Connect with us

Bota

NATA E LUFTES SHBA-IRAN QE MUND TE NDRYSHOJE BOTEN

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh kundër objektivave iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit, duke e çuar në një tjetër nivel përplasjen ushtarake mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Komanda Qendrore amerikane, CENTCOM, konfirmoi se forcat e SHBA-së goditën instalacione që i përkasin Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, IRGC.
Shpërthime u raportuan fillimisht në Bandar Abbas, Chabahar dhe në ishullin Qeshm, ndërsa më pas u dëgjuan shpërthime edhe në Jask, Sirik dhe Minab.

Një zyrtar amerikan i tha Axios se sulmet amerikane po zhvilloheshin kundër objektivave iraniane pranë Hormuzit, një prej pikave më strategjike të transportit detar në botë dhe një korridor jetik për furnizimin global me energji.

Sipas CENTCOM, operacioni erdhi pas përpjekjeve të fundit të Gardës Revolucionare iraniane për të sulmuar anijet tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, si dhe forcat amerikane të dislokuara në rajon.

Sulmet amerikane pasojnë deklaratën e presidentit Donald Trump, i cili një ditë më parë paralajmëroi se Uashingtoni do t’i përgjigjej “ashpër” sulmeve iraniane me raketa dhe dronë ndaj bazave amerikane në Jordani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Përplasja e fundit erdhi pas një sulmi amerikan ndaj lëshuesve iranianë të raketave në ishullin Larak, brenda Ngushticës së Hormuzit.
Sipas Uashingtonit, objektivi ishte parandalimi i vendosjes së minave detare nga Irani dhe garantimi i lëvizjes së cisternave në këtë korridor strategjik.

Për SHBA-në, mbajtja e Hormuzit të hapur është një çështje me rëndësi globale, pasi çdo ndërprerje e qarkullimit detar mund të godasë drejtpërdrejt tregjet e energjisë dhe çmimet ndërkombëtare të naftës.

Nga ana tjetër, Irani paralajmëron se nuk do të qëndrojë pasiv. Një zyrtar iranian i tha Reuters se përballja mbetet aktualisht “e kufizuar”, por paralajmëroi se çdo sulm i ri amerikan do të marrë një “përgjigje të ashpër” nga Teherani.
Në të njëjtën kohë, Ambasada amerikane në Jerusalem lëshoi një alarm sigurie për shtetasit amerikanë në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar për një situatë “komplekse” dhe potencialisht të paparashikueshme.

Uashingtoni paralajmëron për mundësinë e anulimit të fluturimeve, mbylljes së hapësirave ajrore dhe ndërprerjeve të rënda të udhëtimeve.
Por shqetësimi amerikan shkon përtej Lindjes së Mesme.

Sipas paralajmërimit, Irani dhe grupet e lidhura me të mund të synojnë interesa amerikane edhe jashtë rajonit, përfshirë objekte diplomatike, kompani, organizata dhe shtetas amerikanë.

Përplasja në Hormuz tashmë nuk shihet thjesht si një shkëmbim i kufizuar goditjesh.
Ajo rrezikon të shndërrohet në një krizë më të gjerë ushtarake dhe energjetike, me pasoja për të gjithë tregun global të naftës.

Advertisement