Connect with us

Aktualitet

“Mos u afro, mos hy në gjak me mua…”, shefi i policisë në burgun e Peqinit tregon bisedën me Mjacajn

Shefi i Policisë në burgun e Peqinit, Qani Muça, i cili prej vitesh punonte specialist i regjimit 41Biz në burgje, ka deklaruar para prokurorëve të Elbasanit se ditën e ngjarjes ku mbeti i vrarë Arben Lleshi, ishte i pari që kishte kontaktuar me autorin e krimit, Sokol Mjacaj.

Ai ka deklaruar se autori i krimit, Sokol Mjacaj i ka drejtuar armën e zjarrit, duke i thënë që të mos i afrohet, pasi në të kundër do të futet në gjak me të.

“Shef mos u afro! Mos hy në gjak me mua, se nuk kam gjë me ty”. I kërkova ta ulte armën dhe të flisnin për të sqaruar rrethanat, pasi aktualisht nuk e dija se çfarë kishte ndodhur. Në këtë kohë, u afrua Drejtori i Institucionit, i cili më urdhëroi ta mbyllja derën dhe vazhdoi të komunikonte me të dënuarin, duke i bërë thirrje vazhdimisht që të qetësohej dhe të ulte armën. Pas kësaj, Drejtori i Institucionit ka qendruar pas derës duke vazhduar komunikimin për të burgosurin që qendronte pas derës, kurse unë dhe një pjesë e punonjësve të grupit të sigurisë shkuan në vendin ku kishte ndodhur ngjarja”, ka treguar nder te tjera Qani Muça.

Deshmia e Qani Muçes

Prej 17 vitesh jam pjesë e sistemit të burgjeve. Në tetor të vitit 2022 jam trasnsferuar nga IEVP Elbasan në IEVP Peqin, me detyrë Specialist i Regjimit të Posaçëm “41Bis”. Ditën e djeshme, më datë 14.12.2023, nga Drejtori i Institucionit, Kamber Hoxha jam njohur me një urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, z. Admir Abria për emërimin tim në detyrën e Shefit të Policisë së IEVP Peqin. Që në momentin e komunikimit, i kam deklaruar Drejtorit të Institucionit se nuk jam pyetur dhe as nuk më është marrë mendimi për t’u emëruar në këtë detyrë dhe se për arsye personale nuk mendoj se jam në gjëndje ta kryej këtë detyrë dhe nuk do të pranoj marrjen e saj.

Nga ana e Drejtorit të Institucionit mu tha që meqenëse ka dalë urdhëri i Drejtorit të Përgjithshëm dhe aktualisht nuk kemi tjetër njeri për ta caktuar në këtë detyrë, përpiqu ta mbulosh kryerjen e kësaj detyre, krahas detyrës tënde funksionale, derisa të zgjidhet ky problem me instancat e emërtesës. Kështu që, nga dita e djeshme, krahas detyrës time funksionale si specialist i regjimit të posaçëm, i cili në këtë institucion mbulon edhe detyrën e specialistit të paraburgimit, jam përpjekur të mbuloj edhe detyrën e Shefit të Policisë. Theksoj se gjatë ditës së djeshme në këtë institucion ka ardhur për inspektim Drejtori i Policisë së Burgjeve Drejtues i Lartë Paulin Rajta, të cilit i ka shprehur të njëjtin qëndrim se nuk është dakord dhe nuk mund të marr përsipër kryerjen e detyrës së Shefit të Policisë.

Nga ana e tij, m’u kërkua që të vazhdoj me aq sa mundet ta mbuloj këtë detyrë, krahas detyrës time funksionale, derisa ta diskutonte këtë problem me Drejtorin e Përgjithshëm dhe do të më kthente përgjigje. Ditën e sotme ka vazhduar kryerjen e detyrës time funksionale si Specialist i Regjimit të Posaçëm dhe Paraburgimit. Në bazë të rregullores së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, marrja dhe dorëzimi i detyrës së Shefit të Policisë së Intitucionit, bëhet me Komision, brenda një afati deri në 5 (pesë) ditë, ku në procesverbalin për marrjen dhe dorëzimin e detyrës funksionale firmosin personi që dorëzon detyrën e Shefit të Policisë dhe personi që merr këtë detyrë. Përpara se të firmoset procesverbali, bëhet marrja në dorëzim e dokumentacionit që ka patur në administrim Shefi i Policisë që dorëzon detyrën. Këtë procesverbal unë nuk e kam firmosur ende, pasi nuk kam marrë në dorëzim detyrën e Shefit të Policisë. Sot, më datë 15.12.2023, jam paraqitur si çdo ditë tjetër në orë 08:00 në punë dhe si çdo ditë tjetër kemi vazhduar me rutinën e punëve të përditshme.

Konkretisht, kemi zhvilluar komunikatën informuese të mëngjesit me specialistët e informacionit dhe shefat e regjimeve dhe pas kësaj, jemi ndarë në ndjekjen e problemeve në regjim, sipas përkatësisë. Unë konkretisht, kam bërë kontrollin e elementëve të sigurisë në seksionin e regjimit të posacëm, pasi ky kontroll në këtë seksion bëhet çdo ditë dhe pas kësaj kam shkuar në Seksionin e Paraburgimit, ku jam marrë me probleme të rutinës së përditshme, si lëvizja brenda regjimit, kërkesat e të paraburgosurve, ndjekja e kryerjes së shërbimit, etj. Në të njëjtën kohë, rreth orës 11:00, por me siguri nuk di të them se sa ka qenë ora, kam shkuar në pjesën e observimit, ku kam marrë kontakt me një të paraburgosur që ndodhej aty dhe duhej të sistemohej në Seksionin e Paraburgimit. Në të njëjtën kohë, me urdhër të Drejtorit të Institucionit kemi marrë pjesë në Komisionin e Disiplinës, unë dhe Specialisti i Regjimit të Godinës A, i quajtur N/Komisar Ndriçim Hasa. Pas kësaj, rreth orës 12:30, bashkë me Ndriçim Hasën kemi marrë pjesë në Komisionin për Kontrollin dhe Futjen e Sendeve Elektroshtëpiake. Afërsisht në këtë kohë, kam dëgjuar në radio që kishte një problem në pjesën e ajrimit të Godinës B. Në këtë moment, të gjithë ne që ishim në pjesën hyrëse të Regjimit, domethënë, Unë, Ndriçim Hasa dhe Specialisti i Informacionit Arben Dulelllari dhe Specialisti i Regjimit të Jashtëm Rrapush Lepuri, jemi nisur për të shkuar në vendin ku kishte probleme. Pa arritur të futeshim në regjim, punonjësit e grupit të sigurisë, po nxirrnin jashtë një të dënuar, që dukej se ishte i plagosur.

Nuk arrita të kuptoj se çfarë kishte ndodhur apo çfarë problemi kishte i burgosuri, por pashë që ai mbahej në dorë nga punonjësit e sigurisë. Në këtë kohë, sipas urdhërit të Drejtorit të Instituconit është futur Ambulanca, ku në të është vendosur i dëmtuari dhe njëkohësisht edhe një i dënuar tjetër i cili pretendonte se ishte i plagosur. Në këtë moment nuk arrita të identifikoj asnjërin prej tyre. Pas futjes së personave të dëmtuar në Ambulancë, nga ana e Specialistit të Informacionit u organizua shoqërimi i tyre për në Spitalin Civil Peqin, duke marrë të gjitha masat për ruajtjen sipas rregullave të caktuara.

Unë, Ndriçim Hasa dhe Drejtori i Institucionit dhe pjesa e punonjësve të sigurisë që ishin aty, u futëm menjëherë në regjim, me qëllim për të shkuar në vendin e ngjarjes dhe për të sqaruar çfarë kishte ndodhur dhe për të marrë masat e nevojshme. Nga punonjësit e policisë, brenda regjimit, nuk më kujtohet ekzaktësisht se kush, na u tha se personi që kishte plagosur dy të dënuarit (të dëmtuar), gjendej aktualisht në ambjentet e takimeve të Godinës B. Shkuam me shpejtësi dhe unë u afrova i pari te dera hyrëse, me qëllim për të hapur derën. Nga ana tjetër e derës qendronte një i dënuar, që më vonë mora vesh se ishte Sokol Mjacaj dhe pikërisht në kohën kur unë tentova të hap derën, i dënuar më drejtoi një armë zjarri, të llojit pistoletë dhe më tha “Shef mos u afro! Mos hy në gjak me mua, se nuk kam gjë me ty”.

I kërkova ta ulte armën dhe të flisnin për të sqaruar rrethanat, pasi aktualisht nuk e dija se çfarë kishte ndodhur. Në këtë kohë, u afrua Drejtori i Institucionit, i cili më urdhëroi ta mbyllja derën dhe vazhdoi të komunikonte me të dënuarin, duke i bërë thirrje vazhdimisht që të qetësohej dhe të ulte armën. Pas kësaj, Drejtori i Institucionit ka qendruar pas derës duke vazhduar komunikimin për të burgosurin që qendronte pas derës, kurse unë dhe një pjesë e punonjësve të grupit të sigurisë shkuan në vendin ku kishte ndodhur ngjarja.

Nga punonjësi i policisë me shërbim vëzhgues ajrimi, Nëninspekor Indrit Dubali, shkurtimisht në mënyrë të përmbledhur, na sqaroi se i paraburgosuri Sokol Mjaca, kur kishte dalë nga fusha e ajrimit për të shkuar në dhomë, nga dritarja e dhomës ku ka ndodhur ngjarja, kishte komunikuar me të dënuarin Indrit Shaqja dhe i kishte kërkuar që të thërriste, për të komunikuar, të dënuarin Arben Lleshi. Sapo ishte afruar i dënuari Arben Lleshi te dritarja, Sokol Mjaca e kishte qëlluar me armë. Njëkohësisht, i kishte drejtuar armën edhe punonjësit të vëzhgimit, Indrit Dubali, duke i kërkuar që të hapte portën për të dalë nga pjesa e ajrimit. Nëninspektor Indrit Dubali, nën kërcënimin e armës, kishte hapur portën dhe i burgosur i armatosur kishte vrapuar në drejtim të ambjenteve të takimeve të Godinës B, duke u futur brenda tyre, ku edhe e gjetëm ne. Ndërkohë pas tij kishin shkuar, duke vrapuar edhe disa të dënuar të tjerë, shokë me të dëmtuarit Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja.

Të gjitha këto janë sipas thënieve të punonjësit Indrit Dubali. Pas kësaj me punonjësit e grupit të sigurisë, kemi bërë mbylljen e dhomës ku kishte ndodhur ngjarja dhe mbylljen e dhomës ku kishte qenë i akomoduar i dënuari Sokol Mjaca. Kemi caktuar dy punonjës policie për të ruajtur të paprekur vendin e ngjarjes dhe kemi nxjerrë çelësat te specialisti i informacionit. Në të njëjtën kohë, kemi marrë masa për futjen në dhoma të dënuarve dhe akomoduarve në këtë sektor dhe jemi përpjekur ti qetësojmë pasi ishin shumë të irrituar. Me porosi të Drejtorit të Institucionit kemi marrë masa për forcimin e shërbimeve dhe marrjen e masave për sigurimin e të dënuarve. unë nuk kam dijeni për asnjë lloj konflikti midis tyre, pasi të dënuarit e përmendur më lart janë të akomoduar në seksione të sigurisë së lartë, ndërsa unë mbuloj Seksionin e Paraburgimit dhe të Regjimit të Posaçëm. Unë nuk kam dijeni për kohën e kontrollit të dhomave pasi nuk kryhet nga unë.

Ky kontroll kryhet nga Specialisti i Regjimit të vet. Në lidhje me kontrollin e elementëve të sigurisë, kontrolli i fundit është kryer ditën e martë, por nuk di të them se kush kanë qenë personat që e kanë kryer. Këtu dua të theksoj se kontrolli i ditës së martë kryhet nga specialisti i regjimit përkatës dhe vetëm ai i ditës së shtunë kryhet nën drejtimin e Shefit të Policisë. Unë nuk kam marrë pjesë asnjëherë në kontrollin e ambjenteve ku kanë qenë të akomoduar të dënuarit e mësipërm, pasi kam kryer kontrollin e Seksionit të Paraburgimit dhe të Regjimit të Posaçëm.

Aktualitet

Dyer të blinduara e një shtëpi e tërë nëntokë, ç’fshihet poshtë tregut agro-ushqimor në Elbasan (FOTO)

Tregu “agro-ushqimor” në Elbasan është vënë shpesh herë në fokus të kronikave të zeza, për shkak se është në pronësi të Petrit Çelës, babai i Suel Çelës (Marjus Lulaj). Ky i fundit është një prej të shumë-kërkuarve nga Policia, teksa është shpallur prej kohësh në kërkim nga SPAK.

Gjithashtu, aty ka ndodhur dhe një ngjarje e rëndë më 18 shtator të 2017-së. Në këtë datë në mbrëmje para tregut Agro-Ushqimor Policia ndaloi një Range-Rover ku brenda tij ishin Enea Bekteshi e Kelmend Xhaferri. Por në momentin që policët po largoheshin, një Audi i blinduar vjen drejt makinave të uniformave blu dhe në këtë moment përplasen me njëra-tjetrën. Sipas Prokurorisë Policia ishte në aksion dhe Audi që drejtohej nga Suel Çela ka goditur me qëllim makinën e Gjergji Oshafit.

Tregu “agro-ushqimor” në Elbasan ka qenë shpesh herë objekt i kontrolleve të Policisë për kapjen e Suel Çelës, por gjithmonë nga aty kanë dalë “duar bosh”.

Por, përveçse një treg agro-ushqimor, në ambientet nëntokësore të tij ndodhet një “apartament” i tërë dhe pamjet zbulohen për herë të parë.

Siç shihet dhe nga pamjet e publikuara nga INA MEDIA, aty ka disa dhoma gjumi, një kuzhinë, një kuzhinë, një tualet, ambient ngrënie, pra komplet si një shtëpi normale. Ndërkohë, ajo mbikëqyret me kamera sigurie dhe dyert e saj janë të blinduara, ku nlse hyn, del vetëm me dëshirën tënde.

Nga pamjet lë të kuptohet se aty mund të kenë qëndruar dhe personazhe të krimit të shpallur në kërkim nga drejtësia apo Policia.

Ndaj 35-vjeçarit Suel Çela (Marjus Lulaj) vijon në fuqi një masë sigurie “Arrest me burg, në mungesë”, e vendosur nga Gjykata e Posaçme. Ndaj tij po zhvillohen hetime nga SPAK për grup të strukturuar kriminal, vrasje me paramendim, e mbetur në tentativë ndaj Lulzim Mashës, sigurim i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje në dëm të shtetasit Elton Kila.     

Continue Reading

Aktualitet

Dëm 1.1 mld euro te Energjia/ Ekspertët: Duhen të nxirren përgjegjësi për keqmenaxhim

Por çfarë deklaron në bilancin e fundit OSHEE në lidhje me KESH? Dëmi që mund të jetë bërë në këtë fushë shkon deri në 600 milionë euro. Kjo pasi paraprakisht u nënshkrua një marrëveshje në 6 prill 2018 për shlyerjen e 56 milionë eurove detyrime ndërmjet OSHEE-së dhe KESH-it. Aktualisht nga projektbuxheti i vitit 2024 rezulton se OSHEE ka detyrime ndaj KESH nga 554 milionë euro deri në 587 milionë euro.

Ky fakt konfirmon mosnjohjen e detyrimeve reciproke midis dy institucioneve më të rëndësishme të energjisë elektrike, e cila lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare.

Nga të dhënat e projektbuxhetit 2024 evidentohet se për të përballuar krizën energjetike 2021-2023, qeveria shqiptare ka akorduar disa fonde me vlerë totale 50 miliardë lekë ose 500 milionë euro.

 

 

Vetëm duke mbledhur borxhet e OSHEE, KESH dhe OST, krijohet një gropë financiare me vlerë 1.1 miliardë euro, e cila përbën 16% të buxhetit të shtetit për vitin 2024.

Por, edhe OST ka detyrime ndaj KESH-it, për të cilat palët akoma nuk janë marrë vesh.

Por përse janë fshehur bilancet?

Ishin këto pasaktësi në buxhet që nxitën gazetarët e “Vetting” për të hetuar se si janë mbajtur bilancet dhe a mund të ishte shmangur ky keqkuptim sikurse pretendojnë deri tani të dy ndërmarrjet, për këtë shumë jo të vogël. Bilancet janë të rëndësishme pasi vetëm përmes tyre evidentohet lehtësisht se si qëndron ky hendek borxhesh dhe arkëtimesh.

Sipas ekspertit të energjisë, Klodian Gradecit, në 3 vitet e fundit, çmimet e energjisë kanë qenë të favorshme për bilancet e Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare.

“Këto tregojnë fare mirë, që ka qenë mundësia e shkëlqyer që Shqipëria të dilte me bilance pozitive në sektorin e energjisë. Nuk bën logjikë, që KESH si prodhues të ketë bilanc negativ,  por vendosja e situatës së emergjencës dhe vendosja e disa detyrave KESh-it, për të mbuluar humbjet dhe detyrimet që kishte FSHU-ja ose OSHEE-ja për të furnizuar klientët e tij, ka çuar që KESH-i të ketë një bilanc negativ”, tha eksperti i energjisë, Gradeci për “Vetting”.

Eksperti Gradeci shtoi se bilancet që nuk pasqyrohen, pasi nëse pasqyrohen do të tregojnë që janë bilance me humbje dhe do duhet të dalin përgjegjësitë që lidhen me keqmenaxhimin./balkanweb

Continue Reading

Aktualitet

SPAK: Amnistia penale shkurtoi dënimin e dhjetëra zyrtarëve të korruptuar

Në një përgjigje zyrtare për BIRN të martën, Prokuroria e Posaçme bëri me dije se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përfituan nga ligji “Për amnistinë”, i miratuar me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës më 4 prill në Kuvend.

Mes tyre, 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm përfituan falje, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera apo shpërdorimit të detyrës përfituan ulje dënimi.

Sipas të dhënave që SPAK vuri në dispozicion, ulje dënimi përfituan 16 funksionarë publikë të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë për shkelje të barazisë në tenderë si dhe 7 gjyqtarë dhe prokurorë të dënuar gjithashtu për vepra penale të korrupsionit. Dy prej përfituesve ishin të dënuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Për ekspertët e politikës dhe legjislacionit, ligji “Për amnistinë” dhe pasojat e tij janë një mesazh i gabuar dhe një përpjekje e koordinuar e palëve politike në vend për të sabotuar institucionet e posaçme dhe luftën kundër korrupsionit.

“Amnistia e kohëve të fundit është hapi i tretë në morinë e përpjekjeve për ta minuar Reformën në Drejtësi,” tha Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike shkon më tej, ndërsa ngre dyshime mbi mënyrën se si u soll në jetë ky ligj dhe kërkon që SPAK të hetojë nëse pas formulimit ka apo jo konflikt interes.

Duke iu referuar mungesës së konsultimit publik dhe mënyrës se si u negociua ligji, Krasniqi thekson se krijohen “dyshime të arsyeshme që kemi të bëjmë me një proces me ndikime personale dhe shpesh edhe korruptive”.

I pyetur nga BIRN mbi lirimin e zyrtarëve dhe magjistratëve të korruptuar, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi, ndërsa  kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi nuk komentoi.

Zotimet e Manjës dhe Bardhit

Projektligji i qeverisë u mbajt peng për mungesë votash për disa muaj dhe u ndryshua në komisionin e Ligjeve nga deputetët e shumicës, duke futur në kategoritë e përfituesve edhe subjektet e dënuar nga Gjykata e Posaçme.

Pas një dakordësie mes mazhorancës dhe një pjese të opozitës, Kuvendi arriti të miratojë me 4 prill ligjin “Për amnistinë penale”  me 116 vota pro në parim dhe 110 vota në votimin final.

Të vënë nën presion publik se përmes ligjit “Për Amnistinë” po falnin të dënuarit për korrupsion duke cenuar punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, premtuan disa herë se kjo nuk do të ndodhte.

“…Hapini sytë dhe lexojeni ligjin, se jeni jurist! Asnjë i dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, as nuk përfiton nga kjo amnisti dhe as nuk i zbritet dënimi,” tha në seancën parlamentare të 4 prillit ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Edhe Gazment Bardhi mbajti një qëndrim të ngjashëm, një ngjarje e rrallë për demokracinë e brishtë parlamentare shqiptare.

“Me amendamentin tonë dhe analizën e plotë të kryer nga ekspertët, asnjë person, zyrtar i lartë, i dënuar për korrupsion, i dënuar për abuzim me tenderë, i dënuar për shpërdorime me koncesionet apo partneritetet publike-private, i përfshirë në akte korrupsioni aktiv apo pasiv, nuk përfiton nga amnistia,” premtoi Bardhi.

Të dënuarit nga GJKKO përfitojnë nga amnistia

Premtimet e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe përfaqësuesve të opozitës se ligji “Për amnistinë” nuk prekte funksionarët e korruptuar, u përgënjeshtruan sapo ligji hyri në fuqi.

Prokuroria e Posaçme tha në një përgjigje zyrtare për BIRN se pas miratimit të ligjit, ajo bëri një analizë të detajuar të dhënash në bashkëpunim edhe me institucione të tjera të përfshira. SPAK bëri me dije se sipas analizës, 100 persona ishin përfitues sipas ligjit.

“Nga ky përditësim i analizës, arrihet në përfundimin se janë rreth 40 persona të cilët mund të përfitojnë nga përjashtimi i dënimit dhe rreth 60 persona të cilët mund të jenë subjekt i përfitimit të uljes së dënimit sipas këtij ligji,” shkruhet në përgjigjen e SPAK.

SPAK sqaron se 40 janë përfitues të amnistisë që u falet tërësisht dënimi. Këta janë të dënuar nga Gjykata e Posaçme në vitet 2023 dhe 2024 për akuzën “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Në këtë kategori përfshihen kryesisht ryshfet-dhënësit.

Përveç tyre, 60 të dënuar për vepra të lidhura kryesisht me korrupsionin në vitet 2023 dhe 2024 përfitojnë ulje të dënimit. SPAK bën me dije se nga këta, 16 janë të dënuar me burg dhe pjesa tjetër kanë dënime të formave alternative.

“Numri i personave të cilët janë liruar nga burgu si rezultat i uljes se dënimit është 15 persona,” tha SPAK. “Ndërkohë është 1 person i cili ka përfituar ulje dënimi 1 vit e 6 muaj burgim, por vazhdon dënimin për pjesën tjetër të pavuajtur të dënimit”, shtoi SPAK.

Mes personave që përfitojnë nga amnistia janë dhe 7 anëtarë të sistemit të drejtësisë të dënuar për akuzën e “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Sipas të dhënave nga SPAK, në listën me 60 përfitues vetëm 8 janë për vepra penale që nuk përfshijnë korrupsionin apo funksionet publike. Këtu janë 5 të dënuar për kultivim e prodhim droge, 1 i dënuar për dhënie ndihme në kalimin e kufirit dhe 2 të dënuar të tjerë për thirrje dhe propagandë që nxit terrorizmin.

Mesazh kundër SPAK

Në vitin 2016, Shqipëria ndërmori një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, me qëllim krijimin e një sistemi të pavarur që mund të luftonte korrupsionin, një prej shqetësimeve kryesore të qytetarëve.

Në paketën e Reformës u përfshi krijimi i Gjykatë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i Prokurorisë së Posaçme dhe një strukture speciale policie të njohur si Byroja Kombëtare e Hetimit.  Detyra e tyre kryesore ishte hetimi dhe dënimin i të korruptuarve administratën publike dhe në nivele të larta të shtetit.  Pas zvarritjeve për disa vite, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve politike, institucionet e posaçme për luftën ndaj korrupsionit filluan të funksiononin me krijimin e SPAK në dhjetor 2019.

Katër vjet më vonë, kur strukturat e posaçme filluan të japin rezultatet e para në këtë proces, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë dhe me mbështetje thuajse unanime të deputetëve të Kuvendit – përfshi opozitën, u miratua ligji për amnistinë. Ky i fundit në mënyrë të debatueshme, pavarësisht kundërshtimeve publike, përfshiu veprat penale që hetohen dhe gjykohen nga strukturat anti-korrupsion.

Për ekspertë të politikës dhe ligjvënies, kjo është një përpjekje për t’i dekurajuar këto institucione dhe minim i Reformës në Drejtësi.

“Në momentin që pritet kaq shumë prej tij [SPAK], të amnistosh individë që janë subjekt hetimi apo janë gjykuar, mendoj që është mesazh krejt i gabuar dhe e dëmton imazhin dhe vetë atë që quhet integriteti i Reformës në Drejtësi,” thotë Afrim Krasniqi.

Krasniqi arsyeton se qëndrimet e palëve në këto proces janë të dyshimta dhe se SPAK duhet të hetojë për këtë vendimmarrje, për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me një procedurë normale apo “me allishverish”.

“SPAK-u të kishte nisur hetime për të parë nëse vendimmarrja e parlamentit është vendimmarrje procedurale parlamentare apo janë fshehur konflikte interesi dhe nevoja personale të deputetëve të caktuar lobues,” tha ai.

Nga ana e tij, Zef Preçi nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike thotë se amnistia është një hipokrizi e tërë klasës politike. Ai thotë me ironi se sa herë bëhet fjalë për të ngritur pengesa për SPAK-un,  ka një mirëkuptim mes shumicës dhe pakicës parlamentare.

“Ka një mirëkuptim të çuditshëm mes mazhorancës dhe opozitës kur vjen puna te kontrollimi i këtyre institucioneve të pavarura, një mirëkuptim që nuk shihet sa i përket institucioneve inaktive si ILDKPKI e të ngjashme,” tha ai.

Preçi thotë se kjo është e disata përpjekje e politikës, kryesisht prej shumicës, për të sabotuar SPAK. Sipas tij, hapi i parë ishte mbushja e SPAK me dosje nga i ashtuquajturi Operacioni Forca e Ligjit, i cili “shpenzoi burimet njerëzore dhe financiare, por nuk solli asnjë të mirë publike”. Së dyti, ai vë në dukje parashikimet ligjore për shpërdorim detyre dhe uljen e dënimit, që u mundëson zyrtarëve të mbyllin procedurialisht çështjet në këtë kategori.

Ngjashëm edhe Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare i sheh palët politike të bashkuara në një marrëveshje të dyshimtë kundër SPAK.

“Amnistinë e shoh si shpallje lufte ndaj drejtësisë së re nga klasa e vjetër politike. I vetmi bashkim që pati politika, në kulmin e ndasive ishte beteja ndaj SPAK-ut,” thotë ai.

Xhemollari e cilëson si një akt të rëndë amnistinë apo uljen e dënimit për të korruptuarit.

“Nuk ka rëndësi se çfarë statusi kanë funksionarët publikë, apo cila gjykatë i ka gjykuar. Në një vend ku korrupsioni dhe pandëshkueshmëria ka qenë problemi kryesor i vendit, zhbërja e vendimeve të institucioneve që filluan të ndëshkojnë korrupsionin dhe fituan besimin e publikut konsiderohet si tradhti ndaj bashkëqytetarëve,” përfundoi ai.

Continue Reading

Aktualitet

Investigimi/ Skema e “mashtrimit” me kreditë çon guvernatorin Sejko në SPAK

Prokuroria e Tiranës vlerëson se guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko duhet të hetohet për “shpërdorim detyre” nga SPAK, pasi dyshohet se mori masa të vonuara dhe të papërshtatshme për të frenuar skemën e dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve nga shoqëria e mikrokredive MCA.

Në vitin 2016, Kristo Puleshi nuk e mori seriozisht kërkesën e zyrës Albanian Debt Collection Agency, ADCA, për të paguar një detyrim prej 58 mijë lekësh. Në shkresën që zyra ligjore i nisi për llogari të institucionit Micro Credit Albania, MCA, ai njoftohej se rezultonte dorëzanës i një kredie të marrë nga shoku i tij i fëmijërisë me vlerë 30 mijë lekë – kredi e cila ishte gati dyfishuar dhe pretendohej se nuk ishte shlyer asnjëherë.

Në një kallëzim të mëvonshëm në Prokurori, Puleshi tha se i injoroi shkresat, mesazhet dhe telefonatat për gjashtë vjet me radhë, pasi nuk kishte lidhje me kredinë dhe atësia në njoftime nuk përkonte me emrin e babait të tij.

Por në tetor 2022, ai mori një mesazh që nuk mund ta injoronte: apartamenti i tij në rrugën « Myslym Shyri » në Tiranë, ku banonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët, ishte vendosur nën sekuestro.

Dokumentet e një hetimi të kryer nga Prokuroria e Tiranës, të cilat BIRN i disponon, tregojnë se Puleshi dhe miku i tij i fëmijërisë u përpoqën që të hetonin vetë se çfarë kishte ndodhur dhe pasi nuk gjetën zgjidhje, iu drejtuan me një kallëzim organit të akuzës në kryeqytet.

Përpara hetuesve, ata deklaruan se nuk kanë marrë ndonjëherë kredi dhe se procedurat përmbarimore ishin kryer në shkelje të ligjeve. Një akt ekspertimi i kaligrafisë në kontratën e kredisë doli gjithashtu në përfundimin se firmat e tyre ishin falsifikuar.

Kristo Puleshi raportohet se është vetëm një nga mijëra viktimat e një skeme të dyshuar abuzimi me mikrokreditë që vazhdon prej të paktën 9 vitesh në Shqipëri. Një hetim administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020 zbuloi se rreth 17 mijë individë ishin dëmtuar me penalitete të padrejta, sekuestrim pronash si dhe shkelje të procedurave përmbarimore.

Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, në skemën e mbledhjes së detyrimeve ishte përfshirë shoqëria Micro Credit Albania si dhe një grup zyrash private të përmbarimit, noterë dhe shoqëri të tjera të lidhura me të.

Ndërkohë, një hetim i kryer nga Prokuroria e Tiranës vlerëson se përgjegjësitë mund të shtrihen deri te Banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj, Gent Sejko.

Përmes një vendimi të 17 prillit, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën dhe i kërkoi Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që të kryente hetime të mëtejshme ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe shoqërisë MCA veprat e mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

“Veprimtaria e MCA shpk rezulton që në mënyrë të vazhdueshme ka penalizuar interesat e ligjshme të individëve kredimarrës, e cila ka qenë në bashkëpunim me përmbaruesit gjyqësorë si dhe lindin dyshime se mund të ketë pasur bashkëpunim edhe me punonjës të Bankës së Shqipërisë,”  thuhet në vendim e shpalljes së moskompetencës.

E pyetur nga BIRN për referimin e guvernatorit Sejko në SPAK, Banka e Shqipërisë tha përmes një zëdhënësi se nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar.

“Nëse do të kemi komunikim zyrtar prej çdo organi procedimi penal, Banka e Shqipërisë do të jetë në dispozicion për të dhënë sqarimet dhe informacionet e duhura,” tha BSH.

Shoqëria “Micro Credit Albania” i mohoi akuzat për mashtrimin dhe penalizimin e kredimarrësve, ndërsa këmbënguli se e kishte bazuar aktivitetin e saj në ligjshmërinë e përcaktuar në akte, kontrata dhe vendime gjyqësore.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë përgjegjësi penale kur ekziston vendimi i gjykatës ; subjekti që vendimi i gjykatës e konsideron ‘kreditor të një detyrimi’ nuk mashtron duke u shfaqur si ‘kreditor’, sepse një titull të tillë ia jep vendimi i gjykatës, ndërsa subjekti që vendimi i gjykatës e certifikon si ‘debitor’ nuk mund të marrë pozitën e ‘një viktime të veprës penale’ sado kallëzime të nënshkruajë/ depozitojë në Prokurori,” pretendoi MCA.

Biznesi i kredive të këqija

Foto: Një sasi parash në cash

Micro Credit Albania u themelua në maj të vitit 2014 nga ortakja e vetme, Elda Ibro, një kontabiliste në profesion, dhe u licensua më pas nga Banka e Shqipërisë për kryerjen e aktivitetit të mikrokredisë. MCA operoi më pas edhe në tregun e blerjes dhe ekzekutimit të kredive me probleme nga institucione të tjera bankare dhe jobankare.

Pas ankesave të shumta të qytetarëve, Departamenti i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë nisi në korrik të vitit 2020 një ekzaminim tematik për shoqërinë MCA, ku të katër elementët e vlerësimit dolën në nivelin më të lartë të rrezikshmërisë të klasifikuar në kategorinë 4.

Sipas raportit të Departamentit të Mbikëqyrjes, subjekti MCA operonte në bashkëpunim me shoqërinë e licensuar në fushën e kredisë, Final, zyrën ligjore ADCA dhe shërbimet përmbarimore ZIG, Flash dhe Star.

Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se në 5 vite të operimit, MCA nuk kishte depozituar asnjëherë pasqyra financiare të audituara, ndërsa dy shoqëri auditimi ndërkombëtare kishin refuzuar të jepnin opinion. Deri në korrik të vitit 2020, MCA kishte blerë 85 milionë euro kredi të pashlyera nga dhjetë institucione të ndryshme banka dhe jo banka, duke paguar vetëm 2-3% të vlerës së tyre dhe më pas kosto e blerjes është rritur në 10 dhe 20% vitet në vijim.

Sipas raportit, MCA kishte paguar rreth 5.2 milionë euro për portofolin e kredive prej 85 milionë euro dhe kishte rikuperuar nga kredimarrësit rreth 10.7 milionë euro, duke siguruar një fitim operativ dy herë më të lartë.

Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se MCA ndoqi një strategji të mbledhjes së plotë të detyrimeve, pa ofruar zbritje, ndërsa vendosi për paketat e ristrukturimit të kredive të këqija « norma penaliteti shumë të larta 2% në ditë ose 730% në vit».

Hetimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës dhe një hetim administrativ i Ministrisë së Drejtësisë hedhin edhe më tej dritë mbi natyrën e biznesit që ndiqte MCA, përmes shtrëngimit të kushteve për të dhënë kredi. Pasi blinte kreditë e këqija deri në 10% të vlerës së tyre, MCA kërkonte kthimin në masën 100%, duke vendosur edhe penalitete, kamata dhe tarifa përmbarimore. Të gjendur ngushtë, kreditorëve që u ishin bllokuar pronat, detyroheshin të firmosnin kontrata kredie me norma interesi deri në 25%.

Pas gjetjeve të Departamentit të Mbikëqyrjes në vitin 2020, Banka e Shqipërisë ndryshoi rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe hipotekore”, duke përcaktuar që masa e penaliteteve të mos kalonte 30% të detyrimit kontraktor. Por edhe pas këtij vendimi dhe  rekomandimeve të lëna për shoqërinë MCA, shkeljet vazhduan.

Dyshimet për rolin e guvernatorit

Më 29 dhjetor 2022, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko vendosi të pezullojë licensën e subjektit financiar jo-bankë ‘Micro Credit Albania’ për kredidhënien, por i lejoi asaj që të vazhdonte aktivitetin e mbledhjes së detyrimeve për portofolet e kredive të blera.

Megjithatë, Prokuroria e Tiranës vlerëson se ky vendim ishte jo vetëm i vonuar, por edhe papërshtatshëm në raport me shkeljet e konstatuara.

Hetimi ngre gjithashtu dyshime se masa e pezullimit u parapri nga një korrespondencë mes shoqërisë MCA dhe Bankës së Shqipërisë. Më 14 dhjetor 2022, ortaku i subjektit Micro Credit Albania i është drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me një mesazh elektronik, ku parashtrohen përpjekjet e kryera për realizimin e rekomandimeve, si dhe kërkohet që të merren në konsideratë masa alternative, të tilla që të mos bllokojnë tërësisht aktivitetin e subjektit.

“Masa e marrë nuk është në raport me shkeljet e konstatura nga vetë specialistët e Bankës së Shqipërisë dhe shkeljet e kryera në mënyrë të përsëritur janë të një karakteri tepër të rëndë. Vazhdimësia e aktivitetit të këtij institucioni financiar me problematika dhe shkelje të përsëritura është me pasoja tepër të mëdha financiare në dëm të qytetarëve,“ thuhet në vendimin e Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria vlerëson gjithashtu se edhe pse ishte e njohur prej dy vitesh me problematikat e shkaktuara nga MCA, Banka e Shqipërisë nuk kishte marrë më parë asnjë hap konkret për të frenuar dhe monitoruar blerjen e kredive tek subjektet e tjera.

E pyetur në Prokurori, një punonjëse e Bankës së Shqipërisë e justifikoi tolerimin në pezullimin e fundit të MCA me rrezikun e pasojave. Sipas dokumentit, ajo deklaroi se nuk mund të merrej një masë radikale, pasi rrezikonin që subjekti të ndërpriste deklarimin në regjistrin e kredive, në kohën që “kishte ende 20 mijë kontrata kredie në administrim“.

Gjithsesi, Prokuroria e Tiranës vlerëson se Banka e Shqipërisë nuk disponon të dhëna të sakta se sa është numri i kredive të blera nga MCA dhe se veprimtaria e kësaj të fundit ishte pothuajse jashtë monitorimit. Ajo ka ngritur gjithashtu dyshime se shoqëria e mikrokredive u favorizua që në fazat e para të licensimit në vitet 2015-2016.

Banka e Shqipërisë miratoi në mars të vitit 2016 një rregullore që mundësonte shitjen e kredive të këqija të bankave, por sipas hetimit, MCA dyshohet se e kryente më përpara këtë aktivitet. Në maj të vitit 2016, ajo u pajis me një licensë të re, çka sipas Prokurorisë ngre dyshime se  infrastruktura ligjore u përshtat “në funksion të aktivitetit të kësaj shoqërie“.

Punonjësit e Bankës Qendrore pretenduan para prokurorëve se ndryshimi i rregullores u bazua në “Planin e masave për kreditë me probleme“, i hartuar nga një Grupi ndërinstitucional i koordinuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, i ngritur me urdhër të Kryeministrit në qershor të vitit 2015.

Bazuar mbi këto të dhëna, Prokuroria e Tiranës vlerësoi se rezulton e nevojshme “të hetohen zyrtarë të lartë si guvernatori i Bankës së Shqipërisë për veprën penale shpërdorimi i detyrës“, kompetencë kjo e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Për shoqërinë MCA me administratore Elda Ibro, Prokuroria vlerëson se nevojiten hetime për veprat penale të mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, të dyshuara këto si të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

I pyetur nga BIRN nëse i kishte marrë apo vlerësuar aktet e dërguara nga Prokuroria e Tiranës, SPAK tha përmes një zëdhënëseje se „nuk ka asnjë përgjigje apo koment për të komunikuar“.

Rrjeti i mikrokredive

Dokumente të siguruara nga BIRN nga Ministria e Drejtësisë, Banka e Shqipërisë dhe Prokuroria e Tiranës tregojnë se skema e dyshuar kishte në qendër pronaren e MCA, Elda Ibro dhe bashkëshortin e saj, Olsi Ibro që drejtonte studion ligjore, ADCA.

Gjithashtu, Micro Credit Albania ndërvepronte me institucioni jo-bankar Final dhe zyrat përmbarimore Zig, Flash dhe Star me pronarë një grup personash të lidhur me njëri-tjetrin.

Miliona euro në llogaritë e Ibros

Prokuroria e Tiranës dyshon se pronarja e shoqërisë MCA është larguar jashtë Shqipërisë, por një pjesë e fitimeve të saj ndodhen në Shqipëri. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se Elda Ibro zotëronte likujditete banke në vlerën e 1.1 milionë eurove dhe 224 milionë lekëve [2.2 miilion euro] në një bankë të nivelit të dytë. Në një bankë tjetër të nivelit të dytë, ajo zotëronte llogari me vlerë 60 milionë lekë, të cilat ia kishte kaluar pronarit të kompanive përmbarimore të angazhuar në mbledhjen e kredive të këqija.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, vlera të tilla janë shumë herë më të mëdha sesa dividenti prej 141.6 milionë lekësh [1.4 milion euro] që kjo shoqëri kishte shpërndarë si fitim. Nisur nga këto mospërputhje, hetuesit e Tiranës thonë se i kanë kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që të kryejnë një kontroll të thelluar për shoqërinë MCA – në mënyrë që të kenë mundësi që të bëjnë një analizë mes të ardhurave dhe shpenzimeve të saj.

Pas pezullimit të licencës në dhënien e kredive, MCA ka nisur të punojë në një tjetër drejtim, atë marrjes së pronave të patundshme të debitorëve. Prokuroria konstaton se disa përmbarues kanë dhënë vulën me qira pranë shoqërisë MCA, ndërsa kjo e fundit ka kontraktuar ekspertë vlerësues për të ulur vlerën e pasurive.

Prokuroria ka administruar dy shkresa të nisura guvernatorit Sejko nga ministri i Drejtësisë dhe Dhoma e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë për ta vënë në dijeni me çfarë po ndodhte, por Banka Qëndrore i ka trajtuar këto probleme si të natyrës juridike -civile dhe pse të njëjtat gjetje ishin konstatuar nga inspektimet e bëra nga vetë Banka e Shqipërisë, thotë prokuroria.

“Konstatime për dyshime të veprimtarisë së paligjshme, Bankës së Shqipërisë i kanë shkuar dhe nga banka të nivelit të dytë, materiale që administrohen në këtë fshikull hetimor,“ thuhet në relacion.

Prokuroria ka konstatuar dhe një numër përmbaruesish privatë që kanë shkelur rregullat dhe kanë bashkëpunuar me subjektin MCA, ndërsa ka konstatuar se veprimtaria e monitorimit të shërbimit përmbarimor nga Ministria e Drejtësisë nuk është disiplinuar. Sipas hetimit, nuk disponohen kopje të urdhrave të ekzekutimit, konfirmime për pagesën e tarifës si dhe nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë për të bashkërenduar punën me organet tatimore.

Shoqëria MCA i tha BIRN në përgjigjen me shkrim se gjatë 9 viteve të aktivitetit të saj nuk ka marrë në posedim asnjë pasuri apo send të paluajtshëm të debitorëve, por pretendoi se ishte përfshirë pa vullnetin e saj “në një luftë të brendshme brenda llojit“ mes përmbaruesve që e kishin dëmtuar atë.

„..në çdo rast, debitorit nuk i tjetërsohen pasuritë e patundshme sepse asnjë debitor nuk është nxjerrë nga shtëpia e tij, por i ndalohet nëpërmjet vënies së sekuestros konservative që ta shesë dhe t’i shmanget shlyerjes së detyrimit,“ tha MCA.

Pavarësisht falsifikimit të firmës dhe kallëzimit në Prokurori, njëri prej viktimave deklaroi në Prokurori se vazhdoi të përndiqej për vite me radhë për kredinë që nuk e kishte marrë asnjëherë.

“Edhe sot që kanë kaluar 17 vjet nga koha e marrjes… nga përmbaruesi vijnë mesazhe në telefonin tim me tekst; Detyrimi juaj i kredisë ende nuk është shlyer,“ dëshmoi ai

Continue Reading

Aktualitet

Qeveria ndan buxhetin për bashkësitë fetare, më shumë përfiton Komuniteti Mysliman

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për financimin e bashkësive fetare në vend që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave.

Në buxhetin e vitit 2024 janë përcaktuar 113 milionë lekë të reja për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, prej të cilave Komuniteti Mysliman përfiton më shumë; 33 840 000 lekë, ndërsa Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike dhe Kryegjyshata botërore përfitojnë në mënyrë të barabartë nga 26 400 000 lekë.

V E N D I M

PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT NË BUXHETIN E VITIT 2024 PËR BASHKËSITË FETARE, QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 2, 3, 4, 5 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin, nga buxheti i shtetit, të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, dhe të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Masa e financimit, prej 113 000 000 (njëqind e trembëdhjetë milionë) lekësh, nga buxheti i vitit 2024, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, përdoret, si më poshtë vijon:

a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 33 840 000 (tridhjetë e tre milionë e tetëqind e dyzet mijë) lekë, të ndarë në:

i. 17 040 000 (shtatëmbëdhjetë milionë e dyzet mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 71 (shtatëdhjetë e një) punonjës të administratës;

ii. 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 70 (shtatëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e mijë) lekë, të ndarë në:

i. 13 200 000 (trembëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 55 (pesëdhjetë e pesë) punonjës të administratës;

ii. 13 200 000 (trembëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 55 (pesëdhjetë e pesë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind mijë) lekë, të ndarë në:

i. 9 600 000 (nëntë milionë e gjashtëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 (dyzet) punonjës të administratës;

ii. 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 70 (shtatëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 26 360 000 (njëzet e gjashtë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, të ndarë në:

i. 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë për financimin, deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 25 (njëzet e pesë) punonjës të administratës;

ii. 13 360 000 (trembëdhjetë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, si kontribut në ndërtimin e Teqesë së Shtufit, Gjirokastër;

iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesëpreventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2024, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.

2. Kalimi i fondit, përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, bëhet njëherësh, brenda muajit maj, të vitit 2024.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING