Politike
Liderin Berisha e goditën me ujë me presion, jemi në metrin e fundit, regjimi i ka minutat e numëruara
Ai theksoi se dhuna policore ndaj protestuesve, përfshirë përdorimin e ujit me presion ndaj liderit të opozitës Sali Berisha, përbën akt represiv tipik të një qeverie që, sipas tij, po tenton të shtypë zërin qytetar.
Sipas tij, opozita është e vendosur të vijojë betejën deri në përmbysjen përfundimtare, duke e cilësuar këtë përballje si “çmimin e lirisë” që duhet paguar për rikthimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Pjesë nga deklarata:
Të kontrollosh në Wikipedia sot, dihet që Partia Socialiste thjesht ka ndërruar emrin. Por problemi është që në jetën tonë, që po na imponohet sot edhe kulturalisht, po imponohet që vila e një gjakatari duhet të bëhet inspirimi i një arti botëror. Edhe ato institucione ndërkombëtare që mund të kenë investuar te kjo vilë, patjetër mendoj se kanë investuar gabimisht, sepse ka plot objekte në Shqipëri që duhen rilindur, si për shembull vila ku ka lindur Mid’hat Frashëri, vila ku ka lindur Gjergj Fishta, e cila është e rrënuar, si dhe vila ku kanë lindur njerëz të tjerë. Unë kam qenë në Përmet, te vila e Frashërllinjve, dhe nuk ka rrugë për të shkuar. Pra, kombi shqiptar dhe arti botëror që mund të vijë në Shqipëri nuk mund të përkufizohen nga vila e një gjakatari.
Po patjetër që është një reprezalje që vetë diktatura bën. Pra kjo… Shiko, ne jemi të përgatitur, siç ka thënë edhe lideri ynë në mënyrë simbolike, jemi në kilometrin e fundit. Unë mendoj se jemi në metrin e fundit; dikush tjetër mund të mendojë se jemi në centimetrin e fundit; dikush tjetër mund të mendojë se jemi në 100 kilometrat e fundit. Nuk ka rëndësi distanca, por dedikimi i njerëzve për të qenë në kapitullin e fundit të këtij narko-regjimi që është instaluar është shumë i qartë. Këto reprezalje që do të vijnë nga policia janë të pritshme. Ne nuk jemi të çuditur nga kjo gjë. Për median, ju jeni gazetarë dhe e bëni këtë pyetje se si ka mundësi që kjo ndodh. Mund ta bëjë edhe dikush që është i pavarur, që mund të vijë nga institucionet e huaja dhe të monitorojë Shqipërinë. Nga të pavarurit e varur, që paguhen nga ky narko-regjim, nuk e pres. Por ne i presim këto reagime dhe në të njëjtën mënyrë do t’i përballojmë. Kur shohim një lider 82-vjeçar, Sali Berisha, që përballon bomba uji dhe në të njëjtën kohë del menjëherë për të dhënë intervistë për të motivuar njerëzit, nuk duhet të na bëjnë më përshtypje këto reagime. As dhuna policore, as shoqërimet në komisariate, as arrestimet e paligjshme dhe çdo lloj persekutimi që mund të vijë. Sepse çmimi që duhet të paguajmë për lirinë që do të vijë është pikërisht ky dhe nuk do të trembemi nga ky skenar. Tani iku Ilir Proda, do të vijë një më gjakatar se Ilir Proda, sepse këta vetëm e rrisin dhunën dhe persekutimin. Por duhet të dimë që motivimi i protestuesve, i kryengritësve dhe i çliruesve të demokracisë, që do të sjellin demokracinë në Shqipëri, rritet edhe më shumë, madje në mënyrë eksponenciale. Protesta e ardhshme do të jetë edhe më e fortë dhe në të njëjtën kohë edhe më surprizuese për narko-regjimin në të cilin jetojmë.
Progres ka pasur, por objektivi ende jo, sepse Edi Rama është edhe sot kryeministri i Shqipërisë. Ai është ende sot vrasësi i ëndrrave të rinisë shqiptare. Është ende sot shpopulluesi i Shqipërisë. Është ende sot taksidari i Shqipërisë, është ende sot narko-trafikanti i Shqipërisë dhe është ende sot narko-investuesi në Shqipëri. Objektivi nuk është arritur, por progres patjetër ka pasur. Objektivi i sigurt është që ne do ta arrijmë dhe shumë shpejt.
Edi Rama do të marrë një veto dhe një izolim nga ndërkombëtarët, por kjo mbetet për t’u parë. Për momentin është ende në atë flluskën e tij, të cilën mendon se e menaxhon, por ajo flluskë është çarë. Në ditët, javët dhe muajt e ardhshëm do të jetë një nga narko-diktatorët e izoluar në Evropë. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të bëjë asgjë nëse nuk ndërhyn ushtarakisht; nuk mund të rrëzojë një regjim. Sigurisht që komuniteti ndërkombëtar ka të drejtën të shprehë opinionin e vet në lidhje me disa çështje, për shembull vetoja që vendos Gjermania për çështjen Balluku: nëse nuk hetohet dhe nuk i hiqet imuniteti, atëherë pezullohet integrimi për në Bashkimin Evropian. Edhe Nikola Gratteri është përmendur në këtë kontekst. Ata mund të vendosin veton dhe kështu të shkatërrojnë premtimin e Edi Ramës për zgjedhjet e 11 majit 2025, që ishte Shqipëria në BE në vitin 2030. Pra, ata vendosën veton dhe i shkatërruan premtimin. Por kush e rrëzon Edi Ramën është pikërisht populli shqiptar, që duhet të ngrihet dhe ta rrëzojë, sepse nuk po realizohet premtimi për të cilin ai pretendon se u votua në një farsë elektorale.
Çfarëdo ndihme që mund të vijë nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët i kemi pritur dhe takuar, si në partitë popullore evropiane, ashtu edhe në Washington dhe në SHBA, kemi marrë inkurajimin se të vetmit që mund ta rrëzojnë Edi Ramën janë populli shqiptar, sepse Shqipëria është një shtet sovran. Për këtë i bëj thirrje të gjithë popullsisë në Shqipëri: të rinjve, të moshuarve, të larguarve dhe të rikthyerve. Edi Rama është diçka që do ta rrëzojmë ne. Komuniteti ndërkombëtar nuk do t’i japë më oksigjen atij. Mund të ketë edhe ndonjë të korruptuar, si Marta Kos, që ai e sjell këtu për të bërë ndonjë deklaratë, por ju lutem ndiqni deklaratat zyrtare të organizatave ndërkombëtare. I gjithë Bashkimi Evropian do të vendosë veto jo sepse nuk e do Shqipërinë në familjen evropiane Shqipërinë e do një orë e më parë por sepse personi që e ka ndaluar Shqipërinë të jetë pjesë e kësaj familjeje bashkëpunon me kartelet e drogës dhe pastron para në ekonominë shqiptare, para që vijnë nga helmimi i vendeve evropiane. Nuk duan një vend ku rrugët shemben nga korrupsioni, jo nga fatkeqësitë natyrore; shemben nga korrupsioni. Nuk duan një vend ku administrata është e militantizuar dhe e politizuar.