Connect with us

Politike

Ndryshime në kupolën e zjarrfikësve/ Lamallari emëron drejtuesin e ri të komanduar

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka prezantuar sot Ervis Gjoshi si drejtuesin e ri të komanduar të Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.

Gjoshi merr këtë detyrë pas dorëheqjes së Arben Carës nga drejtimi i MZSH-së. Ai ka një karrierë prej 18 vitesh në Policinë e Shtetit dhe ka mbajtur disa detyra drejtuese, përfshirë atë të zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë në DVP Tiranë, si dhe shefit të Komisariatit të Policisë në Dibër.

Gjatë prezantimit, ministri Lamallari deklaroi se eksperienca e Gjoshi në strukturat e sigurisë pritet të shërbejë në drejtimin e një prej strukturave më të rëndësishme për përballimin e emergjencave.

Sipas Lamallarit, ndër prioritetet e drejtuesit të ri do të jenë rishikimi i kuadrit ligjor për MZSH-në dhe hartimi i një programi kombëtar për parandalimin e zjarreve.

Ministri theksoi gjithashtu se qytetarët duhet të kenë një shërbim profesional, të organizuar dhe të gatshëm për ndërhyrje në çdo moment, veçanërisht përballë emergjencave dhe situatave të zjarreve.

“Parandalimi është qëllimi madhor i qeverisë shqiptare dhe ajo çfarë presin më shumë qytetarët shqiptarë”, u shpreh Lamallari.

 

Advertisement