Shkrime
PROTESTA/ PELLUMB KARAMETA: RAMA DOREHIQU SE ME VOTE NUK DA DALIM DOT
Nga Pëllumb Karameta
Në Shqipëri ka lindur një shkollë e re e mendimit politik. Nuk ka ende akademi, katedra apo tekste mësimore, por ka një tezë themelore që përsëritet me këmbënguljen e një ligji natyror: kur nuk e mund dot kundërshtarin, kërkoji të largohet vetë.
Është një zbulim që do t’i kishte kursyer njerëzimit shumë mundime. Përse të shpikeshin zgjedhjet, fushatat, programet dhe kutitë e votimit, nëse mjaftonte një thirrje nga podiumi? Përse të bindësh qytetarët, kur mund t’i kërkosh kryeministrit të bindet vetë?
Në këtë republikë të çuditshme, opozita nuk ëndërron më aq shumë ditën kur do të fitojë, sesa mëngjesin kur kundërshtari do të zgjohet me dëshirën për të humbur.
Dhe kështu, pas vitesh betejash, denoncimesh, protestash e ultimatumesh, politika shqiptare duket sikur ka mbërritur te një formulë e re e alternimit demokratik: Fituesi duhet të largohet, që humbësi të mos lodhet duke fituar.
Pushteti nuk është pronë e askujt. As e Ramës. Por demokracia kërkon që pushteti të fitohet, jo të trashëgohet nga dorëheqja e kundërshtarit.
Prandaj, në respekt të kësaj filozofie të re, po paraqes dhjetë teza që provojnë përse Rama duhet të dorëhiqet. Janë teza të ndërtuara me logjikën e hekurt të absurdit, ku përfundimi është vendosur përpara argumentit dhe argumenti ka vetëm detyrën t’i bindet.
Teza 1: Rama duhet të dorëhiqet, sepse opozita ka nevojë për një fitore.
Dorëheqja, përkundrazi, është një mrekulli administrative: një firmë dhe gjithçka merr fund.
Përse të ngjitësh malin, kur mund t’i kërkosh malit të ulet në gjunjë?
Teza 2: Rama duhet të dorëhiqet, sepse demokracia kërkon rotacion.
Dikur besohej se rotacionin e vendosnin qytetarët. Tani mund të imagjinojmë një demokraci më të përparuar. Kryeministri organizon vetë largimin e tij, për t’i kursyer opozitës mundimin e alternimit.
Humbësi fiton pa fituar, fituesi humbet pa humbur. Vetëm votuesi mbetet disi i tepërt në këtë ekuacion.
Teza 3: Rama duhet të dorëhiqet, sepse opozitës po i mbarojnë shpjegimet për humbjet.
Humbja është mësuese e rreptë. Të detyron të shohësh në pasqyrë. Dhe pasqyra është një send i rrezikshëm për politikën. Nuk pranon justifikime.
Mund të zbulosh se duhen ndryshuar drejtuesit, organizimi, madje edhe mënyra si u flet qytetarëve.
Është më e lehtë të thyesh pasqyrën sesa të pranosh atë që ajo të tregon!
Teza 4: Rama duhet të dorëhiqet, sepse opozita ka nevojë për një kundërshtar të ri.
Me këtë të vjetrin ka provuar denoncime, protesta, ultimatume dhe shpallje të panumërta të fundit të afërt.
Por Rama ka një ves të pakëndshëm. Nuk i bindet kalendarit të parashikimeve të kundërshtarëve.
Ndoshta me një tjetër, parashikimet do të dalin më të sakta.
Teza 5: Rama duhet të dorëhiqet, sepse opozita duhet të çlirohet nga Rama.
Rama është bërë personazhi kryesor i rrëfimit opozitar. Ai shfaqet pas çdo dështimi, në krye të çdo shpjegimi, në fund të çdo fjalimi.
Një kundërshtar i tillë nuk është më thjesht kundërshtar. Është pjesë e identitetit politik të atyre që e luftojnë.
Dhe këtu lind frika. Po iku Rama, kush do t’ua mbajë në këmbë rrëfimin?
Teza 6: Rama duhet të dorëhiqet, sepse opozita ka nevojë të merret me Shqipërinë.
Shqipëria ka probleme që nuk zgjidhen me parulla: shkolla, spitale, ekonomi, emigracion.
Këto kërkojnë ide, plane, burime dhe përgjegjësi. Kërkojnë të shpjegosh çfarë do të ndërtosh, jo vetëm çfarë do të shembësh.
Ndërsa thirrja «Rama ik!» ka një përparësi të madhe. Nuk kërkon relacionin financiar.
Teza 7: Rama duhet të dorëhiqet, sepse opozita ka nevojë të mësojë të qeverisë.
Në shkollën e demokracisë, opozita është klasa ku përgatiten qeveritarët e ardhshëm.
Por nxënësi ynë politik ka zbuluar një metodë të re: të kalojë drejtpërdrejt nga ankesa te diploma.
Pa provim. Pa vlerësim. Pa rezultat kalues.
Mbetet vetëm të gjendet mësuesi që do t’ia firmosë dëftesën. Dhe ai, sipas kësaj logjike, duhet të jetë Rama.
Teza 8: Rama duhet të dorëhiqet, sepse opozita ka nevojë për një program të ri.
Programi «Rama ik!» ka një bukuri të rrallë: përbëhet nga dy fjalë, kuptohet nga të gjithë dhe nuk kërkon shpjegime.
Por ka një mangësi.
Nuk tregon çfarë ndodh ditën tjetër.
Shteti nuk është skenë teatri ku mjafton të largohet aktori kryesor, që drama të përfundojë.
Përndryshe, ndryshon aktori, por shfaqja mbetet po ajo.
Teza 9: Rama duhet të dorëhiqet, sepse Shqipëria nuk ka kohë të presë që opozita të fitojë.
Ndërtimi i një shteti demokratik funksional kërkon institucione, reforma dhe vazhdimësi.
Por politika e parullës e shndërron arkitekturën e shtetit në një derë. Mjafton të dalë njeriu që është brenda dhe ndërtesa do të rregullohet vetë.
Sa keq që shtetet nuk funksionojnë si dhomat e hoteleve!
Teza 10: Rama duhet të dorëhiqet, sepse opozita ka nevojë të zbulojë të vërtetën për veten.
Për sa kohë Rama qëndron, opozita mund ta paraqesë atë si murin që e ndan nga pushteti. Çdo humbje shpjegohet me lartësinë e murit.
Por çfarë ndodh, nëse muri hiqet?
Mund të zbulohet se pas tij nuk ndodhet fitorja, por rruga që kërkon ende ide, besim dhe punë.
Aritmetika e pakëndshme
Në Tiranën me afro 600 mijë banorë, protestuesit numërohen me mijëra, jo me shumicën e qytetit. Në universitete, një grup pedagogësh kërkon dorëheqjen e Ramës; por qëndrimi i nënshkruesve nuk mund të paraqitet automatikisht si qëndrimi i gjithë trupës akademike. Në Kuvend, mazhoranca ka 83 mandate, opozita kryesore 50.
Sigurisht, demokracia nuk është konkurs numrash në shesh. Edhe një pakicë mund të ketë të drejtë. Por të protestosh është një e drejtë. Të flasësh në emër të shumicës është pretendim që kërkon prova.
Protesta nuk ka nevojë për mandat. Pretendimi se përfaqëson popullin, po.
P.S.
Asnjë kryeministër nuk është i pazëvendësueshëm. As Rama. Demokracia nuk njeh pronarë të pushtetit; ajo njeh mandate që jepen dhe merren nga qytetarët.
Por Shqipëria nuk është karrige që pret të ndërrojë të zotin. As një lodër në duart e mendjelehtësisë politike. Është shtet ende në ndërtim, ku reformat kërkojnë kohë, institucionet qëndrueshmëri dhe alternativat politike aftësi për të ndërtuar, jo vetëm për të kundërshtuar.
Dhe këtu qëndron ironia: opozita kërkon largimin e njeriut rreth të cilit ka ndërtuar një pjesë të madhe të ekzistencës së vet politike.
Por mund të ndodhë që ditën kur Rama të largohet, opozita të zbulojë se problemi më i madh nuk ishte njeriu që kishte përballë, por boshllëku që kishte pas vetes.