Sport
Ardon Jashari ‘hedh bombën’; Më jepni Modriç dhe jam gati për të bërë magji
Ardon Jashari po sheh shenja të qarta ndryshimi te Milani i Ruben Amorimit.
Mesfushori shqiptar, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ka folur për mënyrën e re të lojës së kuqezinjve, ndikimin e trajnerit portugez dhe mundësinë për të formuar një dyshe me Luka Modrić në mesfushë.
Jashari shprehet i kënaqur me paraqitjen e Milanit dhe fitoren në miqësoren ndaj Manchester United, por thekson se skuadra ka ende shumë për të përmirësuar.
“Jam i kënaqur si me fitoren, ashtu edhe me paraqitjen e skuadrës. Mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe po shprehemi mirë si grup. Megjithatë, duhet të përmirësojmë disa detaje, sepse sezoni do të jetë i gjatë”, tha ai.
Mesfushori shqiptar nënvizoi se futbollistët po punojnë çdo ditë për të zbatuar idetë e Amorimit, edhe pse procesi kërkon kohë.
“E dimë se si dëshiron të luajë trajneri. Nuk mund ta zbatojmë gjithçka në mënyrë perfekte brenda një dite, por po punojmë për ta bërë këtë. Kemi bërë një hap përpara, por duhet të përmirësohemi si me topin, ashtu edhe pa të”, u shpreh Jashari.
Jashari–Modrić, një dyshe për Milanin?
Një nga temat më interesante ishte mundësia që Jashari të luajë titullar së bashku me Luka Modrić.
Vendimin përfundimtar do ta marrë Amorim, por shqiptari nuk e fsheh aspak dëshirën për të ndarë fushën me yllin kroat.
“Të luash me Luka Modrić është diçka fantastike. Ai është një nga lojtarët më të mirë në botë dhe të ndash fushën me të është e pabesueshme”, tha Jashari.
Ai kujtoi edhe 30 minutat që të dy luajtën së bashku në përballjen ndaj Interit, duke lënë të kuptohet se kombinimi mes tyre është i mundur.
“Kemi luajtur së bashku 30 minuta kundër Interit dhe mendoj se treguam se mund të luajmë edhe pranë njëri-tjetrit. Të shohim se çfarë do të vendosë trajneri, por unë nuk i them jo të luajturit me Lukën. Përkundrazi…”, deklaroi mesfushori shqiptar.
Për Jasharin, Milani është ende në fazën e ndërtimit të një identiteti të ri. Ai beson se Amorimit duhet t’i jepet kohë për të zbatuar idetë e tij dhe paralajmëron se gjatë këtij procesi mund të ketë edhe momente të vështira.
Por mesfushori shqiptar është i bindur për një gjë:
Milani është në rrugën e duhur.
