Aktualitet
Nafta zbraz xhepat e shqiptarëve, 80 Milionë euro më shumë për 5 muaj
Çmimi i lartë i karburanteve po rëndon gjithnjë e më shumë mbi qytetarët shqiptarë. Në vetëm pesë muaj, shqiptarët kanë paguar rreth 80 milionë euro më shumë për karburantet, ndërsa sasia e importuar ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel.
Të dhënat për periudhën mars-korrik 2026 tregojnë se në vend u importuan rreth 305.8 mijë tonë karburante. Kjo sasi është vetëm 1.2 për qind më e ulët se një vit më parë.
Pra, pavarësisht rritjes së çmimeve, konsumi nuk ka pësuar një rënie të ndjeshme.
Por ndryshimi i madh është te fatura.
Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, për karburantin e importuar gjatë këtyre pesë muajve janë shpenzuar rreth 71.3 miliardë lekë.
Nëse çmimi mesatar do të kishte mbetur në nivelin e vitit të kaluar, rreth 175 lekë për litër, e njëjta sasi do të kushtonte rreth 63.7 miliardë lekë.
Diferenca është rreth 7.6 miliardë lekë, ose afro 80 milionë euro më shumë të paguara për të njëjtën sasi karburanti.
Muaji më i shtrenjtë ishte prilli, kur çmimi mesatar i naftës arriti në 209.5 lekë për litër. Edhe pse importet ranë ndjeshëm gjatë këtij muaji, rënia e konsumit nuk ishte e mjaftueshme për të kompensuar rritjen e çmimit.
Në korrik, çmimi mesatar ishte 195.6 lekë për litër. Vetëm gjatë këtij muaji, për rreth 90 milionë litra karburant, fatura arriti në rreth 17.6 miliardë lekë.
Shqipëria vijon të ketë një nga çmimet më të larta të karburanteve në rajon. Sipas analizës, nafta është rreth 30 për qind më e shtrenjtë se në vendet e rajonit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e çmimit përbëhet nga taksat.
Akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH-ja së bashku përbëjnë më shumë se 100 lekë për litër.
Ndërkohë, ndryshe nga disa vende fqinje, ku janë ndërmarrë masa për uljen e akcizës apo TVSH-së, në Shqipëri ndërhyrjet kanë qenë të kufizuara.
Por pse konsumi nuk bie ndjeshëm edhe kur nafta shtrenjtohet?
Një nga arsyet kryesore është mungesa e alternativave të transportit. Sidomos jashtë Tiranës, qytetarët kanë pak mundësi për të zëvendësuar automjetin me transport publik.
Shqipëria mbetet gjithashtu pa një rrjet funksional hekurudhor për transportin e pasagjerëve.
Kështu, për shumë familje, makina nuk është më një zgjedhje luksi, por një domosdoshmëri për të shkuar në punë, për të çuar fëmijët në shkollë apo për të lëvizur nga një qytet në tjetrin.
Ndërkohë, rritja e çmimeve ka sjellë edhe më shumë të ardhura nga TVSH-ja për buxhetin e shtetit.
Në fund, shifrat tregojnë një realitet të qartë: shqiptarët kanë konsumuar pothuajse të njëjtën sasi karburanti, por kanë paguar miliarda lekë më shumë për të.
Një faturë që, në fund, rëndon drejtpërdrejt mbi xhepat e qytetarëve.