Kosova
Nili Perëndimor përhapet në Kosovë/ 7 të infektuar, 2 viktima
Një person tjetër ka humbur jetën në Kosovë si pasojë e infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor, duke e çuar në dy numrin e viktimave të raportuara nga ky virus në vend.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se deri tani janë konfirmuar shtatë raste të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor. Të gjithë pacientët janë hospitalizuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Sipas IKSHPK-së, tre pacientë paraqesin shenja klinike të meningjitit akut, tre të tjerë shenja të meningoencefalitit akut, ndërsa një pacient ndodhet në gjendje febrile.
Të dhënat e publikuara nga instituti i referohen periudhës nga 7 gushti deri më 18 shtator 2026, gjatë së cilës në Laboratorin e Mikrobiologjisë janë konfirmuar shtatë raste të infektimit. Nga personat e prekur, pesë janë meshkuj dhe dy femra.
Rasti i fundit fatal vjen disa ditë pas njoftimit të autoriteteve shëndetësore për viktimën e parë nga virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë. Institucionet shëndetësore po vijojnë monitorimin e rasteve të konfirmuara.