Connect with us

Politike

Vrasja e turistit francez/ Taulant Balla flet për besën dhe mikpritjen e shqiptarit

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në Ksamil, ku turisti francez Migel Mendes humbi jetën pasi u godit me thikë nga 29-vjeçari Sokrat Vata.

Në një reagim në rrjetet sociale, Balla ka vlerësuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit, e cila arriti të lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin brenda pak orësh. Ai ka theksuar ndërkohë rëndësinë e ruajtjes së imazhit të Shqipërisë si një vend mikpritës për turistët e huaj.

Sipas Ballës, vrasja e një turisti në Shqipëri është në kundërshtim me traditën shqiptare të mikpritjes dhe besës, ndërsa ka kërkuar që drejtësia të veprojë me vendosmëri për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe ndëshkimin e autorit.

“Policia ka arritur të ndalojë në kohë rekord autorin e një krimi tepër të rëndë në Ksamil. Humbja e jetës së një turisti të huaj nuk është në traditën e shqiptarit. Ata vijnë në Shqipëri në besën dhe mikpritjen e shqiptarit. Drejtësia duhet të bëjë detyrën dhe shembullin!”, shkruan Balla.

29-vjeçari Sokrat Vata u arrestua në zonën e Levanit pas një operacioni të përbashkët të strukturave të Policisë së Vlorës dhe Fierit. Sipas policisë, ai u gjet i fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një shtetase turke 31 vjeç. Në automjet ndodhej edhe një shtetas turk 38 vjeç. Të tre personat u shoqëruan për veprime të mëtejshme procedurale.

Ngjarja ndodhi pas një konflikti të dyshuar mes turistit francez dhe 29-vjeçarit, i cili punonte si truprojë në kompleksin “Principotes”. Sipas të dhënave paraprake, konflikti nisi gjatë një feste dhe më pas vijoi jashtë ambienteve të lokalit, ku Mendes dyshohet se u godit me thikë.

Pas krimit, Vata u largua nga vendi i ngjarjes dhe u shpall në kërkim. Pas lokalizimit në Levan, policia bëri të mundur arrestimin e tij.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, përcaktimin e dinamikës së konfliktit dhe rrethanave që çuan në vrasjen e turistit francez.

Advertisement