

Të gjithë ata që kanë aplikuar për lotarinë amerikane, mund të kontrollojnë rezultatet nëse janë shpallur fitues në faqen e llotarisë amerikane në linkun dvprogram.state.gov.

Ju duhet të keni kodin e konfirmimit për të kontrolluar përgjigjet e lotarisë amerikane. Emrat fitues nuk publikohen nëpër gazeta apo faqe interneti.

Ju duhet ta kontrolloni vetë statusin e aplikimit duke vendosur verification number i cili duhet të fillojë me 2025.

Linku ku mund të kontrolloni nëse a jeni fitues: dvprogram.state.gov

Continue Reading

Aktualitet

Bllokohet qarkullimi në autostradën “Tiranë-Elbasan”? Reagon policia: Ka ngadalësim të lëvizjes për shkak të

Drejtoria e Policisë në Elbasan ka reaguar pas lajmeve se në dalje të autostradës “Tiranë-Elbasan”, është bllokuar lëvizja. Policia sqaron se nuk ka asnjë bllokim të automjeteve por ka ngadalësim të lëvizjes, për shkak të fluksit të automjeteve që vijnë nga Tirana në drejtim të Elbasanit.

Gjithashtu iu bëhet thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë durim, të qëndrojnë në radhë dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara, duke u kthyer në burim për përfshirje në ngjarje rrugore apo për bllokim të lëvizjes në të dy kahet e rrugës.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan

Në lidhje me një lajm të publikuar në media, sipas të cili në dalje të autostradës “Tiranë-Elbasan”, është bllokuar lëvizja, ju informojmë se:

Nuk ka bllokim të qarkullimit të automjeteve, por ka ngadalësim të lëvizjes, për shkak të fluksit të automjeteve që vijnë nga Tirana në drejtim të Elbasanit.

Shërbimet e Qarkullimit Rrugor ndodhen në terren dhe vijojnë intensivisht punën për menaxhimin e qarkullimit të automjeteve.

Drejtuesit e automjeteve të tregojnë durim, të qëndrojnë në radhë dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara, duke u kthyer në burim për përfshirje në ngjarje rrugore apo për bllokim të lëvizjes në të dy kahet e rrugës.

Continue Reading

Aktualitet

‘Mbreti’ i lojrave të fatit/ Dy vjet i zhdukur, SPAK veçon dosjen e Ervis Martinajt

SPAK përfundoi këtë të premte hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen “Metamorfoza”  ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka, i akuzuar për vrasje dhe grup të strukturuar, si dhe të bashkëpunëtorëve të tij, mes tyre një prokuror dhe dy funksionarë policie.

Veç Gjokës, për gjykim janë dërguar edhe të pandehurit Behar Brajoviq; Edmond Preka; Astmer Bilali; dy zyrtarët e policies, Ardit Hasanbegaj dhe Oltian Bistri, si dhe prokurori Xhevahir Lita.

Por në fund të njoftimit, SPAK, thotë se ka veçuar dosjen për personat e tjerë që dyshohen si të implikuar, për të cilët nuk është ekzekutuar ende masa e sigurisë. Një prej tyre është edhe i shumëkërkuari Ervis Martinaj, i cili vazhdon të jetë i zhdukur prej rreth dy vitesh.

“Ndërkohë, për personat e tjerë nën hetim, bashkëpunëtorë në kryerjen e veprave penale të mësipërme, për të cilët nuk janë ekzekutuar akoma masat e sigurimit të miratuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për fakte të tjera kriminale, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në aktivitete kriminale, që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore të kryera në këtë procedim penal, është vendosur ndarja e çështjes penale dhe vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake.”, thuhej në njoftimin e SPAK.

Ervis Martinaj shfaqet në bisedat me Behar Bajrin, të cilit i kërkon vrasjen e Gjin Ndojit. Dhjetëra operacione janë bërë për gjetjen e Martinaj,  por deri tani nuk kanë arritur në asnjë konkluzion zyrtar në lidhje me fatin e tij.

Misteri i zhdukjes

Ervis Martinaj njihej si njeriu që jetonte mes biznesit të lojrave të fatit dhe botës të krimit të organizuar.

Më 9 gusht 2022, 41-vjeçari humbi kontaktet me rrethin e tij shoqëror dhe  familjar, çka solli që një ditë më pas në 10 Gusht xhaxhai i tij Rakip Martinaj të kallëzonte në policinë e Laçit, rastin e humbjes së kontaktit me nipin.

Shijaku ishte pika e fundit e ndalesës së tij, duke hyrë në banesën e një të njohuri A.A. Shijaku mban të fshehur misterin nëse Ervis Martinaj është gjallë apo e kanë vrarë.

Për një periudhë gati 2-vjeçare emri i Ervis Martinajt, ka ngjallur kureshtje, duke e ndarë opinionin publik, median dhe policinë, mes misterit nëse është i gjallë apo është i vdekur.

Prokuroria e Laçit dhe më pas ajo e Lezhës po kryejnë hetime për akuzën e “Rrëmbimit dhe zhdukjes së personit”. Por deri në këtë fazë nuk është bërë e mundur të gjendet asnjë provë apo sinjalizim.

Njerëzit e fundit që shoqëronin Ervis Martinaj nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas, ishin e dashura e tij Sadete Kokomani dhe punonjësi i policisë, Jeton Lami.

Ky i fundit u arrestua për “Shpërdorim detyre” dhe më pas u dënua nga gjykata e Lezhës me dy vjet e 10 ditë burgim.

E megjithëse Prokuroria e Lezhës, për rastin Martinaj po kryen hetime në pistën e rrëmbimit dhe zhdukjes së personit, nga ana tjetër SPAK, brenda 1 viti ka iniciuar 4 procedime penale kundër tij, duke i vendosur 2 masa sigurimi “Arrest në burg”.

Dy herë në kërkim brenda vitit

Nga maji 2022 deri në korrik 2023, Ervis Martinaj është shpallur dy herë në kërkim nga SPAK, si person i implikuar në sigurimin e kushteve për të vrarë Endrit Doklen, Kleant Musabelliut dhe vrasjen e Gjin Boriçit në Shkodër.

Një masë tjetër është dhe inicimi i një hetimi pasuror, duke vendosur sekuestrimin e pasurive të biznesmenit dhe familjarëve të tij. Ndërkohë një proces tjetër është iniciuar në SPAK pas dyshimeve të përfshirjes së tij në trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Europë.

Njëherësh në prokurorinë e Lezhës, në shtator 2022 Martinaj rezulton të jetë marë i pandehur së bashku me Nikolin Nikën, për “Heqjen e paligjshme të lirisë” ndaj 64-vjeçarit Nikoll Buna. Por pas të gjitha këtyre dosjeve penale të lindura brenda 1 viti, Ervis Martinaj, nuk ka dhënë asnjë sinjal që ekziston.

Continue Reading

Aktualitet

E papritur/ Burri denoncon në polici largimin e gruas nga shtëpia me tre fëmijët e mitur

Ditën e djeshme, një burrë ka denoncuar në Komisariatin e Shkodrës, gruan e tij, e cila ka marrë tre fëmijët e mitur dhe është larguar nga shtëpia. Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e një gruaje së bashku me 3 fëmijët e saj ë mitur, e cila është larguar nga banesa.

Bashkëshorti i 39-vjeçares me iniciale A. A. ka kallëzuar se e shoqja është larguar nga banesa, ndërsa policia po punon për gjetjen e gruas dhe fëmijëve të tyre të mitur.

“Më datë 03.05.2024, shtetasi E. A., 31-vjeç, banues në Shkodër, ka kallëzuar se është larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39-vjeçe, së bashku më 3 fëmijët e tyre të mitur. Po punohet për gjetjen e tyre”, raporton policia.

Continue Reading

Aktualitet

Kryepiskopi Anastas uron Pashkët: Të mposhtim hidhërimet me fuqinë e Ngjalljes

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë në prag të Pashkëve.

Ngjallja e Krishtit kulmon këtë vit në mesnatën mes 4 dhe 5 majit për besimtarët ortodoksë që gjenden në javën e Madhe dhe të Shenjtë. Në përkujtimin e vuajtjeve të Jisu Krishtit dhe kryqëzimin e më pas Ngjalljen, Kryepiskopi Anastas vë theksin te konfliktet në Ukrainë, Gaza apo edhe në Sudan e Haiti.

Kryepiskopi flet edhe për më shumë dashuri në vendin tonë, ‘të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë’, thekson Fortlumturia e tij në mesazhin e Pashkëve.

Mesazhi i plotë:

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Mposhtja E Hidhërimeve Me Fuqinë E Ngjalljes

“Të njoh atë me fuqinë e Ngjalljes së tij” (Fil. 3:10)

Ηimni ngjallësor: “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…”, ende kumbon ngadhënjyes dhe ngushëllues në mes të errësirës së melankolisë, të shkaktuar nga ngjarjet e dhimbshme në Ukrainë, Gazë, Sudan, Haiti dhe në vende të tjera të botës, madje edhe këtu, në mjedisin tonë, të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë. Ne e dimë se jemi të brishtë, që e mbajmë “këtë thesar (të besimit) në enë prej balte” (2 Kor. 4:7-8), por kjo ndodh “që të dalë në pah se kjo fuqi tejet e madhe vjen nga Perëndia, jo nga ne”.

Periudha e Pashkës, me një mënyrë të veçantë dhe përmes një përjetimi personal, na fton t’i afrohemi Krishtit, që pëson dhe ngjallet: “Që ta njoh atë dhe fuqinë e Ngjalljes së tij, të marr pjesë në pësimet e tij dhe të bëhem i ngjashëm me të në vdekjen e tij” (Fil. 3:10). Dy të vërteta na e ndriçojnë udhën drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me atë që pësoi dhe u ngjall: Pranimi për të marrë pjesë në pësimet e Tij dhe të qenit i ngjashëm me të në vdekjen e Tij. E kemi theksuar edhe herë tjetër se Ngjallja nuk është diçka që vjen më vete, që vjen pas Kryqit, por gjendet brenda Kryqit, brenda pësimit, kur e pranojmë atë ashtu siç e pranoi edhe Krishti. Dhe anasjelltas, përjetimi i Ngjalljes kërkon gjithnjë si kusht paraprak të bëhemi të ngjashëm me Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur.

Kjo pjesëmarrje në Pësimet dhe Ngjalljen e Tij forcon qëndresën tonë, në mënyrë që të mos na përpijë depresioni dhe dëshpërimi. Himni triumfal themelor, që kumbon fort brenda nesh – “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…” – është shpallja kryesore e besimit të krishterë orthodhoks dhe përmbledh domethënien më të thellë të Mishërimit të Birit dhe Fjalës së Perëndisë. Këtë përvojë të dyfishtë, të Kryqit dhe të Ngjalljes, e përjetojnë dëshmorët e Kishës sonë ndër shekuj. Edhe ne “le të ecim me durim në betejën që na pret, duke soditur Jisuin, që është kreu i besimit tonë dhe ai që e bën atë të përsosur” (Heb. 12: 1-2).

Duke lavdëruar me mirënjohje Perëndinë Triadik gjatë periudhës paskale, le ta shtojmë përpjekjen tonë, në mënyrë që ta përjetojmë këtë bindje dhe le të përçojmë ngushëllim në mjedisin tonë me dhembshuri.

Krishti u Ngjall, vëllezërit e mi!

Pashkë të bekuara, me shëndet, durim dhe mendësi kryqngjallësore!

Continue Reading
Advertisement

TRENDING