Connect with us

Kosova

Naim Murseli ka marrë urdhër për të vrarë gruan? Trondit avokati, ja pista e hetimit

Avokati Tom Gashi nëpërmjet një lidhje skype për emisionin “Breaking” me gazetaren Fiori Dardha në Top News ka folur mbi vrasjet e fundit të grave nga ana e bashkëshortëve të tyre në Kosovë.

Duke u ndalur specifikisht tek vrasja e Liridona Ademajt e ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, ekzekutim që dyshohet se u planifikua nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, avokati tha se prokuroria po heton pistën që ky i fundit të ketë qenë nën presion për të kryer krimin e rëndë.

“Duke e ditur jetën që ka pasur, janë duke u hetuar edhe persona të tjerë. Indicet mund të jenë, mos ndoshta ky person mund të ketë qenë nën presion. Këto janë pista të hetimit që ka prokuroria. I vetmi organ që e bën hulumtimin, është prokuroria e shtetit”– tha avokati.

Lidhur me propozimet në Kosovë për ashpërsimin e Kodit Penal për krimet e vrasjes së bashkëshorteve në vend, Gashi u shpreh se e vetmja mënyrë për të parandaluar vrasje të tilla do të ishte vendosja e dënimit me vdekje.

“Shifra që është thënë është tepër shqetësuese sepse ka marrë vetëm rastet e bashkëshorteve nga burrat e tyre, gjë që është trishtuese, pavarësisht se po flasim për një periudhë kohore prej 25 vitesh. Besoj se është mentaliteti i tyre por besoj se njëra prej mënyrave për të parandaluar çdo vrasje, jo vetëm atë të bashkëshorteve, është ajo e shikimit të dënimit me vdekje”- shtoi Gashi.

Kosova

Klubet e KURTHIT për Kosovën, në Francë dhe Gjermani

Gazetari i gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Michael Martens, beson se disa qarqe politike në Gjermani dhe Francë synojnë ta shtyjnë votimin për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Aktualisht ka një luftë në Evropë nëse shteti më i ri evropian (Kosova, e themeluar në vitin 2008) duhet të lejohet të bashkohet me klubin më të vjetër të demokracive evropiane (Këshilli i Evropës, i themeluar në 1949). Por kjo është gjithashtu një luftë për besueshmërinë evropiane” – ka shkruar Martens në rrjetin social “X” teksa dhe theksoi se megjithëse Franca dhe Gjermania nuk vendosin vetëm për këtë çështje, ato luajnë një rol qendror në marrjen e vendimit.

“Kjo është arsyeja pse presidenti serb Aleksandër Vuçiç vizitoi së fundmi Parisin, për të agjituar kundër anëtarësimit të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti udhëtoi në Berlin javën e kaluar për të udhëhequr një fushatë për pranimin e Kosovës në KiE. Ai u fokusua në bisedimet me politikanët nga SPD, të partisë së kancelarit Olaf Scholz, por u takua edhe me ministren e Jashtme gjermane, Analena Berbock” – deklaroi gazetari.

Sipas tij, pozicioni gjerman dhe francez në fakt duhet të jetë më se i qartë, sepse shumica dërrmuese prej më shumë se 80 për qind e deputetëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës së fundmi kanë votuar për pranimin e Kosovës në anëtarësim.

Për anëtarësimin e Kosovës votuan 131 deputetë por deputetët nuk e kanë fjalën përfundimtare të ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të KiE-së, të cilët do të takohen në maj.

Martens shkruan se megjithatë në Berlin dhe Paris (si dhe në kryeqytete të tjera) duket se ka qarqe që synojnë të injorojnë votën e qartë të deputetëve të tyre dhe në vend të kësaj ta shtyjnë votimin e kërkesës për anëtarësim të Kosovës, duke shpërfillur kriteret.

Continue Reading

Kosova

Dy fytyrat e Vuçiçit, MANIPULUESI bëhet qingj jashtë Serbisë

Interesante, por edhe disi të pabesueshme, nëse i krahasojmë kur shfaqet brenda dhe jashtë vendit, paraqitjet e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç. Në adresimet e tij për opinionin vendor, nga Presidenca apo përmes disa mediave pro-qeveritare, Vuçiç sulmon të huajt, thotë se Serbia “nuk është një grusht tërshërë” dhe se askush sipas tij, nuk mund të vendosë për politikën që ajo ndjek. Pastaj çdo udhëtim I tij jashtë vendit dhe deklaratat që ai përcjell janë dukshëm tjetër gjë. Ai falënderon të huajt për mbështetjen, betohet për miqësi si me Perëndimin ashtu edhe me Lindjen dhe në vend që t’u japë përgjigje të forta të huajve, siç bën kur flet për opinionin serb Brenda vendit, ai merr goditje grushti mbi tryezë, si në rastin e Këshillit të Sigurimit, pasi doli lakuriq se po gënjente.

Ditët e fundit, presidenti i shtetit serb, ndoshet më shpesh në Nju Jork se sa në Beograd, ku po merr pjesë në lobimin ekipor kundër votimit të project rezolutës për Srebrenicën, teksa mediat proqeveritare po publikojnë suksese të mëdha dhe fitore diplomatike që presidenti po arrin me ekipin e tij, por realiteti fatkeqësisht nuk është aspak rozë. Asgjë nuk ka ndryshuar për asnjë pikë në raport me qëndrimet e mëparshme të partnerëve ndërkombëtarë në lidhje me rezolutën.

Së pari, kujtojmë se Vuçiç u përpoq të manipulojë  kryesuesen e seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së  për Kosovën, Vanessa Fraser, dhe të kërkonte tre minuta shtesë për debatin, të cilën ajo e refuzoi me forcë dhe i tha presidentit se gjithçka ishte dakorduar në agjendën e mëparshme.
Duke përplasur grushtin e saj në tryezë, ajo e bëri Vuçiçin të vetëdijshëm se nuk mund të flasë të pavërteta dhe të mashtrojë ekipin e njerëzve që punojnë në OKB. Vuçiçit iu desh ta pranonte këtë, gjë që me shumë mundësi nuk do të ndodhte kurrë në Serbi, ku ai është i fokusuar vetëm te audienca dhe elektorati i tij.

Shembulli më i mirë për këtë është udhëtimi i fundit i kreut të shtetit në Francë, ku u takua me presidentin Emmanuel Macron. Takimi i tyre u prezantua në media si kulmi i miqësisë  dhe bashkëpunimit mes dy vendeve. Vucic tha se foli me presidentin Emmanuel Macron për tre orë dhe se ata patën një takim shumë të përzemërt.

Vetëm ky shembull vërteton se Vuçiç ka një  retorikë krejt tjetër kur është jashtë vendit dhe tjetër kur kthehet në Beograd dhe paraqet detajet e vizitës së tij.

Nuk ka rëndësi kush është në anën përballë tij, presidenti serb përgjigjet “pa frikë” dhe nuk përkulet, edhe pse ai është para një të fuqishmi.

Për këtë lloj qëndrimi kemi dëgjuar edhe për Vuçiçin në përballje me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kur e ka pyetur për kinezët gjatë takimeve në Shtëpinë e Bardhë.

Nëse do ta shohim pamjen më të gjerë e me vërtetësi, përtej interpretimeve të Vuçiçit, shohim se “presidenti më i respektuar në historinë e fundit të Serbisë”, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Shtëpinë e Bardhë, duket sikur kishte shkuar atje për t’u marrë në pyetje nga Presidenti i SHBA. Fotoja e dërguar nga Zyra Ovale shkaktoi edhe reagimin tallës të miqve të tij rusë, të cilët e respektojnë Serbinë më shumë se kurrë falë njeriut që është në krye të saj……………..

 

Continue Reading

Kosova

‘Fitorja e Kosovës në KiE s’është më aq e lehtë dhe e thjeshtë’

Ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Mali, ka thënë se fitorja e Kosovës në Këshillin e Evropës “nuk është më aq e thjeshtë, e lehtë dhe e shpejtë”, duke iu referuar fazës së tretë të procesit të anëtarësimit të Prishtinës në këtë organizatë, që është në dorë të Komitetit të Ministrave të vendeve anëtare të KiE-së.

“Kur është fjala për Këshillin e Evropës, mund të shihni se fitorja e Prishtinës nuk është më aq e thjeshtë, e lehtë dhe e shpejtë siç e priste dikush. Në anën tjetër edhe votimi i rezolutës në OKB për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë po shtyhet. Një fitore e madhe për Serbinë, një fitore e madhe e përpjekjeve, kohës dhe të vërtetës, të cilën presidenti Vuçiç e diskutoi me një numër të madh liderësh botërorë. Neve na takon të vazhdojmë të luftojmë për Serbinë tonë”- ka deklaruar Mali duke theksuar se kjo është “një luftë” nga e cila ai kurrë nuk do të heqë dorë – “një luftë për një Serbi sovrane, të pavarur, të lirë”.

“Është një politikë që e zbatojmë së bashku me presidentin prej vitesh, një politikë që nuk do të heqim dorë. Do të shohim si do të dalë votimi, por padyshim për të gjithë ata që janë me palën tjetër, nuk do të jetë e lehtë” – potencoi Mali.

Kujtojmë se më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kishte votuar pro raportit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Për miratimin e raportit të raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, kanë qenë 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime. Para miratimit të raportit, Asambleja Parlamentare e KiE-së, i hodhi poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga Serbia. Për t’u bërë anëtare e plotë e KiE-së, Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një hap: votimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm në muajin maj.

Continue Reading

Kosova

Vuçiç I TERBUAR, eksperti amerikan zbardh prapavijat e provokimeve të ushtrisë serbe

Profesori dhe eksperti amerikan në shkenca politike, Alon Ben Meir, duke komentuar manovrat e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën si dhe për kërcënimet e Aleksandër Vuçiç, tha se ato janë vetëm shfaqje force e presidentit serb, i cili sipas tij, i di mirë pasojat që mund t’i bartin provokimet dhe nxitja e ndonjë konflikti.

“Nga këndvështrimi im, kato nuk janë gjë tjetër veçse shfaqje force ku presidenti Vuçic dëshiron të tregojë se është gjithmonë gati. Siç e kam thënë herë pas here në të kaluarën, Vuçic, në fakt, nuk ka ndërmend të kalojë kufirin me Kosovën apo të nxisë ndonjë lloj konflikti të dhunshëm në Kosovë. Ai e di se pasojat e një provokimi të tillë do të jenë të rënda, pasi dihet se NATO nuk do të tolerojë një provokim të tillë kundër Kosovës, sigurinë kombëtare të së cilës është zotuar ta mbrojë” – deklaroi eksperti.

Krahas kësaj, Ben-Meir tha se pajtohet me kryeministrin Albin Kurti, kur thotë se presidenti serb po synon të nxisë trazira, duke shtuar se Vuçiç po kryen punët e pista të Vladimir Putinit.

“Jam dakord me kryeministrin Kurti, por Vucic nuk shkon aq larg sa të destabilizojë rajonin, pasi do kishte implikime serioze për vetë Serbinë, të cilat Vuçiç padyshim dëshiron t’i shmangë”, theksoi Ben Meir duke theksuar se provokimet në kufi nga ana e ushtrisë serbe, kane lidhje edhe me  procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Përgjigja e ashpër e Vuçiçit ndaj rezolutës, duke thënë se ky eshte “turpi i tyre”, tregon se sa i tërbuar eshte ai, duke e ditur se pranimi i Kosovës, ndonëse një hap i vogël, do ta sjellë Kosovën më afër anëtarësimit në BE” – deklaroi eksperti amerikan duke shtuar se Vuçiç përmes “lojës së kufirit” po dëshiron të forcojë pozicionin te populli serb.

“Në analizë të fundit, kjo ‘lojë’ e kufirit është në thelb e vetmja gjë që mund të bëjë Vuçiq për t’i treguar popullit të tij se ai ka dhe do të mbetet gjithmonë vigjilent ndaj çdo progresi që mund të bëjë Kosova drejt integrimit në BE. Për më tepër, Vuçic dëshiron të forcojë pozicionin e tij në mesin e popullit të tij, veçanërisht në këtë moment kur publiku po shpreh me zhurmë pakënaqësinë e tij me performancën e qeverisë serbe” – potencoi Alon Ben Meir.

Continue Reading

Kosova

Hungaria mund t’i zvarrisë integrimet evropiane të Kosovës

Në dritën e përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) dhe Këshillin e Evropës (KiE), njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Alejandro Esteso Perez, shpreh drojën se Hungaria mund ta miratojë njëfarë qëndrimi konsistent dhe të votojë kundër Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare.

Përderisa Hungaria e njeh pavarësinë e Kosovës, ajo nuk ofron të njëjtin nivel të mbështetjes politike sikurse vendet e tjera që e njohin shtetin e vogël ballkanik. E përveç pesëshes së BE-së – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro – që refuzojnë ta njohin Kosovës, shteti hungarez nën kryeministrin Viktor Orban mban qëndrimin më të ashpër karshi Kosovës.

“Në kohën kur Kosova angazhohet në dy procese paralele për t’u anëtarësuar në BE dhe KiE, në dritën e zotimit të ministrit hungarez Peter Szijjárto ndaj Serbisë në janar 2023, duhet të merret parasysh mundësia që Hungaria të mund të miratojë një qëndrim konsistent dhe të votojë në mënyrë të përsëritur kundër së ardhmes evropiane të Kosovës”, theksoi Perez.

Kosova dorëzoi dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por BE-ja ende s’ka marrë ndonjë vendim se si do të procedohet tutje. E sa i përket anëtarësimit në KiE, ndonëse u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të KiE-së, kundër Kosovës votuan katër hungarezë, përfshirë ata nga radhët e “Fidesz” në pushtet.

Nga 1 korriku 2024, hungarezët do ta marrin presidencën e radhës të Këshillit të BE-së për një periudhë gjashtëmujore. Duke pasur parasysh trashëgiminë kontraverse të Orbanit në sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, shumë liderë të BE-së shprehen të shqetësuar për presidencën e Hungarisë që pritet të zgjasë deri më 31 dhjetor 2024.

“Kjo sugjeron një vazhdimësi të politikës së Hungarisë drejt favorizimit të Serbisë – jo vetëm përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë dhe të hapur për palën serbe, por edhe përmes mungesës së perspektivës së zgjerimit për Kosovës… Hungaria mund të krijojë një ngërç me potencial që statusi i vendit kandidat për anëtarësimin e Kosovës ne BE të zvarritet pafundësisht”.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING