Aktualitet
Nga Pashalimani në Mesdhe, baza si platformë strategjike/ Brenda marrëveshjes me ‘Fincantieri’
Në një çast kur arkitektura e sigurisë në Mesdhe po riformatohet me ritme të përshpejtuara, Shqipëria po kërkon të dalë nga roli tradicional i një aleati periferik dhe të pozicionohet si një aktor me funksion operacional në zinxhirin euro-atlantik.
Këtu hyn në lojë edhe projekti për transformimin e bazës së Pashaliman – jo thjesht si një investim industrial – si një test për këtë ambicie.
Marrëveshja me gjigantin botëror të industrisë ushtarake, Fincantieri, një nga grupet më të mëdha evropiane të ndërtimit detar, e zhvendos diskutimin nga politika, te kapacitetet konkrete: prodhim, mirëmbajtje dhe, mbi të gjitha, transferim teknologjie.
Në një intervistë kompania e vendos projektin megjithatë në një kontekst shumë më të gjerë se Shqipëria, me mundësi reale për vendin që të thyejë barrierat tradicionale të një rajoni periferik në hartë dhe për t’i dhënë një frymë të re gjithë Ballkanit Perëndimor.
Një projekt që lind nga politika, por synon industrinë
Sipas Fincantieri-t, projekti nuk është një zhvillim spontan, por pjesë e një strategjie të artikuluar.
Kompania shkon më tej, duke e vendosur këtë bashkëpunim si një nga rezultatet e para konkrete të nivelit ndërqeveritar.
Në këtë kuadër, Shqipëria nuk shihet vetëm si një vend pritës, por si një element në një arkitekturë më të gjerë.
Në qendër të projektit është transformimi i Pashalimanit në një nyje prodhimi dhe mirëmbajtjeje.
Por ambicia nuk ndalet këtu. Poli shqiptar nuk do të kufizohet në tregun lokal, por do të veprojë si një shumëfishues vlere, duke e përkufizuar projektin si një levë për zgjerimin e kapaciteteve në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Një nga shtyllat kryesore të projektit mbetet pozicioni gjeografik i Shqipërisë.
“Shqipëria përfaqëson një pikë hyrje/dalje mes Mesdheut dhe Ballkanit”, ‘thekson Fincantier’, duke e cilësuar këtë si një element kyç për stabilitetin e Mesdheut të zgjeruar.
Kompania e lidh këtë edhe me zhvillime më të gjera infrastrukturore: Prania në Pashaliman mund të jetë hapi i parë për forma të reja bashkëpunimi në infrastrukturat portuale”, përfshirë korridore strategjike si Korridori VIII dhe lidhjet me IMEC.
Në thelb, ajo që po ndërtohet në Pashaliman nuk është vetëm një kantier. Është një përpjekje për të ndërtuar një nyje ku bashkohen industria, siguria dhe politika.
Fincantieri e përkufizon veten si një “orkestrues të kapaciteteve të projeksionit detar”, duke përfshirë jo vetëm ndërtimin e anijeve, por edhe dimensione si mbrojtja e infrastrukturave kritike dhe teknologjitë “nënujore” – një tregues se projekti synon të shkojë përtej prodhimit klasik.
Pyetja që mbetet është më pak teknike dhe më shumë strukturore: nëse ky projekt do të arrijë të ndërtojë realisht kapacitet lokal dhe të integrojë Shqipërinë në zinxhirët industrialë ndërkombëtarë, apo do të mbetet një platformë e varur nga jashtë.
Për momentin, premtimi është i madh dhe, si zakonisht në projekte të kësaj natyre, pesha reale do të matet tek zbatimi.