Connect with us

Politike

Negociata me Shqipërinë/ Procesi i IBAR-it vijon në Bruksel me një tjetër diskutim

Procesi i shqyrtimit të Raportit të Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (IBAR) për Shqipërinë, në kuadër të Grupkapitullit 1 – “Themeloret”, vijon të mbetet i hapur, pa një afat të përcaktuar për përfundimin e tij.
Kjo konfirmohet edhe nga dokumenti më i fundit i Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili tregon se çështja do të rikthehet sërish në diskutim gjatë mbledhjes së 17 prillit të Grupit të Punës për Zgjerimin dhe Vendet në Negociata për Anëtarësim (COELA).
Sipas agjendës zyrtare, në rend të ditës është përfshirë shqyrtimi i IBAR-it, së bashku me draftin e pozicionit të përbashkët të përkohshëm të Bashkimit Evropian.
Procesi është përcaktuar si “shkëmbim pikëpamjesh” duke treguar se edhe kjo mbledhje do të përqendrohet në diskutime mes shteteve anëtare dhe jo në një vendimmarrje përfundimtare, duke lënë të kuptohet se konsensusi i nevojshëm politik ende nuk është arritur.
Sipas burimeve evropiane me dijeni për zhvillimet, procesi nuk ndjek një kalendar të përcaktuar, pasi çdo vendimmarrje mbi këtë fazë të negociatave kërkon dakordësi të plotë mes të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Të njëjtat burime theksojnë se për çështje që lidhen me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit – veçanërisht në nivelet e larta – lirinë e medias dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë, shqyrtimi mbetet më i thelluar dhe më i kujdesshëm.
Në këtë kuptim, IBAR-i për Grupkapitullin “Themeloret” konsiderohet një nga fazat më sensitive të negociatave të anëtarësimit, pasi lidhet drejtpërdrejt me funksionimin institucional të shtetit dhe standardet demokratike të vendit.

Advertisement