Politike
Një letër nga përtej detit/ Gjin Gjoni: Për një ose dy javë do ketë zhvillime në favor të PD
Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka paralajmëruar zhvillime në favor të PD-së nga faktori ndërkombëtar, ndonëse nuk dha detaje konkrete mbi atë që pritet të ndodhë. Gjoni u shpreh se pas një apo dy javësh mund të kemi një deklaratë nga institucionet ndërkombëtare.
“Besimi po rritet në mënyrë graduale, nuk mundet që besimi të shpërthejë brenda ditës. Riorganizimi i partisë, riorganizimi i strukturave, mobilizimi i shoqërisë, ndryshimi i kupolës së PD qoftë edhe në nivele pas z.Berisha dhe i Kryesisë së saj, patjetër që do krijojë….edhe elementë të rinj që mund të futen, edhe frymë të re, edhe pse jo një deklaratë pas 1-2 javësh nga institucionet ndërkombëtare që mund të vijë në favor të PD-së. A mund të japë një impuls pozitiv? Patjetër”, tha Gjoni.
I pyetur se për çfarë zhvillimesh konkrete bëhej fjalë, deputeti Gjoni shtoi: “Nuk e di. Unë thashë pritet, mund të ketë zhvillime të reja. Zhvillime në favor të PD-së. Unë s’jam Sekretar i DASH. Unë them atë që ndiej, kam në kontakte, dhe përjetoj çdo ditë në takimet që kam”.
Po ashtu deputeti foli për sinjale pozitive edhe nga faktorët ndërkombëtar, një ditë para tubimit të thirrur nga PD para Kryeministrisë.
“Siç e deklaroi edhe kryetari i PD, ne s’do japim skenarin e protestës online. Protesta do ketë zhvillimet e veta në varësi të skenarëve që do ndërtohen në momentin dhe situatën e caktuar”, tha Gjoni.
“Asnjë nga format e tjera të protestës s’është eliminuar. Kam sugjeruar protesta të qëndrueshme, konsistente, ku deputetët duhet të japin kontribut më të madh, pse jo të futen edhe në grevë urie. Në rast se suksesi s’është i koordinuar me faktorin e brendshëm dhe të jashtëm duhet të kesh një rezultat që të japë edhe goditjen përfundimtare. Sinjalet janë pozitive nga gjithë faktorët dhe aktorët me të cilët jemi në kontakt, qoftë edhe me faktorin ndërkombëtar, që gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur”, shtoi deputeti i PD